Digjet redaksia e medias së Rudina Xhungës në Tiranë

    Redaksia e medias online „Dritare“ në Tiranë është përfshirë nga flakët, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Pamjet e publikuara tregojnë ambientet e dëmtuara nga zjarri, ndërsa ngjarja ka shkaktuar reagime emocionale te gazetarët që kanë qenë pjesë e kësaj redaksie ndër vite, përcjell Nistori.

    Mes tyre është edhe gazetarja Malvina Tare, e cila ka punuar për pesë vite në këtë media. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo ka shprehur trishtimin dhe dhimbjen për shkatërrimin e hapësirës ku ka kaluar një pjesë të rëndësishme të karrierës së saj profesionale.

    „Mes lajmeve të trishta që vijnë nga Shqipëria, sot e nisa ditën me një lajm edhe më të trishtueshëm. Redaksia ku kam punuar për pesë vitet e fundit në Tiranë ishte djegur“, shkruan Tare.

    Ajo rrëfen se mendimi i parë pas marrjes së lajmit ka qenë për sigurinë e ish-kolegëve, ndërsa kujtimet e viteve të kaluara në redaksi i janë rikthyer menjëherë.

    Sipas saj, dëmtimi i ambienteve të „Dritare“ nuk përfaqëson vetëm humbjen e një hapësire pune, por edhe të një vendi ku janë formuar gazetarë të rinj, janë zhvilluar ide dhe janë ndërtuar përvoja profesionale.

    Në reagimin e saj, Tare vlerëson veçanërisht kontributin e gazetares Rudina Xhunga, themeluese e kësaj sipërmarrjeje mediatike, të cilën e përshkruan si një figurë që ka mbështetur dhe inkurajuar të rinjtë në rrugëtimin e tyre drejt gazetarisë.

    „Ne jemi dëshmitarë të një përpjekjeje të fortë dhe të vazhdueshme të gazetares Rudina Xhunga për ta çuar përpara sipërmarrjen e saj mediatike. Një nga emrat e hershëm të gazetarisë online në Shqipëri, ajo na trajnoi, na dha mundësi dhe na hapi dyer në një fushë ku punësimi mbetet shpesh i pasigurt dhe i paqëndrueshëm“, thekson gazetarja.

    Tare kujton se gjatë pesë viteve të punës në këtë redaksi ka pasur mundësinë të zhvillohet profesionalisht, të mësojë nga përvoja e kolegëve dhe të krijojë lidhje që, sipas saj, mbeten të forta pavarësisht humbjes së hapësirës fizike.

    „Dritarja nuk ishte thjesht një media për mua. Ishte një përvojë pesëvjeçare, një shkollë, një vend ku u rrita profesionalisht dhe ku krijova kujtime e lidhje që mbeten përtej çdo hapësire fizike“, shprehet ajo.

    Një pjesë të veçantë të reagimit, gazetarja ia kushton mbështetjes që Rudina Xhunga u ka dhënë grave të reja në gazetari, duke i nxitur drejt pavarësisë profesionale dhe besimit në aftësitë e tyre.

    „Mbi të gjitha, na ndihmoi ne vajzave. Na mësoi se një grua duhet të jetë e pavarur dhe se, për të qenë e tillë, duhet të jetë e aftë të përballojë me guxim dhe mençuri çdo të papritur që i sjell jeta“, shkruan Tare.

    Në fund të reagimit, ajo kujton me nostalgji kolegët me të cilët ka ndarë përditshmërinë në redaksi, duke treguar se kthimin në Tiranë e kishte lidhur gjithmonë me dëshirën për t’i ritakuar ata në ambientet e „Dritare“.

    Pavarësisht dëmeve të shkaktuara nga zjarri, mesazhi i saj përmbyllet me bindjen se puna dhe trashëgimia profesionale e një redaksie nuk mund të shuhen bashkë me ambientet e saj.

    „Një redaksi mund të digjet, por idetë, përvoja, guximi dhe njerëzit që janë rritur brenda saj nuk digjen bashkë me të“, përfundon gazetarja Malvina Tare.

    Shkaqet e zjarrit dhe rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja nuk bëhen të ditura në reagimin e gazetares. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    A është mbivlerësuar projekti te zjarrfikësit në Tetovë dhe ku shkojnë miliona eurot?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë