Ministri i Jashtëm Bujar Osmani për “Magazina ekonomike” tha se identifikimi i viktimave do të zgjasë plotë shtatë ditë. Sipas Osmanit kufomat nuk mund të vijnë në mënyrën sipas identifikimit të tyre, por do të vijnë të gjithë njëherazi në mënyrë të organizuar nga ana e shtetit të Bullgarisë dhe të Maqedonisë së Veriut. Osmani theksoi se të gjitha shpenzimet do të mbulohen nga shteti.
Osmani potencoi se ai po merret vet personalisht me tragjedinë e “Strumës” si dhe shtatë të mbijetuarit e tragjedisë janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe se dy prej tyre që ndihen më mirë do të kthehen në vend ditën e premte. Të tjerët duhet të presin edhe disa ditë, sepse disa prej tyre kanë ndërhyrje kirurgjikale.
Ministri Osmani tha se kjo tragjedi i kalon të gjitha përmasat e çdo tragjedie dhe se kjo që ndodhi në Bullgari nuk mund të kalojë kaq kollaj. Kjo tragjedi do të risetojë të gjithë sistemin e transportit publik. Sipas tij, ajo që ndodhi në Bullgari ka lënduar zemrat e shumë njerëzve dhe ata nuk mund të lihen pa një shpjegim pas gjithë kësaj që ndodhi. /Nistori/