Rruga për në “Kozle” assesi të rikonstruktohet, Jakimovski nuk premton asnjë afat kohor

    Nëse shkoni në Spitalin e fëmijëve “Kozle” duhet të kaloni nëpër rrugë të pa rregulluar.

    Ndonëse ish-kryetari i komunës së Karposhit, Stefan Bogoev dhe ish kryetari i Shkupit Petre Shilegov për TV21 patën dhënë disa afate për rikonstruktimin e rrugës, punët asnjëherë nuk nisën. Herën e fundit na thanë se janë ndarë edhe mjete për rrugën e quajtur “Zagrebska”, mirëpo këtë informacion e hedh poshtë kryetarja aktuale e Shkupit, Danella Arsovska.

    “Ajo që e kemi parë është se këtu nuk janë paraparë mjete megjithatë po flasim në mënyrë aktive me kryetarin e Komunës së Karposhit, kjo është në interes të qytetarëve, jo vetëm në interes të fëmijëve dhe familjeve të cilat qëndrojnë aty, por për të gjithë qytetarët e Shkupit që të kemi të gjitha rrugët ku mund të ndihmojmë dhe në të gjitha komunat, ku përmes bashkëpunimit ndërkomunal, marrë parasysh mjetet me të cilat disponojmë, vlerësoj se duhet punuar dhe ndihmuar dhe po kjo është një nga rrugët që e kemi në plan ta realizojmë me bashkëpunim ndërkomunal”, tha Danella Arsovska, kryetare e Shkupit.

    Arsovska na tha se rruga në fjalë është nën kompetenca të komunës, andaj pyetëm kryetarin e Karposhit Stevço Jakimovski se a do të përkujdeset për infrastrukturën rrugore që të çon tek spitali i fëmijëve “Kozle”, por i njëjti nuk premtoi asnjë afat kohor.

    “Momentalisht jo sepse kufiri është në mes të rrugës dhe ne duhet që me bashkëpunim ndërkomunal, së bashku me Komunën Qendër të realizojmë rikonstruktimin e pjesës te “Dva Elena” dhe një pjesë është e jona, aty te kalldrëmi e cila ka punë më serioze, ku duhet që edhe muri mbështetës të rivitalizohet. Para disa ditësh shkëmbyem numrat e telefonit me kryetarin e Qendrës dhe një nga arsyet përse dua që të kemi takim është pikërisht rruga “Zagrebska”, tha Stevço Jakimovski, kryetar i Karposhit.

    Në Institutin për sëmundje të mushkërive “Kozle” në ditë kontrollohen rreth 100 fëmijë nga e tërë Maqedonia. Prindërit që i sjellin për trajtim në këtë spital ankohen vazhdimisht. Spitali “Kozle” u ndërtua në vitin 2015, ndërsa rruga që të çon atje është rreth 500 metra, por në gjendje të keqe, si për makinat edhe për këmbësorët.

    Lajmi Paraprak

    Kovaçevski komenton kërkesat bullgare të Kiril Pektovit

    Lajmi i rradhës

    DERIVATET E NAFTËS | Qytetarët: Çmimet janë shumë të larta, madje në Gjermani më lirë se këtu

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë