Provimi i Jurisprudencës / Nga shqipja te “modeli shumëgjuhësh”!

    Kërkesa për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, e cila nisi si një nismë e drejtpërdrejtë e studentëve shqiptarë që studimet juridike i ndjekin në shqip, tashmë po merr një dimension tjetër institucional. Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, në vend që ta trajtojë vetëm kërkesën e studentëve shqiptarë, e ka vendosur atë në një kuadër më të gjerë, duke përmendur edhe kërkesa për provim në gjuhën angleze dhe turke.

    Në fillim të vitit, 385 studentë shqiptarë nga Fakultetet Juridike të Universitetit të Tetovës, Universitetit të Evropës Juglindore dhe Universitetit “Nënë Tereza” nënshkruan peticion për mundësinë që provimi i jurisprudencës të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe, pra në gjuhën në të cilën ata i ndjekin studimet. Kërkesa ishte përcjellë te Ministria e Drejtësisë dhe institucionet e tjera kompetente dhe më pas u shoqërua edhe me protesta publike. Studentët e kanë paraqitur çështjen si problem konkret të barazisë në arsim dhe në qasjen drejt profesioneve juridike. Në shkurt, iniciatorët e peticionit argumentonin se studentët mësojnë literaturën dhe terminologjinë juridike në shqip, ndërsa provimi zhvillohet në maqedonisht, çka, sipas tyre, krijon vështirësi shtesë.

    Tani, megjithatë, çështja po merr një formulim tjetër. Sipas Shasivarit, në Ministrinë e Drejtësisë kanë arritur pesë kërkesa nga organizata studentore. Tri kërkojnë provimin në gjuhën shqipe, një në anglisht dhe një në anglisht dhe turqisht. Shasivari thotë se kjo nuk duhet parë si çështje politike apo etnike, por si çështje juridike, profesionale dhe institucionale. Në deklarimin e tij të fundit, ai theksoi se zgjidhja duhet të ndërtohet mbi standarde të njëjta profesionale, pavarësisht gjuhës. “Për këtë periudhë janë dorëzuar pesë kërkesa nga pesë asociacione studentore. Tri kërkojnë në gjuhën shqipe, një kërkon në gjuhën angleze dhe një kërkon në gjuhën angleze dhe turke. Meqë në këto pesë universitete zhvillohen studime juridike të ciklit të parë dhe të dytë, përkatësisht studime master, në gjuhët që përmenda, pra përveç gjuhës maqedonase edhe në shqip, anglisht dhe turqisht, në këtë drejtim rëndësi kanë edhe standardet ndërkombëtare dhe evropiane. Respektimi i tyre është shumë i rëndësishëm në raport me këtë qasje gjithëpërfshirëse”, deklaroi ministri.

    Shasivari nuk dha detaje për modelin konkret, por përsëriti se ai do të jetë kushtetues, ligjor dhe në përputhje me rregullat evropiane.

    KODI PENAL DHE ZGJEDHOR

    Krahas provimit të jurisprudencës, Shasivari njoftoi se po punohet edhe për ndryshimet në Kodin Penal. Sipas tij, grupi punues është mbledhur dhe dokumenti pritet të dërgohet për mendim deri në javën e parë të tetorit. “Jemi në përgatitjen e Kodit Penal. Grupi punues u takua dje dhe presim që deri në javën e parë të tetorit ta dërgojmë për mendim”, tha Shasivari.

    Ai shtoi se më pas ligji do të dërgohet në procedurat e mëtejshme institucionale për miratim. Për Kodin Zgjedhor, ministri paralajmëroi takime me përfaqësuesit e partive politike, grupeve parlamentare, deputetëve dhe aktorëve të tjerë të përfshirë në proces. “Kodi Zgjedhor miratohet me konsensus dhe duhet të vendoset dialogu dhe partneriteti me të gjithë përfaqësuesit e partive politike dhe aktorët që janë të rëndësishëm në atë proces”, tha ai.

    Shasivari paralajmëroi se në periudhën në vijim do të zhvillojë takime me përfaqësuesit relevantë politikë dhe parlamentarë, me qëllim përmbylljen e procesit.

    REFORMAT EVROPIANE

    Duke folur në forumin “Kontributi i dialogut të strukturuar në procesin e integrimit evropian të Republikës së Maqedonisë së Veriut: nga ‘themelet’ dhe më tej”, Shasivari tha se integrimi evropian duhet të kuptohet si transformim i institucioneve dhe shërbimeve publike dhe jo vetëm si harmonizim i legjislacionit. “Integrimi evropian nuk është vetëm harmonizim i legjislacionit. Ai është transformim i institucioneve, i mënyrës se si punojmë dhe i mënyrës se si qytetarët i ndiejnë rezultatet e reformave”, tha ai.

    Sipas Shasivarit, dialogu i strukturuar ka rëndësi sepse i vendos reformat në një kuadër më të gjerë evropian, ku lidhen sundimi i ligjit, kapaciteti institucional, burimet njerëzore, digjitalizimi, qëndrueshmëria financiare dhe cilësia e shërbimeve publike. “Përmes Agjendës së Reformave, reformat janë të lidhura me masa konkrete, afate dhe rezultate. Detyra jonë është që këto rezultate të mos mbeten vetëm në dokumentet strategjike, por të bëhen të dukshme në funksionimin e institucioneve dhe në shërbimet që marrin qytetarët”, tha Shasivari.

    Ai theksoi se vendi tashmë është pjesë e mekanizmave më të gjerë evropianë për sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe mbrojtjen e të drejtave themelore. “Për herë të parë duhet t’i përgjigjemi në mënyrë sistematike jo vetëm pyetjes se çfarë duhet të reformojmë, por edhe sa kushton kjo, me çfarë burimesh njerëzore disponojmë dhe çfarë kapaciteti institucional na nevojitet që reformat të funksionojnë realisht”, theksoi ministri.

    Në këtë kuadër, ai përmendi edhe transformimin digjital të gjyqësorit dhe përgatitjen e një strategjie të re për teknologjinë informative dhe të komunikimit, me synim krijimin e një sistemi gjyqësor modern dhe të integruar, procedura më efikase, transparencë më të madhe, menaxhim më të mirë të lëndëve dhe qasje më të lehtë në drejtësi. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Kodi Zgjedhor nuk kalon në vlerësim, Gjykata nuk hap procedurë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë