Milionat që trazojnë politikën në RMV!

    Çështja e Alta Bankës ka shkaktuar një tjetër përplasje të ashpër politike mes pushtetit dhe opozitës, me akuza të ndërsjella për transaksione të dyshimta financiare, lidhje politike dhe përgjegjësi për sigurinë e sistemit bankar.

    Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, kërkoi përgjigje nga kryeministri Hristijan Mickoski lidhur me përfshirjen e tij në kërkimin e blerësve për bankën, ndërsa VMRO-DPMNE iu kundërpërgjigj duke rikthyer akuzat për transaksione prej 110 milionë eurosh nga Venezuela gjatë qeverisjes së Zoran Zaevit. Filipçe vuri në pikëpyetje rolin e kryeministrit në procesin e gjetjes së blerësve potencialë për Alta Bankën, duke kërkuar të sqarohet nëse Mickoski po vepron brenda kompetencave të tij institucionale.

    “Në çfarë cilësie kryeministri Hristijan Mickoski thotë se ka gjetur blerës për Alta Bankën? Çfarë është ai, tregtar, ndërmjetës apo person që kërkon blerës potencialë për bankat në vendin tonë?”, pyeti Filipçe në konferencën për media.

    Sipas tij, deklaratat e guvernatorit të Bankës Popullore, Trajko Sllaveski, dëshmojnë se kryeministri ka qenë i informuar për hyrjen e Alta Bankës në tregun bankar të Maqedonisë së Veriut dhe për marrjen e atëhershme të Stopanska Bankës së Manastirit.

    FILIPÇE KËRKON PËRGJIGJE PËR 80 MILIONË EUROT

    Kreu i LSDM-së ngriti dyshime edhe për origjinën e kapitalit të bankës, duke pretenduar se ekzistojnë lidhje me struktura politike dhe financiare në Serbi. Ai përmendi edhe biznesmenin Davor Macura, ndaj të cilit drejtoi akuza për kapital me prejardhje kriminale, duke kërkuar të sqarohet nëse kryeministri ka negociuar me të. Filipçe kërkoi gjithashtu përgjigje për vendimet që, sipas tij, janë marrë në seanca qeveritare, përmes të cilave ndërmarrjet publike kanë transferuar aksionet e tyre në favor të Alta Bankës.

    “Kanë detyrim edhe guvernatori, edhe kryeministri të tregojnë nëse 80 milionë eurot e Alta Bankës këtu në Maqedoni ekzistojnë. A i ka banka paratë? A e kanë qytetarët, kompanitë dhe ndërmarrjet publike kapitalin e tyre apo jo? Kjo është pyetja që kërkon përgjigje”, deklaroi Filipçe.

    Ai kritikoi edhe afatin e paralajmëruar për zgjidhjen e çështjes së bankës, duke theksuar se proceset e blerjes së institucioneve bankare zakonisht kërkojnë analiza disamujore dhe jo vetëm dhjetë ditë. Sipas Filipçes, një procedurë e përshpejtuar ngre dyshime për përpjekje për të fshehur origjinën e parave dhe transaksionet financiare. Ai kërkoi që Prokuroria Publike të përfshihet në shqyrtimin e rastit, duke iu referuar pretendimeve për hetime dhe dyshime lidhur me aktivitetet e bankës në vende të tjera të rajonit. Kreu i opozitës akuzoi gjithashtu kryeministrin se, sipas tij, po rrezikon stabilitetin e sektorit financiar dhe po pengon rrugën evropiane të vendit për të mundësuar transaksione me kapital të dyshimtë.

    VMRO-DPMNE KUNDËRPËRGJIGJET ME 110 MILIONË EUROT NGA VENEZUELA

    Nga VMRO-DPMNE reaguan përmes deputetit Brane Petrushevski, i cili i hodhi poshtë akuzat e opozitës dhe kërkoi që Venko Filipçe dhe ish-kryeministri Zoran Zaev të japin përgjigje për transaksionet financiare të realizuara gjatë qeverisjes së tyre. Petrushevski pretendoi se në vitin 2019, kur Zaev ishte kryeministër dhe Filipçe ministër i Shëndetësisë, përmes Eurostandard Bankës janë realizuar transaksione në vlerë prej 110 milionë eurosh, të cilat, sipas tij, kanë pasur origjinë nga Venezuela.

    “Filipçe dhe Zaev duhet publikisht dhe pa mëdyshje të përgjigjen nëse kanë qenë në dijeni për hyrjen e 110 milionë eurove nga Venezuela në Maqedoni dhe nëse dikush nga pushteti i atëhershëm ka pasur rol në këto transaksione”, deklaroi Petrushevski.

    Ai pretendoi se transaksionet kanë kaluar ose kanë përfunduar edhe në vende si Rusia, Bjellorusia dhe Serbia, duke akuzuar ish-pushtetin për lidhje me ndikime të huaja. . Deputeti i VMRO-DPMNE-së theksoi se, ndryshe nga qeverisja e mëparshme, pushteti aktual po vepron për mbrojtjen e bankës dhe depozituesve.

    “Sot kemi një Qeveri që mbron bankën dhe kursimtarët, e jo që i çon bankat drejt falimentimit apo ua pamundëson kursimtarëve qasjen në paratë e tyre. Ky është dallimi kryesor. Nuk jemi të gjithë njësoj”, deklaroi ai.

    Përplasja politike zhvillohet në kohën kur çështja e Alta Bankës ka ngritur shqetësime për funksionimin e institucionit financiar dhe qasjen e klientëve në mjetet e tyre. Ndërkohë, akuzat e ndërsjella për kapital kriminal, transaksione të dyshimta dhe përfshirje politike mbeten pretendime të palëve, për të cilat në deklaratat e paraqitura nuk janë ofruar prova që do të mundësonin konfirmimin e tyre të pavarur. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Diplomacia, pushteti dhe brezi i ri

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë