Arbën Xhaferi për Ukshin Hotin

    NE MEGJITHATË, NUK DO TË NDALEMI

    Fjalët e urta në vete ngërthejnë mesazhe të thella, por që në mënyrë të thjeshtë dhe të kuptueshme i qartësojnë dukuritë. Ato nguliten në kokë si skema logjike që formojnë një këndshikim të ri duke hedhur dritë mbi dukuritë që nuk janë vërejtur deri atëherë. Çdokush tenton t’i përvetësojë ato, duke i përdorur si mjete për t’i argumentuar sa më mirë idetë ose për ta lehtësuar depërtimin e mesazheve që i dërgohen auditorit. Ekziston një thënie që u atribuohet shumë prijësve botërorë me të cilën ata kanë dëshiruar ta ngrejnë nivelin e përgjegjësisë së njeriut për shoqërinë: “Pyete veten ç’ke bërë sot për atdheun tënd”.
    “Çka bëmë ne, shoqëria shqiptare, për Ukshin Hotin”? Gjithmonë, pra kur përmendet emri i tij vetvetiu aktivizohet një ndenjë e fajësisë, një brejtje e çuditshme e ndërgjegjes, një vetëdijesim i rrufeshëm për indiferencën e shoqërisë shqiptare për katandinë e mendjeve më të ndritura të kombit. Ukshin Hoti mbase do të jetë mendimtari i fundit në galerinë e ideologëve të shqiptarizmës që nuk arritëm ta mbrojmë nga armiqtë tanë. Një popull mund të konsiderohet se është i formuar, se është i qytetëruar, vetëm atëherë kur është i zoti t’i ruajë vlerat e veta, t’i mbrojë mendimtarët e vet.

    Robëria e gjatë rezultoi me përtharjen e shumë potencialeve të popullit shqiptar duke e shtyrë atë që të jetojë dhe veprojë në kushte të represionit të skajshëm. Armiqtë e popullit shqiptar me agresivitet të paparë parandalonin krijimin e strukturave shtetërore dhe institucioneve që do të ishin bartëse dhe mbrojtëse të interesave dhe vlerave kombëtare. Për t’i kompensuar këto mungesa populli shqiptar nxori nga thellësitë e padorëzuara të shpirtit individë të urtë, të guximshëm, të moralshëm që u shndërruan në institucione intelektuale, politike, morale dhe kombëtare.

    Njëri nga këto personalitete-institucione ishte dhe Ukshin Hoti. Ai si dhe të ngjashmit murgj të kauzës sonë , me qenien , me mendjen, moralin, vetëflijimin e tyre e mbronin kombin, idetë dhe vlerat e tij. Ata u shndërruan në pishtarë që digjeshin për t’ua rrëfyer bashkëkombësve të tyre rrugën e shpëtimit, perspektivës, dinjitetit dhe mëkëmbjes. Sa më shumë që nëpërkëmbeshin ata nga armiqtë e popullit shqiptar, aq më shumë populli shqiptar vetëdijesohej dhe lirohej nga kthetrat e tyre të pamëshirshme. Këta pishtarë ishin të ndërgjegjshëm për koston e atdhetarizmit dhe e paguanin atë me vetëdije, dinjitet dhe krenari. Si mund t’i shpaguajë një popull vuajtjet, golgotën e prometejve të tillë që i sfiduan satrapët dhe përfundimisht i mundën ata? Më së paku, me një çast vetëdije për veprën e tyre madhore, për sakrifikimin e tyre pa hezitime. Liria, shteti, institucionet, vlerat e veçanta kombëtare burojnë nga këto energji prometeike, nga ky altruizëm i këtyre veprimtarëve të paepur të kauzës kombëtare.

    Unë pata nderin që ta njihja Ukshin Hotin që në fillim të brumosjes së tij intelektuale. Takimi im i parë u përket fillimit të viteve 70-ta. Në atë kohë bota vlonte nga energjitë e rinisë, që synonte t’i rrëzojë shtrëngesat e burokracive të ndryshme, komuniste, apo borgjeze. Evropa perëndimore vlonte nga protestat e studentëve që u përhapën dhe në Jugosllavinë e atëhershme, në Beograd, Prishtinë dhe Tetovë. Dy të rinj shqiptar, z Hoti dhe unë, në një kafene të zymtë beogradase bisedonim për çështje politike. Ai tashmë i ishte përkushtuar politikologjisë dhe kishte përgatitur magjistraturën për revolucionin kinez dhe efektet e këtij fenomeni në proceset historike në botë. Gjithsesi nuk më kujtohen detajet nga kjo bisedë disaorëshe, por kam të ngulitur në mendje seriozitetin dhe përkushtimin e tij shkencor. Që në atë kohë krijova përshtypjen se ai do të ketë një perspektivë të madhe, një mision në shoqëri, jo vetëm ngaqë ishte studioz, por ngaqë besonte thellë në atë që thoshte. Parashikimet e mia ishin të sakta. Aftësitë e tij u vlerësuan shumë shpejt nga shoqëria dhe administrata e atëhershme kosovare, të cilët ia besuan postin e sekretarit për marrëdhënie me jashtë të krahinës së atëhershme të Kosovës. Po ashtu mbaj mend edhe atë periudhë kur Ukshin Hoti shkëlqente në punën që e kryente, me plot përgjegjësi, përkushtim dhe profesionalizëm. Ai ishte njeriu i aftë që dallohej lehtë nga burokratët e hirtë të administratës së atëhershme kosovare.

    Në jetën e njeriut shfaqen momente kur ai testohet, vihet në sprovë qenia, personaliteti, intelekti, morali, ideali, bindjet e tij. Populli shqiptar në vitin 1981 hyri në sprovën kolektive dhe individuale. Demonstratat e këtij viti hapën një dilemë të madhe në kampin socialist: e kontestuan modelin e zgjidhjes së çështjeve etnike. Historiografia ende nuk është e vetëdijshme për peshën, për domethënien dhe për rolin e përgjithshëm të këtyre demonstratave. Nëse në Poloni, përmes aktivitetit të Solidarnostit u demaskua pozita e rrejshme e klasës punëtore në shoqëri, në demonstratat e Kosovës u demaskua një gënjeshtër tjetër: zgjidhja e rrejshme e çështjes etnike në formacionet shoqërore komuniste. Ukshin Hoti, i pajisur me njohuri të thella politike, me gjasë hetoi pasojat e thella të këtyre fenomeneve dhe në vend që t’i dënojë, ose të paktën të heshtë si gjithë të tjerët , ai i vetëdijshëm për peripecitë i mori në mbrojtje demonstratat e vitit 1981. Në këtë mënyrë ai e zgjodhi kalvarin në vend të vegjetimit dhe nisi ta mbajë kryqin e bindjeve të tij. Ai nisi ta jetojë politikën e vet, ashtu si shkencëtari që zbulimin e medikamentit shërues së pari e teston në vetvete. Filluan ndëshkimet, dënimet, vuajtjet, dramat familjare, pagimi i kostos për sfidim të rendit rigjid shoqëror, shpagimi i mëkateve të të tjerëve.

    Takimi im i dytë me Ukshinin që më ka mbetur thellë në kujtesë ndodhi në medresenë e Shkupit, ku ishte organizuar një konferencë për çështjen shqiptare. Të ftuar gjithandej tokave shqiptare, historianë, publicistë, letrarë, misionarë të kombit, politikanë etj. Flitej me dhe pa kompetencë. Ukshini shquhej me heshtjen e tij domethënëse, një heshtje që fliste më shumë se retorika e debutantëve agresivë, numri i të cilëve sa vjen e shtohet. Pas përfundimit të seancave, në ambiente të ndryshme të medresesë vazhdonin debatet plot ndjenja. Një kosovar, me gjasë i porsaliruar nga burgu e hapi temën për bashkim kombëtar. Një zdap, një zyrtar rishtak nga Shqipëria, që stononte nga të tjerë përfaqësues nga Shqipëria nuk lë pa ndërhyrë duke thënë se këto broçkulla nacionaliste bien ndesh me realitetet shoqërore duke e përmbyllur ndërhyrjen e tij me fjalinë: A jeni të vetëdijshëm se ka kaluar një muaj që s’ia dal dot të blej një kokërr vezë në treg e ju më flitni për bashkime? E tha këtë fjali në një tavolinë ku kishte ish të burgosur, tek të cilët “vuajtjet” e tilla nuk linin përshtypje. Ukshini e shikoi si mos për ta parë dhe i tha: ”Ne megjithatë nuk do të ndalemi”. Vetëm aq! Dhe ai, me të vërtetë nuk u ndal, ai nuk bëri kompromis me djallin, nuk i tradhtoi bindjet, idealet e tij, ai i kaloi të gjitha testet dhe sprovat në rrugën e Kalvarit. Me qëndrimin dhe angazhimin e tij ai kompensonte të metat tona, qofshin ato individuale apo shoqërore, ai i shpagonte fajet tona dhe ishte i vetëdijshëm për çmimin.

    Ukshin Hoti ka mundur të ketë një jetë fatlume, një kronikë të rehatshme jetësore, por ai zgjodhi rrugën e ndryshimeve të mëdha, rrugë e rojës së zjarrit. Në këtë rrugë ai humbte gjithçka, ashtu si ne që fitonim gjithçka, mbi të gjitha lirinë. Ai bëri shumë për popullin e tij. Tani e kemi ne radhën. /Hejza/

    Lajmi Paraprak

    LSDM: Shkupit po i ndodh një katastrofë

    Lajmi i rradhës

    Kontrabandimi i kafshëve të egra është biznes i madh në RMV, ilegalisht shiten breshka, ngjala, merimanga, zogj, luanë dhe ujqër

    Lajme tjera

    ATDHEU

    Naim Frashëri O Atdhe! Më je i dashur sa më s’kaMë je nënë, më je motër, më je…
    Më tepër

    “Kam mësuar”

    William Shakespeare “Kam mësuar” nga William Shakespeare përbën ndoshta mësimet më të mëdha të dramaturgut tënjohur anglez. Janë mësimet që autori ka nxjerrë përgjatë jetës së tij dhe që vendosi…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë