Diplomaci me fotografi!

    Vizitat në Uashington dhe Nju Jork shpesh kanë edhe një politikë të dytë, atë të fotografive. Një shtrëngim duarsh mund të bëhet “takim historik”, një bisedë e shkurtër mund të prezantohet si “dialog i nivelit të lartë”, ndërsa një grant zhvillimor mund të shndërrohet në simbolin kryesor të një vizite shtetërore. Pikërisht këtu nis edhe debati në skenën politike vendore: ku përfundon diplomacia dhe ku fillon marketingu politik?

    Kryeministri Hristijan Mickoski, gjatë qëndrimit në SHBA, e paraqiti komunikimin me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, si dëshmi të rëndësisë së partneritetit strategjik mes Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së. Sipas Mickoskit, komunikimi i drejtpërdrejtë në nivel të lartë politik krijon mundësi për shkëmbim qëndrimesh, thellim të marrëdhënieve dypalëshe dhe forcim të pozitës së vendit si aleat i qëndrueshëm dhe i besueshëm.

    Por opozita e lexoi të njëjtën pamje ndryshe. LSDM-ja akuzoi qeverinë se një komunikim i shkurtër me Rubion është paraqitur si takim i nivelit të lartë, duke e cilësuar vizitën si të kushtueshme dhe me rezultate më të kufizuara nga ato që ishin paralajmëruar. Në këtë linjë, Andrej Zhernovski kritikoi mënyrën e prezantimit të fotografive dhe takimeve, duke argumentuar se një bisedë e shkurtër nuk duhet të prezantohet si negociatë e plotë politike.

    “Nuk më kujtohet që ndonjë president, kryeministër apo ministër, pavarësisht nëse ka qenë nga VMRO-DPMNE-ja apo LSDM-ja, të jetë prezantuar në këtë mënyrë. Në fotografi, Mickoski dhe ministri janë ulur në një ‘stol gomari’, në një qoshe, dhe si qytetar më vjen keq ta shoh këtë”, tha Zhernovski. Ai theksoi se incizimi i takimit me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, mund të futet në rubrikën “video shqetësuese”, duke vlerësuar se paraqitja e një takimi prej vetëm 40 sekondash si një bisedë ku janë zhvilluar diskutime për Dialogun Strategjik është “jashtëzakonisht joserioze”. “Por ajo që është mirë është se më në fund ra gënjeshtra për njëfarë perimetri në të cilin kryeministri Mickoski na bindte se ndodheshim, duke qenë se ai personalisht qenka mik i madh me Trumpin e kështu me radhë. Ajo që pamë është periferia në të cilën ndodhemi sot si shtet”, konsideron Zhernovski.

    Reagime rreth vizitës së delegacionit qeveritar në SHBA dhe takimeve, ka pasur edhe nga PLD e cila i përshkruan ato si “përralla fëmijësh që kanë një rregull: në fund, heroi gjithmonë fiton”. Sipas PLD -së, “në përrallat politike të ‘Shefit të Elitës’ duket se mjafton vetëm të ‘realizosh një takim’, të përshëndetesh dhe menjëherë nga kjo të bësh një sukses historik diplomatik”.

    “Prandaj, duam t’i demaskojmë publikisht deklaratat që pasqyrojnë disponimin e vërtetë, në vend të PR-it që na servojnë: Gënjeshtra 1: ‘Biseduam me Marko Rubion, sepse jemi partnerë strategjikë’. E vërteta 1: ‘U përshëndetëm në këmbë, ndërsa ai as nuk më njohu (kjo shihet në video), ndërsa se me kë Rubio ka zhvilluar takime formale mund të shihet në faqen e internetit të Departamentit të Shtetit’. Gënjeshtra 2: ‘Patëm takim të dakorduar me industrinë ushtarake amerikane’. E vërteta 2: ‘Një kompani nga Shkupi publikoi vetë njoftim se e kishte organizuar takimin dhe kështu shkruan edhe në baner, ndërsa ata kanë ftuar mysafirë, kryesisht konsulentë’. Gënjeshtra 3: ‘Dakorduam investime në ekonominë maqedonase’. E vërteta 3: ‘Nuk është dakorduar asgjë, por po bëjmë prezantim të mundësive, në të cilat, sinqerisht, na tejkalojnë edhe fqinjët edhe vendet anëtare të BE-së’. Gënjeshtra 4: ‘E përfaqësojmë Maqedoninë me dinjitet në takime të rëndësishme në BE’. E vërteta 4: ‘U përshëndetëm me Vuçiqin, patëm takim me Janez Janshën dhe në mënyrë të sjellshme u përshëndetëm edhe me të tjerët që janë këtu, si Ursula dhe Antonio’”, thanë nga Partia Liberaldemokratike.

    Për PLD -në nuk është kontestuese që Maqedonia duhet të ketë marrëdhënie të forta me SHBA-në. Përkundrazi, thonë ata, pikërisht për këtë arsye kërkojnë që këto marrëdhënie të ndërtohen seriozisht, institucionalisht dhe me rezultate të matshme. “Maqedonisë nuk i duhet një Qeveri që çdo përshëndetje e shndërron në sukses historik, por një Qeveri që punon në interes të qytetarëve dhe një Qeveri që do të tregojë marrëveshje të nënshkruara, investime të realizuara dhe vende të reja pune”, theksuan nga kjo parti.

    Kështu, një skenë diplomatike u shndërrua në një tjetër betejë politike të brendshme: pushteti e sheh fotografinë si dëshmi të komunikimit me Uashingtonin, opozita e sheh si dëshmi të nivelit të atij komunikimi.

    Në anën tjetër, ekziston një rezultat konkret financiar që lidhet me projektin për antimonin në Krstov Dol, pranë fshatit Luke në zonën e Kriva Pallankës. Korporata amerikane DFC ka siguruar 5 milionë dollarë për zhvillimin e projektit të kompanisë Pela Global. Marrëveshja është reale, por fondet lidhen me fazën e zhvillimit, vlerësimit teknik, studimeve dhe përgatitjes së projektit, jo me një minierë tashmë funksionale. Pikërisht këtu qëndron një dallim i rëndësishëm. 5 milionë dollarët janë financim për zhvillimin e projektit, ndërsa realizimi eventual i eksploatimit kërkon studime, fizibilitet ekonomik, procedura ligjore dhe vlerësime mjedisore.

    Qeveria e sheh antimonin si një mundësi ekonomike dhe strategjike, veçanërisht për shkak të përdorimit të tij në industri strategjike dhe të mbrojtjes. Projekti tashmë është futur në kuadrin e bashkëpunimit ekonomik SHBA–Maqedoni e Veriut. Por opozita ka ngritur pikëpyetje për pasojat e mundshme në mjedis, ujë dhe shëndetin e banorëve, duke kërkuar debat më të gjerë publik dhe duke e lidhur çështjen me nevojën për garanci të forta mjedisore. Kjo nuk është vetëm përplasje politike: vetë projekti është ende në fazë zhvillimi dhe studimet përfundimtare duhet të përcaktojnë nëse dhe në çfarë kushtesh mund të realizohet.

    Në thelb, debati për vizitën e Mickoskit në SHBA nxjerr në pah një fenomen që nuk është i ri në politikën vendase: fotografitë që realizohen në këto vizita perceptohen ndryshe, varësisht se kush ndodhet në pushtet dhe kush në opozitë. Kur një qeveri takohet me një zyrtar të lartë amerikan, pushteti e sheh si afirmim të pozitës ndërkombëtare të shtetit. Opozita kërkon të dijë kohëzgjatjen, formatin, përmbajtjen dhe rezultatet konkrete të takimit. Kur rolet ndryshojnë, shpesh ndryshon edhe fjalori politik. Prandaj, çështja kryesore nuk është vetëm nëse Mickoski u takua me Rubion, por çfarë është prodhuar realisht nga ai komunikim. As nuk është vetëm çështja nëse ekzistojnë 5 milionë dollarët për antimonin, sepse financimi është i dokumentuar, por çfarë do të sjellë ai projekt për ekonominë, komunitetin lokal dhe mjedisin nëse kalon nga faza e studimeve në fazën e realizimit.

    Në fund, vizita amerikane mbetet e ndarë mes dy narrativave: për qeverinë, një hap drejt forcimit të partneritetit strategjik me SHBA-në; për opozitën, një vizitë e shoqëruar me më shumë propagandë politike sesa rezultate konkrete. Faktet që do ta mbyllin këtë debat nuk do të jenë fotografitë, por marrëveshjet, investimet dhe projektet që do të materializohen në muajt dhe vitet në vijim. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Provimi i Jurisprudencës / Nga shqipja te “modeli shumëgjuhësh”!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë