Burim Myftiu
Në Galerinë FAB në Tiranë është hapur ekspozita më e re e fotografit Albes Fusha, një projekt që buron nga një angazhim i gjatë me pelegrinazhin bektashi në malin e Tomorrit. “Le të Fillojë Gjuetia” përmbledh mbi njëzet vjet ndjekjeje të këtij riti, duke e shndërruar dokumentimin fillestar në një cikël të konsoliduar artistik.
Përmes një qasjeje të heshtur dhe të afërt, Fusha nuk qëndron si vëzhgues i jashtëm, por ecën me pelegrinët, ndan ritmin dhe përvojën e tyre. Fotografitë e tij ndalojnë në momentet e intensitetit të brendshëm, aty ku përkushtimi individual bëhet përjetim kolektiv.
Ekspozita trajton sakrificën, devotshmërinë dhe besimin si përvoja që kalojnë përmes trupit dhe kohës. Riti shfaqet si një hapësirë ndërmjetëse, ku përditshmëria pezullohet dhe vetëdija zhvendoset. Titulli i ekspozitës i referohet pikërisht këtij intensiteti, një akti të përbashkët që për një javë i vendos besimtarët në një dimension tjetër përjetimi.






