Sistemi i drejtësisë për fëmijët në Maqedoninë e Veriut vazhdon të përballet me mangësi serioze institucionale, pavarësisht detyrimeve ligjore për mbrojtjen e të miturve. Vetëm 1,2 për qind e fëmijëve të thirrur në polici janë intervistuar në hapësira të përshtatura posaçërisht për ta, ndërsa nga 80 komuna, vetëm katër kanë dorëzuar raporte për aktivitetet e parandalimit të delikuencës gjatë vitit 2025. Këto janë disa nga konstatimet e raportit vjetor të Këshillit Shtetëror për Parandalimin e Delikuencës së Fëmijëve dhe Drejtësisë për Fëmijët, përcjell Nistori.
Sipas raportit, të përgatitur mbi bazën e të dhënave nga 87 institucione, gjatë vitit 2025 në stacionet policore janë thirrur 1.201 fëmijë, ose 45 më pak krahasuar me vitin paraprak. Megjithatë, ulja e numrit të fëmijëve të thirrur nuk është shoqëruar me përmirësim të kushteve për trajtimin e tyre.
Në të gjithë territorin e vendit ekzistojnë vetëm tri dhoma të pajisura posaçërisht për zhvillimin e bisedave me fëmijët në stacionet policore. Gjatë vitit 2025, në këto hapësira janë intervistuar vetëm 16 fëmijë, përkatësisht 1,2 për qind e të thirrurve, sipas treguesit të raportuar nga Këshilli Shtetëror.
Institucioni konstaton se në këtë drejtim nuk është shënuar përparim krahasuar me vitin 2024.
Më shumë fëmijë me mbrojtje juridike, por pothuajse gjysma ende pa të
Një përmirësim është evidentuar në realizimin e së drejtës për mbrojtës juridik gjatë procedurave policore. Në vitin 2025, këtë të drejtë e kanë realizuar 49 për qind e fëmijëve të thirrur, kundrejt 32 për qind në vitin 2024.
Megjithatë, të dhënat tregojnë se më shumë se gjysma e fëmijëve të përfshirë në këtë tregues nuk e kanë realizuar këtë të drejtë.
Situata është më shqetësuese në qendrat për punë sociale, ku numri i fëmijëve që kanë realizuar të drejtën për avokat ka rënë nga 73 në vitin 2024 në vetëm 16 gjatë vitit 2025.
Fëmijët viktima, rritje e ndjeshme e rasteve të evidentuara nga gjykatat
Raporti paraqet edhe të dhëna për fëmijët viktima të veprave penale, të regjistruar nga institucione të ndryshme.
Ministria e Punëve të Brendshme ka evidentuar 694 fëmijë viktima, prokuroritë 629, gjykatat 404 dhe qendrat për punë sociale 334.
Rritja më e madhe është regjistruar në të dhënat e gjykatave, ku numri i fëmijëve viktima është rritur për 118 për qind krahasuar me vitin 2024.
Këto shifra përfaqësojnë evidenca të institucioneve të ndryshme dhe nuk mund të mblidhen automatikisht si numër i përgjithshëm i viktimave, pasi mund të përfshijnë të njëjtët fëmijë në faza të ndryshme të procedurave.
Vetëm katër komuna përmbushën detyrimin për raportim
Një nga konstatimet më kritike të raportit lidhet me mungesën e funksionalitetit të këshillave komunalë për parandalimin e delikuencës së fëmijëve.
Nga gjithsej 80 komuna, vetëm 25 i janë përgjigjur Këshillit Shtetëror me informacione për themelimin dhe funksionimin e këtyre mekanizmave.
Ndërkaq, vetëm katër komuna – Tetova, Kumanova, Ohri dhe Pehçeva – kanë dorëzuar raporte për aktivitetet e vitit 2025.
Këshilli Shtetëror vlerëson se në një pjesë të madhe të komunave këta mekanizma nuk janë themeluar fare, ndërsa në disa të tjera ekzistojnë vetëm formalisht, pa zhvilluar aktivitete konkrete.
Megjithëse themelimi dhe funksionimi i tyre përbën detyrim ligjor, mungesa e mjeteve financiare në buxhetet komunale identifikohet si një nga pengesat kryesore.
Arsimi në institucionin korrektues të Tetovës, probleme dhe rifillim i mësimit
Raporti trajton edhe gjendjen në Shtëpinë Edukuese-Korrektuese të Tetovës, në fshatin Vollkovi.
Sipas konstatimeve të Avokatit të Popullit, deri më 15 shtator 2025, procesi arsimor në këtë institucion ende nuk kishte filluar. Në atë periudhë, 19 nga fëmijët e vendosur aty nuk kishin të përfunduar arsimin fillor, ndërsa ishte evidentuar edhe mungesë kuadri.
Nga 1 tetori, procesi edukativo-arsimor ka filluar të realizohet rregullisht, tri herë në javë, me përfshirjen e 19 fëmijëve. Raporti evidenton përfundimin me sukses të niveleve përkatëse arsimore nga këta nxënës, si dhe organizimin e provimeve për arsim profesional të mesëm.
Megjithatë, dokumenti thekson edhe problemin e financimit të aktiviteteve të risocializimit. Gjatë vitit 2025, Prokuroria Publike nuk ka vazhduar transferimin e mjeteve financiare në llogarinë e institucionit, praktikë që ishte zbatuar në vitin 2023 dhe pjesërisht gjatë vitit 2024.
Më shumë masa ndaj fëmijëve, ndërsa paraburgimi është dyfishuar
Në vitin 2025, ndaj 14 fëmijëve është shqiptuar masa e paraburgimit, krahasuar me gjashtë në vitin 2024 dhe dhjetë në vitin 2023.
Ndërkohë, ndaj 23 fëmijëve janë shqiptuar masa edukative institucionale, ndërsa katër fëmijë janë dënuar me burgim.
Raporti evidenton gjithashtu rritje prej 54 për qind të treguesit të fëmijëve kryerës të kundërvajtjeve krahasuar me vitin paraprak.
Pavarësisht këtyre zhvillimeve, Këshilli Shtetëror konstaton se sistemi vazhdon të zbatojë kryesisht masa që nuk përfshijnë privimin nga liria, në përputhje me parimet e drejtësisë për fëmijët.
Raporti nxjerr në pah një problem që shkon përtej statistikave: ekzistenca e ligjeve dhe mekanizmave mbrojtës nuk garanton domosdoshmërisht zbatimin e tyre. Nga stacionet policore deri te qendrat për punë sociale dhe pushteti lokal, mbrojtja e fëmijëve vazhdon të varet nga kapacitetet dhe funksionimi real i institucioneve.




