Kontrata për punë apo për vota?

    Rreth 6.000 punonjës të angazhuar përkohësisht në sektorin publik mund të fitojnë vende pune të përhershme. Por projektligji që do t’ua hapte këtë rrugë lë dy çështje të hapura: mund të përfshijë edhe persona që nënshkruajnë kontrata të reja deri në hyrjen e tij në fuqi dhe nuk përcakton në tekst se si do të bëhet përzgjedhja. Ndërkohë, Ministria e Administratës Publike thotë se projektligji nuk i është dërguar dhe se askush nuk i ka kërkuar mendim. “Presim që Ligji për kalimin në marrëdhënie të rregullt pune të miratohet në javën e parë të dhjetorit”, deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanoski, një nga propozuesit e nismës.

    Projektligji përfshin organet e pushtetit shtetëror, institucionet e kulturës, shëndetësisë, mbrojtjes së fëmijëve dhe mbrojtjes sociale, si dhe ndërmarrjet publike, entet, fondet dhe njësitë e vetëqeverisjes lokale. Jashtë kësaj mase mbeten shoqëritë aksionare, zyrat e deputetëve, Armata, arsimi, Ministria e Punëve të Brendshme dhe institucionet e tjera të sigurisë. Sipas tekstit të propozuar, masa vlen për personat që kanë lidhur kontratë për kryerjen e një pune ose një lloj tjetër kontrate të përkohshme deri në ditën e hyrjes në fuqi të ligjit. Kjo lë hapësirë që të përfshihen edhe persona që do të angazhohen ndërkohë. Kalimi në marrëdhënie të përhershme pune parashikohet të përfundojë deri më 31 dhjetor 2027.

    Institucionet do të duhet të marrin pëlqimin e Ministrisë së Financave, e cila mund ta refuzojë kërkesën nëse vlerëson se kushtet nuk janë plotësuar. Punonjësit, nga ana tjetër, duhet t’i plotësojnë kushtet e përgjithshme dhe të posaçme për vendin përkatës të punës. Megjithatë, projektligji nuk përmend hapa si shpallja publike, pikëzimi, provimet, komisioni i përzgjedhjes apo intervistat, të cilat parashikohen në rregulloren qeveritare për procedurat e punësimit. Kjo lë të hapur pyetjen se si do të bëhet përzgjedhja në praktikë. Numri i të punësuarve në administratë vlerësohet në rreth 130.000. Profesori i së drejtës administrative dhe administratës publike, Borçe Davitkovski, thotë se punonjësit me kontrata të përkohshme meritojnë një përgjigje të qartë për të ardhmen e tyre, por kërkon që më pas të vendoset një kufi për punësimet. “Le t’i punësojnë edhe këta 6.000 dhe pastaj është koha që një herë e përgjithmonë të vihet një vijë e kuqe te punësimet”, deklaroi Davitkovski për DW.

    Sipas tij, bëhet fjalë për fate njerëzish, të cilëve duhet t’u thuhet qartë nëse do të punësohen në mënyrë të përhershme.

    Debati rikthen në vëmendje edhe vlerësimin e ministrit të Administratës Publike, Goran Minçev, kur raportoi për vitin e parë të mandatit. Ai tha atëherë se vetëm 25 deri në 30 për qind e punonjësve mbajnë barrën e punës, rreth 30 për qind nuk japin maksimumin, ndërsa 40 për qind nuk punojnë fare ose përpiqen të mos paraqiten në punë. Minçev e lidhi këtë gjendje me “punësimet partiake, etnike dhe farefisnore”. Një vit e katër muaj pas atij vlerësimi, nuk ka informacion publik se çfarë masash janë marrë për rastet që ai përmendi. Ministria e Administratës Publike tha se nuk e ka marrë projektligjin dhe nuk është konsultuar. Mes propozuesve është edhe Boban Karapejovski, deputet i ZNAM-it, partisë së ministrit Minçev. “Nëse qëllimi i zgjidhjes së propozuar ligjore është tejkalimi i problemit shumëvjeçar të personave që prej vitesh janë të angazhuar në sektorin publik me kontrata të përkohshme, ne përshëndesim çdo nismë që synon zgjidhjen e kësaj çështjeje”, deklaruan nga Ministria.

    Ndërsa në sektorin publik diskutohet për kontratat e përhershme, në sektorin privat mungesa e punëtorëve mbetet një problem. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, tha së fundmi se ekonomisë së vendit i duhen mes 40.000 dhe 50.000 punëtorë në vit për të funksionuar normalisht. Sipas tij, për vitin 2026 ishte planifikuar angazhimi i rreth 10.000 punëtorëve nga jashtë, si një hap për të mbajtur kompanitë në punë dhe për të mbrojtur vendet ekzistuese të punës.

    Ndërkaq e Majta e sheh nismën si tërheqje nga premtimi i VMRO-DPMNE-së për një administratë më të vogël. Deputeti Amar Mecinoviq e lidhi atë edhe me mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.“Premtuan më pak ministri, administratë më të vogël dhe shtet më efikas, ndërsa pas ardhjes në pushtet formuan pesë ministri të reja. Kështu po ndodh edhe me administratën, çka do të thotë se VMRO-DPMNE-ja po heq dorë vazhdimisht nga premtimet e saj kryesore parazgjedhore”, deklaroi Mecinoviq. Sipas tij, pushteti “me gjasë po përgatit zgjedhje të parakohshme parlamentare”, para se të bëhen plotësisht të dukshme pasojat financiare të buxhetit. Si argumente për këtë vlerësim, ai përmendi rritjen e mjeteve për Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, autostradën Kërçovë–Ohër, që po ndërtohet prej më shumë se një dekade, dhe atë që e cilësoi si “valë të re punësimesh partiake përmes ndryshimeve ligjore”. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Kush është Mikhail Bogachek, i nominuari i Trumpit për ambasador të ShBA-së në Kosovë?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë