ARIAN MAVRIQI: FOTOGRAFIA S’ËSHTË VEÇ SHKREPJE

    FOTOGRAFI I BOTËS SË EGËR FLET PËR BISEDAT ME NËNËN PËR FAUNËN SI FËMIJË, FOLENË E LEJLEKUT TË MBUSHUR ME MBETURINA DHE RËNDËSINË E DOKUMENTIMIT.

    Arian Mavriqi, fotograf i cili vjen nga qyteti i vogël i Kamenicës, që nga vitit 2012 dokumenton botën e egër të shpendëve dhe kafshëve në qytet dhe gjetkë në Kosovë. Ai përdor rrjetet e tij sociale dhe emisionin “Wild life me Arian Mavriqin” në televizionin publik të Kosovës, RTK, për ta promovuar llojllojshmërinë e specieve në vend dhe për t’i ngritur njohuritë për to. 

    Jeta në qytetet e mëdha, me gjithë mundësitë dhe perspektivat e mëdha ekonomike, nuk i ra tamam, por jo për shkak të zhurmës e kaosit të qytetit. Që nga fëmijëria u dha pas botës së egër dhe fotografisë. Këtij pasioni vështirë se i gjen vend në qytetet plot me ndërtesa të egra pasi kjo egërsi nuk është e njëjtë me llojin e asaj që Ariani e kërkon me aq përkushtim. Është më e vrazhdë, më e thellë, e natyrshme e plotësisht e gjallë. Këtë vrazhdësi paqësore ia sjellin vetëm viset malore.

    Ndonëse, për njerëzit me përditshmëri të zakonshme, dita mund të fillojë në orën tetë të mëngjesit, për Arianin ky orar është shumë i vonë. Dita për të fillon në gjashtë “të sabahut,” siç ai e quan. Në këtë orar, ai merr rrugën drejt shtigjeve malore të vendeve të ndryshme të Kosovës — rutinë kjo që e ndjek qysh prej fillimeve të karrierës së tij.

    Informacionet e pakta mbi këtë lloj jetese në vendin tonë, ishin shtysa kryesore që pasioni për botën e egër të mos mbetej vetëm pasion, por të kthehej në profesion.

    Në një bisedë me K2.0, Ariani tregoi për momentin që e bën një fotografi të veçantë dhe njohuritë e nevojshme mbi foletë e shpendëve para se t’ia mësyjë fotografimit të tyre.

    K2.0: Na tregoni pak për punën tuaj me fotografi. Jam kurioze ta di se ku ka qenë pikënisja e ngarendjes suaj pas fotografisë? 

    Arian Mavriqi: Ky pasion ka fillu qysh prej viteve 80-ta, si fëmijë, sepse vendi ku jetoj Kamenica, është i rrethuar prej maleve, kemi lumin e qytetit që quhet Lumi i Shtrembërt, kemi edhe një liqe, dhe domosdoshmërisht, na jep mundësitë që të kemi mundësi të mira për botën e egër, pra për pjesëtaret e ornitofaunës, pra shpezëve dhe shtazëve të egra. Atëherë si fëmijë, kur i sheh më shumë, e vëren se ke dëshirë me i pasqyru. Unë s’kam mund në atë kohë, pasi që s’kam pasë mjetet e duhura, edhe atëherë ashtu ka qenë edhe koha.

    Kjo pjesa e kohës po me intereson, për çfarë arsye nuk keni mund t’i siguroni mjetet e duhura? Pasi që e dëgjova në një intervistë, me e posedu një aparat fotografik në atë kohë ka qenë shumë problem.

    Ka qenë shumë problem, unë ende edhe sot e kam problem, për shembull nuk mbërri me fotografu në hapësirat ku jetojnë komunitetet pakicë sepse paragjykojnë. Para pak kohe e pata një problem ku njëri mu afrua dhe më tha pse po fotografon? Iu duk shumë absurde, sepse unë isha duke provu me kapë larg, në qiell, isha afër hapësirës së tij private. Kështu që, kur ende edhe sot kemi problem, po imagjinoje para 30 vite më parë, për ata që kanë pasë një aparat ka qenë sfidë sepse të kanë marrë në pyetje. Ke mund të akuzohesh shumë lehtë për spiunim, a çka po di, pasi që ka qenë regjimi siç ka qenë. Por edhe po të kishe mundësi ka qenë rrezik dhe sfidë.

    Mandej pas luftës [në Kosovë], 99-tën fillova me punu gazetar në Radio Kamenica. Ishte me financimin apo donacionin e KFOR-it amerikan dhe UNMIK-ut, ku punova për 6 vite, dhe 6 vite të tjera kam punuar koordinator në Qendrën Rinore Multietnike në Kamenicë. Dy organizata të përbashkëta [ndërkombëtare] financonin Qendrën Rinore për krijimin e marrëdhënieve të mira ndëretnike dhe kishin programe të ndryshme për të gjitha grupet etnike që jetojnë këtu, aktivitete siç ishin organizimi i lojrave të ndryshme sportive, kurse, gjuhët kush dëshironte t’i mësonte, art e të tjera.

    Nga viti 2012 mbetëm pa punë, shkoj organizata, u mbyll në shkurt, dhe pata një lokal timin, për një vit, dhe aty mu rikthye pasioni. Mu rikthye pasioni për ta dokumentuar faunën, më interesojke, sepse më herët si fëmijë, krejt çka kam mund me bisedu me nënën, ka qenë me i tregu që po i shoh do shpezë, e do specie që po i shoh, mirëpo jo diçka më tepër. Me ia përshkru ngjyrën, fluturimin mirëpo jo edhe jetën të cilën e zhvillojnë. Nuk kisha informacione, ishin po thuajse minimale për ornitologjinë, Ornitologjia është shkenca e cila merret me studimin e shpezëve. Pra, kisha informacione thuajse fare e hiç për shpezët.

    Në vitin 2012/13 fillova t’i rikthehem pasionit ku fillimisht karrierën time si fotograf e kam filluar me një telefon celular, Galaxy S4, në atë kohë, ku me të fotografoja disa insekte, peisazhe, edhe e përdorsha një metodë për disa xhirime, për shembull e leja telefonin në strofull të harabelave, kjo ishte e vetmja metodë për me kapë për disa sekonda, mandej me u kthy prapë pas disa minutave me e kontrollu telefonin, se s’kisha mundësi të tjera, aparat apo kamera profesionale nuk kisha.

    Pastaj e pashë që njerëzit nuk ia kanë idenë më të vogël për botën e egër, për speciet e llojet që jetojnë këtu. Kurrë nuk e harroj në vitin 2014 e kam postu një fotografi të një specie që është qafka e natës, edhe ka qëndru aty në llogarinë time në Facebook për 2-3 muaj, dhe askush nuk ishte në gjendje të më përgjigjej për cilën specie bëhej fjalë. Aty e pashë që ka mungesë në informacion dhe fillova me iu përkushtu thuajse 100% punës sime, fotografive të botës së egër.

    Pastaj e bleva një aparat me një objektiv adekuat, duke i pasqyru, duke i postu, njerëzit mahniheshit me këto specie që i kemi, më kontaktonin mediat, shumë mediume me intervistonin, interesoheshin se ku i kam fotografu, për me e ditë vërtetësinë a janë realisht. 

    Në 2015, e mbajta një ekspozitë timen me fotografi, ku pastaj shumë njerëz kishin spekulu se fotografitë nuk janë të miat, i kam marrë në Google.

    Shqiponja osprey e kapur me lensin e fotografit, Arian Mavriqi.

    Në këtë epokë sikur jemi obsesionuar me fotografitë. Më shumë se kurrë syri ynë përballet me imazhe nga më të ndryshmet, nga fotografitë personale në rrjete sociale, ato në media e deri tek ato të fotografëve profesionistë që kapin momente të veçanta. Por, edhe më shumë se kurrë jemi të obsesionuar me fotografitë që i bëjmë vetë, qoftë të vetes, qoftë të diçkaje që na rrethon. Sipas jush, çka po ndodh me artin e fotografisë sot?

    Mundësitë janë shumë më të mira, njerëzit kanë mundësi edhe me një telefon celular me e bo një fotografi kualitative. Pra, në ditët e sotit secili njeri ka një aparat. Unë shumë shpesh disa fotografi të peisazheve i bëj edhe me telefon celular. Por mungon ai syri artistik te shumica e fotografëve, për arsye se, po kam frikën se po e marin vetëm se ta bëjë një shkrepje, ta bëjë atë gjë i pari, mirëpo pa e shiku cilësinë apo atë anën artistike, e kjo nuk është në rregull. Do të thotë është me rëndësi synimi për zhanrin e fotografisë që e ka çdo fotograf, me qenë fillimisht cilësor, me i pa njerëzit fotografitë deri në detajet më të vogla. Jo vetëm me “hek gajle” thënë kushtimisht, apo sa për me e shkrepë një foto. Pra ka shumë fotografë, por për fat të keq momentalisht ka pak kualitet. 

    Unë besoj që mundësitë i kanë të jashtëzakonshme tash. Veç nëse futesh në Youtube, për zhanrin që ti ke dëshirë, i ke me mijëra video që të japin leksione se si duhet fotografu, apo çka është artistike. Pra janë mundësitë shumë më reale për dallim prej kohës dikur që nuk i kanë pasë krejt mjetet. Ju e dini, ata të cilët kanë qenë për studimet në fotografi apo art [në UP në vitet e para të pasluftës], një libër e kanë pasë disa studentë, të cilën e kanë bërë kopje. Edhe ka lehtësira shumë, pra tash ke mundësi me e pa nji fotografi a është mirë apo jo edhe me e shkrepë prapë, gjë që para një kohe nuk ke pasë mundësi ta bësh. E ke shkrepë, ka dalë mirë, s’ka dalë mirë, ka dështu, kaq!

    Për shembull, unë, nuk ka person deri më sot, i cili më ka pyet privat për zhanrin për të cilin jam profesionist, pra wild-life photography [fotografi e jetës së egër], që nuk jam përgjigjë, e nuk ia kom tregu në realitet se si bëhet kjo fotografi vetëm se a ke dëshirë. 

    A ka rëndësi ngjyra te fotografitë e juaja? A mundoheni, ta zëmë, ta fotografoni shpendin e t’i nxjerrni në pah ngjyrat e flatrave të tij, apo mundoheni ta kapni fotografinë të plotë bashkë me objektet për rreth për me nxjerrë diçka të bukur?

    Po, është teknikë speciale që përdoret për fotografitë e wild-life, shpendëve. Sepse për me e fotografu një zog që shkon diku ndoshta mbi 200km në orë, në shpejtësi në fluturim, nuk është njejtë sikur me fotografu një njëri që rri dhe të sheh. Zhanri i fotografisë wild-life është zhanri më i vështirë i fotografisë për t’u realizu. Prandaj kërkon edhe një fokus në kafshën, shtazën. Fokusi kërkohet në detajet e ngjyrave, në fluturim se si do të fluturojë. Për shembull, unë bëj edhe video sepse kam pasë dëshirë që njerëzit të dëgjojnë edhe tinguj të tyre, të jenë më brenda ngjarjes. Varet nganjëherë edhe çka kërkon fotografi, por në shumicën kërkohet kjartësia e asaj kafshe të cilën ti e dëshiron.

    Kur vendosni me fotografu, ta zëmë një lloj të lejlekëve, a interesoheni fillimisht për jetesën e tij, për shembull kohën kur shtegëton, apo mënyrën e jetesës dhe pastaj e ruani që ta kapni momentin?

    Fillimisht ne [fotografët] marrim informacione, sepse nganjëherë edhe i shqetëson, pra mundësh me kriju ma shumë probleme se që bën hajër. Nuk guxojmë me shku shumë afër foleve të tyre, shumë afër me i shqetësu, sidomos të folenizimeve; pra e kemi limitin deri ku guxojmë si fotografë me shku afër, edhe marrim informacione vazhdimisht. Tashmë nuk kemi nevojë sepse i kemi mësu [këto informacione për shpendë të ndryshëm], është shumë me rëndësi me i mësu dhe me i mbajtë mend. Por, fatmirësisht [ne fotografët] kemi njerëz të cilët na janë përgjigjë në pyetjet tona, me i marrë vesh kohet e shtegëtimit, kur kthehet për shembull shqiponjën osprey e ka një periudhë kur ajo vjen në Kosovë. Është pra kalimtare, duhet me e ditë atë kohë kur, për me shku e me e fotografu, sepse nuk mundesh tash, tash atë nuk e gjen në dimër. 

    Pra i merr këto informacione mbi vendin se ku rrinë, ku ushqehen. Në një farë forme bashkëjetojmë me ato deri sa ta kapim momentin. Bashkëjeton edhe i mëson edhe vendet, foletë, dinë me e bo dallimin e disa vrimave, për shembull cila është e qukapikut, cila është e pupëzës, cila është e bletëngrënësit. Dikush mund të thotë se folenizon në vrima, po atëherë çfarë vrima, a në lisa, apo në pellgje të ndryshme, shkurre. Të gjitha këto dallojnë, krejt duhet me i mësu për me ditë se çka donë me fotografu.

    Fotografia cilësohet lloj i veçantë i artit. Fotografia di të jetë punë pafundësisht komplekse. Si fotograf, çka i dallon fotografitë me potencial për të qenë unike nga ato ordinere, dhe cilat janë metodat që ju i përdorni për ta kapur një moment të veçantë dhe a është sfiduese me realizu diçka të tillë?

    Momenti. Është shumë me rëndësi. Sepse fotografia dallohet. Një fototgraf artistik shumë lehtë e dallon arsyen e unikes ndaj asaj ordinere.Thjesht, artisti i fotografisë duhet me e gjetë momentin më unik të mundëshëm. Moment unik është edhe një fëmijë kur qan për diçka, moment unik është edhe një i moshuar kur përqafon një mbesë apo nip të tij. Është moment artistik, për dallim nga kapja e momentit mes dy presidentëve duke shtrënguar duart. Krejt këto momente dallojnë, unë mendoj që kjo është diçka që duhet me u mbajtë mend.

    Pupëza e kapur me lensin e fotografit, Arian Mavriqi.

    Në punën tuaj, fotografia dhe mjedisi bashkekzistojnë. Por, përderisa teknika e fotografisë po avancon çdo ditë e më shumë, në anën tjetër mjedisi po degradohet. Gjendemi përballë një krize klimatike. Fotografitë tuaja, na njohin edhe me gjallesa të cilat ndoshta rrezikohen nga kjo krizë. Sa mundoheni ta përdoni mediumin tuaj, pra fotografinë që t’i shtyni tutje çështjet e ambientit?

    Postimet e mia [në rrjete sociale] gjithmonë i ndërlidhi me pastrimin e ambientit. Dje hiç më pak e pata një video për largimin e një qeni të ngordhur prej lumit të qytetit të Kamenicës. Unë çdo ditë, bashkë me fëmijët e mi, marrim iniciativa bashkë, edhe pastrojmë vende të ndryshme. Pra, nuk është misioni im vetëm fotografia por edhe ndërhyrja në ato vende ku duhet me ndërhy. Pra, mesazhet që i përçoj kanë qenë gjithmonë nëpërmjet fotografisë, për shembull me foletë, ku lejleku ka ndërtu folenë dhe thuajse 30% e folesë së tij është me mbeturina.

    Gjithmonë me fotografi tentoj ta tregoj atë vrazhdësinë, por edhe të bukurën e këtij vendi ku duhet me ndërhy shteti por fillimisht ne, sepse edhe ne duhet ta ndryshojmë vetveten tonë pastaj kalojmë tutje te shteti. Nuk do të thotë të shkrepësh gjithmonë, por duhet edhe me vetiniciativë me pastru edhe me dërgu një mesazh. 

    A ndiheni keq kur i shihni kafshët dhe shpezët në këtë rast që po jetojnë në ato mjedise?

    Ta lëndon shpirtin. Ta këput shpirtin. Por po besoj se jemi në rrugë të duhur për ta vetëdijesu këtë popull. Duhet me pasë iniciativa pandërprerë, duhet me besu fillimisht se mundemi me ndryshu. Pastaj rezultatet vijnë patjetër. Unë jam optimist se me fotografitë tona, me videot, gjendja po ndryshon. Për mua është kënaqësi kur më thërret një gjuetar në telefon, dhe më thotë, e kisha në shënjestër një kaproll por nuk desha me e vra, sepse kur mu kujtove ti Arian, çfarë postime bën, çfarë foto, nuk pata fytyrë me gjuajtë në të. Kjo është e rëndësishme. Impakti i fotografisë. Mesazhi që e përçon tek populli, pavarësisht nëse bëhet fjalë për ambientin apo gjuetinë ilegale apo çka do tjetër.

    Përderisa jeni duke i kapë kafshët përmes lensit tuaj, qoftë përmes fotografisë apo xhirimeve, duket se qëllimi juaj nuk është thjesht të kapni një imazh, por edhe sikur dëshironi të hidhni dritë mbi mënyrën e jetesës së tyre, çka duket se ju impresionon. Cila ka ardhë përpara për ju, pasioni për botën e egër apo për fotografinë? 

    Mendoj se të dyjat, për arsye se kur kom fillu me e pa veten se unë nuk jam për një jetë urbane, vend ku ka zhurma, ku ka makina. Unë jam për një qytet siç është Kamenica, i qetë, ku ka shpezë që i sheh, që jeton me to, në përditshmëri, automatikisht me atë ndjenjë lind edhe dëshira për dokumentim. Nuk kisha mund me i nda, këto dyja shkojnë aq mirë me njëra tjetrën sa që është e pamundur me i nda.

    Dihet që tek ne arti i fotografisë gjen pak përkrahje institucionale dhe dihet se mjetet për fotografi profesionale kushtojnë goxha shumë. Sa ju bije të shpenzoni për t’i siguruar mjetet tuaja? 

    Kam shpenzu shumë, e kam përfitu pak. Për fat të keq, po vazhdon akoma që fotografia, dokumentimi nuk po llogaritet si vlerë, në të cilën duhet me investu. Po shpresojmë, por deri më tani kemi pasë shumë pak mbështetje, minimale, që është problem shumë i madh tek ne, për fat të keq. 

    Përpos, ministrisë së kulturës, munden presidenca, kryeministri, kryeparlamentari krejt e kanë vijën buxhetore për me ndihmu. Me e futë në librat e biologjisë faunën tonë, me fotografitë tona, direkte që i kemi.

    Ky artikull është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista u zhvillua në gjuhën shqipe.

    Lajmi Paraprak

    Rrëfimi prekës nga Afganistani, gjendet foshnja që u filmua duke ia dorëzuar një ushtari përmes rrethojës gjembore

    Lajmi i rradhës

    Rama e quan “shfaqje mesjetare” sulmin ndaj godinës së Partisë Demokratike

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë