Tetori i Putinit apo i Trumpit…?

    XHEVAT MUSTAFA

    Natyrisht janë një tufë burimesh, faktorësh, forcash që kanë ndezur dhe mbajnë në veprim krizat, trazirat, destabilitetin, protestat në vendet kryesore të BE-së. Të brendshme e të jashtme. Të hershme e të reja apo të freskëta. Gjykoj se një nga nxitësit e parë e më të fuqishëm të ambicjeve dhe veprimeve të Vladimir Putinit e të Rusisë së tij është mitizimi, deri në gogolizim i forcës ushtarake ruse dhe i shpirtit luftarak dhe i vetmohimit të lartë e masiv të ushtarit rus, gërshetuar me interesat për qindra miliardë euro, dollarë që vërshojnë nga tubacionet e Nord Stream-it. Shumë analistë politikë dhe ushtarakë, por edhe qytetarë të thjeshtë, me tifozllëk të hapur e të fshehtë ndaj stepave, arinjve, këngëve dhe valleve, vajzave dhe nuseve ruse, krahas këtyre mbështeten fort tek historia… Është për të theksuar se në kohën e sotme, në këto vite, fatet dhe përfundimet e luftërave, nuk vendosën më si në në kohën e Bonapartit e të Hitlerit, në frontin tokësor. Në të kundërt, duke filluar nga sulmi ushtarak i SHBA-së në fillim pranverë 1999 mbi Serbinë e për Kosovën si dhe deri tek sulmi po nga ajri në fund shkurt 2026 kundër Iranit, së bashku SHBAIzrael, mund të mendohet se ka ardhur epoka e përcaktimit të rezultatit përfundimtar të luftërave nga ajri, nga potenciali i avionëve, raketave, dronëve, helikopterëve.

    Se cila është Rusia sotme dhe sa larg është për nga buxhetet, ekonomia, mirëqenia, potencialet ushtarakë me SHBA dhe me NATO-n ndihmojnë këto shifra nga World Economics për vitin 2024.   SHBA ka qenë e mbetet fuqia e parë për nga potencialet ushtarake, me popullsinë rreth 342 milionë banorë; me GDP 29.18 trilion USD dollarë; me buxhetin ushtarak për 2025 në rreth 900 miliard USD dollarë; me 15,293 avionë dhe me 290 luftanije e nëndetëse. Është për t’u vënë në dukje se vetëm shteti i Kalifornisë në SHBA, me popullsinë 39.5 milionë banorë e ka GDP në 4.1 trilionë USD dollarë ose gati 2 fish më shumë se Rusia!?  -RUSIA, vazhdon të jetë fuqia e dytë ushtarake, me popullsinë 143.5 milionë banorë; me GDP 2.098 trillion USD, me buxhetin ushtarak për 2025 rreth 13.515 trilion rubla (110- 150 miliardë £); me 4,498 avionë dhe helikopterë dhe me 224 luftanije e nëndetëse. Aktualisht e përafërsisht, potenciali bërthamor rus përbëhet nga 5.977 armë bërthamore. Ndërsa NATO; (SHBA-5.428, Angli-225, Francë290), në tërësi, 5943. Epërsia minimale me 34 armë bërthamore nga Rusia zhvleftësohet ndjeshëm nga epërsia absolute e SHBA-së dhe e NATO-s për nga treguesit e fuqive ekonomike, financiare, sociale, shkencore, teknologjike…; për nga shifrat e forcave ushtarake aktive e rezervë… Edhe nga potencialet e shumanshme e shumëformëshe për luftë dhe qëndresë ndjeshëm më afatgjatë. Prandaj Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, në një prononcim mediatik më 30 shtator, deklaroi: -”Është e tmerrshme dhe e turpshme që 500 milionë njerëz(popullsia e vendeve të NATO-s në Europë) duhet t’i kërkojnë një vendi me 300 milionë banorë (SHBA) t’i mbrojë nga një vend me 140 milionë banorë Rusia)!?  Gogolizimi i fuqisë ushtarake të Rusisë dhe i rrezikut nga “ariu rus” i shërben së pari, vetë Rusisë.

    Duke mos qenë jo ajo që reklamohet apo e reklamojnë, ka interes dhe dobi që t’ia kenë frikën, sidomos në Europën Qendrore e Perëndimore. Për të përhapur këtë psikozë e paranojë ajo rrit financimet edhe për të zgjeruar rrjetet e spiunëve në shërbim të saj, përfshirë edhe media dhe gazetarë, duke synuar të kapë edhe koka apo shefa në shërbimet sekrete të vendeve të NATO-s e jo standardet e tyre në zhvillim, mirëqenie, demokraci, shtete ligjorë e socialë funksionalë… Rasti më i freskët është ai i 80 vjeçarit August Hanning, ish drejtor i shërbimit sekret të Gjermanisë, BND. Ai arrestua më 6 tetor 2026 si i dyshuar për disa vepra të rënda penale, mes tyre edhe për tradhti kombëtare, në dobi të shërbimit sekret rus, kinez… Nga mbivlerësimi i potencialit dhe rrezikut rus kanë interes edhe qarqe politike, qeverisëse, ushtarake në SHBA dhe vendet kryesore të BE e të NATO-s. Ato justifikohen brenda opinionit publik dhe politik të vendeve të tyre për “nevojat” dhe kërkesat në rritje të buxheteve ushtarake me biliarda e triliarda të tjerë, deri në 5%, për armë të reja më të sofistifikuara e më shkatërruese. Logjikshëm, tek ky rrezik gjejnë edhe justifikimin për pamundësinë e financimeve më të mëdha për rritjen e mirëqenies për shumicën e popujve të vet.

    Merret me mend se rritja e kërcënimit dhe rrezikut rus ka lumturuar vetëm kompanitë e mëdha të prodhimit të armëve në vendet e NATO-s. Heqja e mijëra miliarda euro nga projektet perspektivë për rritjen e niveleve të zhvillimit dhe të mirëqenies së shtetasve të tyre, për t’i transferuar për shtimin e potencialeve ushtarakë mbrojtës, në rast të një sulmi(më shumë të fantazuar) nga Rusia, sjell ngadalësim të hapave përpara të këtyre vendeve dhe njëherazi pakënaqësi e revolta në popull… Kuptohet se SHBA, Rusia, Kina…, fërkojnë duart nga kënaqësia nga ky stanjacion apo nga kjo rrëshqitje prapa në vendet e BE, duke u bërë për Rusi, SHBA, Kinë gjithnjë e më pak konkuruese dhe shqetësuese! Pra, si tubacione me “naftë, benzinë dhe gaz” për protestat masive popullore në vjeshtën 2026 në Spanjë, Francë, Gjermani, Belgjikë, Itali, Rumani, krahas faktorëve dhe burimeve të brendshëm, kanë shërbyer e po shërbejnë edhe investimi, roli, ndikimi, interesi rus, domethënë të Putinit. Lehtëkuptohet se ai është trimëruar edhe nga lëshimet e favorizimet e Trump ndaj Rusisë këto muajt e fundit.

    Në këtë kuadër Putin ka shtuar financimin për partitë neonaziste në Francë, Gjermani, Austri si dhe grupe ekstremistesh apo terroristësh islamikë arabë në ushtritë milionëshe të emigrantëve afrikano- aziatikë në këto vende.! Natyrisht, protestat në këto vende të Europës Perendimore apo të BE-së, kanë edhe shkaqe të brendshme, sidomos nga rëndimi i krizave ciklike, që janë shoqëruar me rritje papunësie, çmimesh, sidomos të karburanteve, taksave dhe të kostos së jetesës! Por, destabilizimi i BE- së, idealja shkatërrimi i saj, është sidomos në interes të Rusisë, SHBA, Kinës… Trump, ndoshta hakmerret ndaj Sancesit, Macronit, Merzit, Melonit dhe vendeve që ata përfaqësojnë… edhe për shkak se nuk e mbështetën aleancën e tij me Izraelin dhe luftën kundër Iranit, duke e lënë të vetëm me mikun e tij të ngushtë Beniamin Netanjahu! Se Trump ka nisur këtë vjeshtë apo vit një proces zbutjeje apo me afrimi me Putinin dëshmon edhe marrëveshja e 10 tetorit SHBARusi për të importuar 4.5 milionë naftë e gaz rus, ndërsa zyetaaisht nuk është shpallur heqja e sanksioneve nga SHBA dhe BE ndaj Rusisë, në shenjë ndëshkimi për agresionin kundër Ukrainës. Më herët, më 23 shtator, Trump, në mënyrë të njëanshme, pa u ndikuar nga kundërshtimet e disa vendeve të BE, vendosi ta ftonte Rusinë në mbledhjen e G20, në Miami të SHBA-së, në dhjetor 2026.

    Këto favorizime, lëshime, lehtësime të Rusisë nga Trump, shoqëruar njëherazi me kërkesën e largimit të Zhelenskit si president i Ukrainës dhe me rritjen e presionit që të ulet sa më parë në tryezën e dialogut me Putin për  një marrëveshjeje paqeje, edhe me kushte ndjeshëm më të favorshme për Rusinë, justifikohen nga Trump edhe me interesat ekonomike për SHBA, sidomos me urgjencën e uljes së çmimeve të naftës e të gazit, ngritur tepër nga lufta me Iranin, nga e cila, fituesja më e madhe e dytë është Rusia. Sepse, pas ndërprerjes së furnizimit me naftë iraniane, plot vende, sidomos të Lindjes së Largët, e gjetën zgjidhjen duke marrë naftë e gaz nga Rusia. Si rrjedhojë e këtyre favorizimeve dhe lëshimeve ndaj Rusisë dhe e agresivizimit të saj mund të kuptohet edhe rritja e fuqive financiare, politike dhe elektorale të partive të ekstremit të djathtë, naziskine si dhe “të majtë”, ish komuniste dhe filoruse, në Spanjë, Francë, Gjermani, Itali, Austri… Rrjedhojë e favorizimeve ndaj Rusisë nga Presidenti Trump mund të kuptohet dhe konsiderohet edhe vendimi dhe veprimi i këtyre ditëve të fundit nga qeveria e Sllovakisë, anëtare e BE, për të rikthyer marrëdhëniet diplomatike ushtarake me Moskën, ndërprerë më 2022 apo edhe mesazhet “e ngrohta” me Putinin edhe nga qeveritë e Finlandës e të Norvegjisë.

    Një akt tjetër ngrohjeje i raporteve Trump-Putin shprehet tek deklarata e dërguarit amerikan Steve Witkoff pas takimit me presidentin rus Vladimir Putin, të cilin, duke “ia harruar” rreth 2 milionë viktima ukrainas dhe rusë, pas lirimit nga 4 vjet burg në Rusi të shtetasit amerikan Stephen Hubbard, e cilësoi si një person “shumë të dhembshur”(humanitar!?). Kjo deklaratë shkaktoi zemërim dhe kundërshtime edhe nga deputetë dhe senatorë të Partisë Republikane të SHBA-së, mes të cilëve edhe tek senatori John Corbyn, deputeti Don Bacon, e tj. Një dëshmi tjetër afrimi me Putinin është dëshira e Trump për të propozuar për kandidat si Sekretar të Përgjithshëm të OKB-së, mikun e tij, Viktor Orbanin, i vetë afirmuar dhe i cilësuar nga të tjerë si ndërmjetës apo si shtyes komunikimi dhe dialogimi mes Trumpit dhe Putinit.

    Bazuar tek hapat e ndërmarra nga Presidenti Trump për rifillimin e marrëdhënieve shumëdrejtimëshe me Rusinë, këto javët e fundit, në fjalorin apo frazeologjinë e politikës dhe publicistikës botërore, tetori 2026 është emërtuar edhe “TETORI I PUTINI! Ndërsa pas protestave në Shqipëri, ndryshe nga sa propagandojnë Edi Rama dhe tellallët e tij të hapur e të maskuar, për të fshehur burimet e vërteta, nuk janë as Antifa e as islamizmi ekstrem, as Putin e as Trump…! Më shumë se të gjithë këta është vetë…Edi Rama! Domethënë,  keqqeverisja e tij, korrupsioni i tij pa fre e i pamatshëm; enverizimi i tij i pandalshëm…! Edhe pengmarrja e tij nga bandat e mafies shumëngjyrëshe e shumëflamurëshe; nga të paidealët dhe të pamoralët; nga diplomablerësit, të papërgjegjshmit, shqiptarë e ndërkombëtarë!? Panorama

    Lajmi Paraprak

    Brezi që ndërtoi Gjermaninë – marrëveshja për punëtorë nga Turqia

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë