Do të ketë hetim të ri për aksidentin e autobusit “Besa Trans” në Bullgari

    Fotografia: Nikolay-DOYCHINOV- AFP

    Familjarët e personave të vdekur dhe të mbijetuarit e aksidentit të autobusit në Bullgari kërkuan hetim paralel për të përcaktuar shkaqet e tragjedisë që tronditi rajonin. Hetuesit nga Perniku nga nesër do ta kontrollojnë sërish vendin, do të analizojnë rrugën, tabelat, kthesat dhe si ka qenë mirëmbajtja e rrugës.

    Sipas avokatit që përfaqëson të dëmtuarit, pjesa fatale e autostradës së Strumës ku ndodhi aksidenti tani duket ndryshe. Ndërkohë, ai tha se agjencia rrugore ka bërë disa ndryshime sa i përket shënjimeve. Siç thotë ai, do të kontrollohet jo vetëm vendndodhja por edhe disa kilometra para dhe pas për të marrë pamjen reale të gjendjes së rrugës.

    Familjet e të lënduarve thonë se fajin nuk mund ta ketë vetëm shoferi i autobusit të Besa Trans, ndërsa përgjegjësi kërkojnë edhe nga Agjencia për Infrastrukturë Rrugore, përcjell Nistori.

    Avokati beson se e gjithë kjo do të tregojë saktësisht se çfarë ka munguar më parë në këtë pjesë rrugore dhe nëse ato mangësi kanë qenë shkaku kryesor i aksidentit.

    Familjet po ngrenë gjithashtu pikëpyetje se çfarë ka ndodhur me sendet personale të të vdekurve, pasi ata pretendojnë se pasagjerët mbanin bizhuteri floriri me vlerë, të cilat as nuk u ishin regjistruar dhe as nuk iu dorëzuan atyre.

    Nga hetimi i dhjetorit rezultoi se shkaku kryesor i fatkeqësisë ishte shpejtësia që nuk ka qenë e përshtatur me kushtet e rrugës.

    Hetimi paraprak në prokurorinë e RMV-së, i cili duhet të përcaktojë se si autobusi Besa Trans ka arritur të kalojë kufirin shtetëror mbi 120 herë me dokumente të falsifikuara, ka muaj që po vazhdon./Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Kovaçevski: Gjyqësori në RMV është i pavarur

    Lajmi i rradhës

    Banorët e rrugës së “UÇK-së” në Reçicë të Vogël vuajnë pasojat e vërshimeve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë