TRANSPORTI PUBLIK NË TETOVË – Edhe sa kohë duhet të presin tetovarët?

    Gazetare | Blerona Jakupi Zylbehari

    PESË AUTOBUSË RRINË NË PARKING, TETOVARËT ENDE PA TRANSPORT PUBLIK

    Edhe përkundër premtimit për funksionim të sërishëm të transportit publik në Tetovë, autobusët e qytetit vazhdojnë të qëndrojnë të parkuar.

    Nga komuna e Tetovës thonë për Nistori se për arsye se Ndërmarrja Publike është në fillimet e kryerjes së përgjegjësive të saja, gjatë gjithë kësaj periudhe janë marrë me sistemimin dhe konsolidimin e saj në bazë të normave ligjore pozitive në fuqi.

    ”Kemi pritur dhe morëm pëlqimin nga Ministria për Shoqëri Informatike dhe Administratë (MShIA) për sistematizim e vendeve të punës. Duke marrë parasysh se shoferët kanë qenë si të punësuar administratorë komunal me kontrata në vepër, është zgjatur edhe periudha e funksionimit të Ndërmarrjes për Transport Publik në terren, në mënyrë që të bëhet sigurimi dhe liçensimi i shoferëve në bazë të sistematizimit” – thonë nga komuna e Tetovës.

    Të pyetur për punësimet e reja në Ndërmarrjen Publike ‘Tetova Transport’, nga komuna deklarojnë se edhe ato nuk janë realizuar, por siç theksojnë, parashihen.

    “Ende nuk janë realizuar punësime, por në bazë të pëlqimit për sistematizim në vendet e punës të marra nga MShIA parashihen punësime, si në administratë ashtu edhe për shoferë, në bazë të konkurseve publike për punësim.”

    Nga ana tjetër qytetarët, ankohen për ndërprerjen e transportit publik. Ata thonë se funksionimi i autobusëve të qytetit, veç të tjerash, do të zbuste kaosin në komunikacion dhe do të ulte dukshëm shpenzimet e qytetarëve.

    “Sa filluam të shfrytëzojmë autobusët, transporti publik u ndërpre. Mendoj se qytetarëve duhet t’iu krijohet një rend që të fillojnë të përdorin transportin publik dhe të ndërpresin automjetet personale” , deklaron Zilbear Zilbeari.

    ”Nëse do të funksiononte transporti publik dhe qytetarët do të linin mënjanë makinat, kaosi në komunikacion do të zbutej dukshëm. Shto, pastaj dhe faktin që do të kishim më pak harxhime”, thekson Denis Miftari.

    ”Uroj të vihet në funksion sa më shpejtë. Tetova ka nevojë për linja të rregullta të autobusëve. Komunikacioni është i dendur, sidomos kur qytetarët shkojnë ose kthehen nga puna”, shprehet Blerim Beqiri.

    Kujtojmë se në seancën e fundit të këshillit komunal, më 24 shkurt, drejtori i Ndërmarrjes Publike ‘Tetova Transport’ Rafiz Mejdia, deklaroi se qytetarët brenda dy javësh do të mund ta shfrytëzonin transportin publik, por deri më sot transporti publik vazhdon të jetë në paralizë.

    Ndryshe, komuna e Tetovës me një kredi prej 1.2 mln euro të marra nga Banka Botërore, gjatë vitit 2021, bleu 5 autobusë për transport publik, ndërsa gjatë këtij viti do të duhet të fillojë me kthimin e kredisë. Transporti publik ishte premtim parazgjedhor i ish kryetares së komunës së Tetovës, Teuta Arifi, që nga viti 2013, por realizimi u bë vetëm në shtator të vitit 2021 dhe atë vetëm për 2 muaj e gjysmë. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Vdes Madeleine Albright, mikja e madhe e shqiptarëve

    Lajmi i rradhës

    TETOVË – INSPEKTORATI KOMUNAL JOFUNKSIONAL, NUK KA KUADËR TË MJAFTUESHËM

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë