Formohet këshilli i komunës së Zhelinës, Bujar Baftijari kryesues i këshillit Sot në seancën e radhës të këshillit të komunës së zhelines, Bujar Baftijari është zgjedhur me 10 vota Pro, 8 vota Kundër dhe 1 këshilltar ka votuar i Përmbajtur, njofton Nistori.
Nga komuna thonë se Baftijari vjen nga radhët e Lëvizjes Besa dhe do t’i prijë këshillit komunal. Ai me profesion është ekonomist i diplomuar në universitetin Shën Kirili dhe Metodij në Shkup. Baftijari tashmë gëzon një eksperiencë të gjatë si inspektor Shtetëror i Tregut pranë Ministrisë së Ekonomisë. Baftijari u zgjodh kryetar i këshillit komunal të Zhelinës me mbështetjen e një këshilltarit të ASh-së dhe mbështetjen e këshilltares Edona Hismani (LSDM).
Ndryshe nga LSDM për Nistori thonë se Hismani ka votuar me vullnetin e saj personal dhe për interesa familjare dhe jo konform besimit politik të partisë. Nga ASh nuk kemi ende përgjigje nëse votimi i këshilltarit të tyre ka votuar me “aminin” e partisë apo ka ndonjë marrëveshje ndërmjet ASh-së dhe kryetari të komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu.
“Urime përbërja e re e Këshillit të komunës së Zhelinës, në krye me Bujar Baftijarin nga radhët e Lëvizjes Besa. Falënderojmë të gjithë këshilltarët e komunës së Zhelinës, të cilët në seancën e sotme treguan vetëdije dhe pjekuri të lartë politike, të cilët në vend të pengimit të projekteve të komunës, vendosën për përkrahjen e projekteve që do të jenë në dobi të qytetarëve tanë.” – shkruan Sejdiu në Facebook. /Nistori/