Bekim Sali takohet me Marta Kosin në Bruksel, kërkon hapa konkretë drejt anëtarësimit në BE

    Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, ka zhvilluar një takim në Bruksel me komisioneren evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ku është diskutuar për perspektivën evropiane të vendit dhe mundësitë që ofron qasja e re e Bashkimit Evropian ndaj procesit të zgjerimit, përcjell Nistori.

    Përmes një postimi në rrjetet sociale, Sali ka theksuar se integrimi evropian duhet të sjellë rezultate konkrete për qytetarët dhe të mos mbetet vetëm në nivel premtimesh politike.

    “Evropa duhet të ndihet më afër qytetarëve tanë, jo vetëm përmes premtimeve, por përmes rezultateve konkrete”, ka deklaruar Sali.

    Sipas tij, integrimi gradual në Bashkimin Evropian paraqet një mundësi për t’i shndërruar reformat në përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët dhe ekonominë. Në këtë drejtim, ai ka përmendur uljen e kostove të pagesave përmes sistemit SEPA, përmirësimin e lidhjeve digjitale, krijimin e mundësive të reja për bizneset dhe afrimin me programet evropiane.

    Zëvendëskryeministri ka ritheksuar përkushtimin e Maqedonisë së Veriut për vazhdimin e reformave, duke nënvizuar se përparimi i vendit duhet të vlerësohet në bazë të meritave dhe të shoqërohet me hapa të prekshëm drejt anëtarësimit të plotë në BE.

    “Vendi ynë është i përkushtuar të vazhdojë reformat. Njëkohësisht, besojmë se përparimi duhet të vlerësohet mbi bazën e meritave dhe të shoqërohet me hapa konkretë drejt anëtarësimit”, ka shkruar Sali.

    Ai ka përshëndetur gjithashtu mundësinë që komisionerja Marta Kos të komunikojë drejtpërdrejt me mediat nga Maqedonia e Veriut, përmes një interviste kushtuar perspektivës evropiane të vendit.

    Në përfundim, Sali ka theksuar se procesi i integrimit evropian duhet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të qytetarëve.

    “Integrimi evropian duhet të jetë një proces që qytetarët e shohin, e ndiejnë dhe përfitojnë prej tij”, ka përfunduar zëvendëskryeministri.

    Lajmi Paraprak

    Për rininë që po gris maskat e politikës së vjetër

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë