Në seancën e sotme, Qeveria miratoi propozimin për të kërkuar një mendim urgjent nga Komisioni i Venedikut lidhur me modelin e propozuar për dhënien e provimit të jurisprudencës. Siç njoftoi Ministria e Drejtësisë, ky hap synon të sigurojë një vlerësim të pavarur nga ekspertët ndërkombëtarë për përputhshmërinë e zgjidhjes së propozuar me Kushtetutën, instrumentet juridike ndërkombëtare dhe standardet evropiane, përcjell Nistori.
Sipas Ministrisë së Drejtësisë, në kuadër të kësaj procedure, raportuesit e Komisionit të Venedikut do të takohen me përfaqësues të institucioneve përkatëse, partive politike parlamentare, dekanët e pesë fakulteteve juridike dhe përfaqësues të organizatave studentore.
Ministria njofton gjithashtu se janë planifikuar demonstrime praktike të pjesës me shkrim të provimit në Gjykatën e Apelit në Shkup, si dhe të pjesës me gojë në Ministrinë e Drejtësisë.
Sipas njoftimit, modeli i propozuar parashikon një sistem të unifikuar të dhënies së provimit, me kushte të barabarta dhe kritere të njëjta profesionale për të gjithë kandidatët, pa provime të veçanta apo standarde të ndryshme.
“Komisioni i Venedikut, organ këshillimor i Këshillit të Evropës, në të cilin përfaqësohen 61 shtete anëtare, do të ofrojë një vlerësim të pavarur ndërkombëtar nga ekspertët për zgjidhjen ligjore të propozuar. Vendosmëria jonë është e qartë: ligjet duhet të bazohen në Kushtetutë, legjislacion dhe standarde evropiane, ndërsa zgjidhjet duhet të burojnë nga argumentet juridike dhe analizat e ekspertëve”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.
Koalicioni qeveritar VLEN quajti këtë si arritje historike.
“Jurisprudenca tashmë zyrtarisht edhe në gjuhën shqipe. Sot, gjatë seancës së Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, u miratua propozimi për mundësimin e dhënies së provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe. Urime studentë! Urime shqiptarë!”, thonë nga VLEN.
Çështja e gjuhës në të cilën duhet të jepet provimi i jurisprudencës ka marrë përmasa të reja në debatin politik në vend, pasi kryetari i ZNAM-it dhe i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, deklaroi gjatë një paraqitjeje televizive të premten (6 nëntor) se partia e tij do të largohej nga Qeveria nëse do të lejohej që provimi i jurisprudencës të jepej në ndonjë gjuhë tjetër përveç maqedonishtes.
Dimitrievski theksoi se kryeministri Hristijan Mickoski është në dijeni të qëndrimit të ZNAM-it për këtë çështje. Ai paralajmëroi se, në takimin e ardhshëm me kryeministrin, do të kërkojë organizimin e një takimi të liderëve të koalicionit, ku do të diskutohen dhe përcaktohen hapur vijat e kuqe të partnerëve qeverisës lidhur me këtë çështje dhe pasojat e mundshme për të ardhmen e vendit dhe të sistemit gjyqësor.
Deklarata e Dimitrievskit ngriti pikëpyetje mbi stabilitetin e koalicionit qeveritar. Në këtë kontekst, LSDM-ja opozitare vlerësoi se çështja e provimit të jurisprudencës po përdoret për të krijuar përshtypjen e një konflikti dhe tensioni të supozuar brenda koalicionit qeverisës. Sipas kësaj partie, një situatë e tillë do t’i shërbente kryeministrit dhe liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, si alibi për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duke shmangur njëkohësisht përgjegjësinë për rastin e Alta Bankës dhe gjendjen e rënduar të arkës së shtetit.
Nga ana tjetër, Aleanca për Shqiptarët e cilësoi liderin e ZNAM-it si “patriot me bateri”, duke pretenduar se ai po e shfrytëzon çështjen e provimit të jurisprudencës për qëllime parazgjedhore dhe për të përmirësuar mbështetjen e tij politike, pasi, sipas kësaj partie, është i vetëdijshëm se vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Ndërkohë, zgjidhja e propozuar parashikon që pjesa me gojë e provimit të jurisprudencës të zhvillohet në gjuhën maqedonase, ndërsa pjesa me shkrim në gjuhën në të cilën kandidati ka përfunduar studimet universitare.
Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari nëse çështja e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe do të shqyrtohej në një seancë qeveritare, si dhe reagimeve të partnerit të koalicionit, ZNAM-it, kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi dje se nuk do të ketë kërkesë apo vendim që do të mundësonte dhënien e të gjithë provimit në gjuhën shqipe. Megjithatë, ai sqaroi se propozimi që do t’i dorëzohet Qeverisë përmban dy pjesë.
“Pjesa e parë do t’u mundësojë kandidatëve ta japin pjesën që lidhet me studimet e tyre universitare në gjuhën në të cilën kanë përfunduar arsimin e lartë, nëse kanë studiuar në një gjuhë tjetër përveç maqedonishtes, si shqipja, turqishtja apo anglishtja. Pjesa e dytë, e cila përfshin simulimin e një procesi gjyqësor në procedurë penale ose civile, do të zhvillohet në gjuhën maqedonase”, deklaroi Mickoski gjatë një vizite në Ohër.
Ish-ministri i Drejtësisë dhe kryetari i Bordit Qendror të ZNAM-it, Igor Filkov, të dielën (8 nëntor) e cilësoi si “hibrid” zgjidhjen e propozuar nga pasardhësi i tij në këtë detyrë, Jeton Shaqiri, nga koalicioni VLEN, duke pretenduar se për të ishte informuar përmes mediave.
Ish-ministri theksoi se çështja nuk qëndron te fakti nëse ai është pro apo kundër zgjidhjes së propozuar, por te shqetësimi se kjo temë është keqpërdorur. Sipas tij, kundërshtimet lidhen me dhënien e provimit në një gjuhë tjetër nga ajo që kandidatët do të duhet të përdorin në institucionet ku synojnë të punojnë në të ardhmen si gjyqtarë, avokatë apo prokurorë.
Studentët dhe përfaqësuesit e fakulteteve ku mësimi zhvillohet në gjuhë të tjera përveç maqedonishtes nuk e kanë pranuar propozimin dhe kanë paralajmëruar se, nëse do të jetë e nevojshme, do të organizojnë sërish protesta.
Pesë fakultete që zhvillojnë mësim në gjuhë të tjera kërkojnë që provimi i jurisprudencës të mund të jepet edhe në gjuhën shqipe, turke dhe angleze.
Ministri i Drejtësisë, në një deklaratë për mediat muajin e kaluar, theksoi se synon të arrijë një zgjidhje moderne, të qëndrueshme nga pikëpamja juridike dhe në përputhje me standardet evropiane, përmes dialogut me studentët dhe fakultetet.
Ai paralajmëroi gjithashtu se kishte kërkuar mendimin e Komisionit të Venedikut për ndryshimet e propozuara në mënyrën e dhënies së provimit të jurisprudencës, me qëllim garantimin e sigurisë juridike dhe përputhshmërisë me standardet evropiane.




