MPB-ja mban orë edukative në shkollat e Dibrës për bullizmin dhe dhunën

    MPB-ja dhe shkollat fillore në Komunën e Dibrës kanë filluar realizimin e projektit që ka të bëjë me trajnimin e nxënësve dhe ndërgjegjësimin e tyre për të mos rënë pre e dukurive negative. Bëhet fjalë për një projekt shumë domethënës, meqë shumë dukuri negative paraqiten pikërisht në shkollat fillore të vendit. Drejtoria e Shkollës Fillore Komunale “Penestia”, ku mësimi zhvillohet në dy gjuhë, shqip dhe maqedonisht, informoi se me shumë sukses është realizuar trajnimi i zhvilluar nga përfaqësues të policisë në Dibër në shkollën “Penestia”.

    Drejtori i shkollës, Genc Sadiku, thotë se trajnimi edukativ është realizuar me komisarit të policisë në Dibër, Dritan Bakalli. “Qëllimi i projektit është ndërgjegjësimi i nxënësve për sjelljen korrekte që duhet të kenë në shkollë dhe në qytet, duke respektuar dhe parandaluar dukuritë negative. Gjatë trajnimit u trajtuan tema të cilat janë shumë domethënëse për nxënësit. Nxënësit me shumë interes i ndoqën këto trajnime dhe janë të kënaqur për edukimet që morën për shumë dukuri”, tha drejtori Genc Sadiku.

    Përfaqësuesi i Policisë së Dibrës, Dritan Bakalli, dha shumë sqarime se si duhet nxënësit të parandalojnë bullizmin dhe dhunën mes bashkëmoshatarëve, mënyrat e parandalimit dhe raportimit të dhunës në shkolla, si dhe respektimin dhe komunikimin e shëndetshëm mes nxënësve. Një temë që u trajtua në takimin me nxënësit ishte edhe përdorimi i trotinetëve nga të miturit dhe rregullat e sigurisë në komunikacion. Duke marrë parasysh faktin se në Dibër ka një përdorim të madh të trotinetëve elektrikë nëpër rrugët e qytetit dhe se pikërisht përdorues të tyre janë edhe nxënës të mitur, përfaqësuesi i policisë dha sqarime dhe udhëzime për nxënësit.

    Ka pasur shumë raste edhe të incidenteve të krijuara nga përdoruesit e trotinetëve elektrikë nëpër rrugët dhe trotuaret e qytetit. Veçmas, nxënësit u informuan për normat e reja ligjore se kush mund të përdorë trotinetët elektrikë dhe për moshën e përdoruesve. Bashkëpunimi mes MPB-së dhe shkollave në Dibër vlerësohet shumë lart nga prindërit dhe stafi arsimor në shkolla. Projekti në fjalë do të realizohet edhe në shkollat e tjera fillore në Komunën e Dibrës. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Bërvenica, testi i radhës për fuqinë e partive

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë