Portali Nistori ka realizuar një intervistë me këngëtarin Kushtrim Ahmeti, një nga zërat më të formuar të muzikës popullore-qytetare shqiptare. Në këtë bisedë, Kushtrimi flet për projektin e tij më të ri “Hape edhe një shishe tjetër”, raportin me traditën, këndimin live, rrugëtimin e tij artistik dhe jetën në Tetovë, si dhe pritshmëritë për vitin 2026.
Nistori: projekti “Hape edhe një shishe tjetër” është një projekt i veçantë për nga stili dhe formati. Çfarë mund të na tregoni më shumë për të?
Kushtrim Ahmeti: projekti “Hape edhe një shishe tjetër” është një projekt i veçantë për mua. Kjo këngë është ndërtuar mbi stilin popullor-qytetar, një stil që e ndiej dhe e kultivoj me shumë dashuri. Megjithëse ka elemente moderne në realizim dhe në klip, baza e saj mbetet tradicionale, me emocion dhe shpirt popullor. Realizimi i këngës dhe klipit është bërë me shumë kujdes, duke ruajtur autenticitetin, por edhe duke e sjellë këngën në një format të përshtatshëm për kohën e sotme. Besoj se publiku do ta ndiejë këtë sinqeritet dhe do ta pranojë si një këngë që dëgjohet me zemër.
Nistori: të gjithë e dijnë se Kushtrimi nuk është ‘këngetar rasti’, por një artist i formuar. Kultivoni këngë popullore – qytetare, por edhe të zhanreve tjera. A ndihesh më shumë si interpretues apo si ruajtës i traditës?
Kushtrim Ahmeti: nuk jam “këngëtar rasti”, por artist i formuar. E dua muzikën popullore-qytetare, por nuk kufizohem vetëm aty. Ndihem njëkohësisht si interpretues dhe si ruajtës i traditës. Tradita duhet respektuar, por edhe përshtatur me kohën. Për mua, interpretimi është përgjegjësi dhe mision.
Nistori: kush janë bashkëpunëtorët e Kushtrimit?
Kushtrim Ahmeti: bashkëpunëtorët e mi janë njerëz profesionistë dhe të përkushtuar. Punoj me kompozitorë, tekstshkrues dhe muzikantë që e duan muzikën po aq sa unë. Bashkëpunimi për mua nuk është vetëm punë, por edhe respekt dhe energji pozitive.
Nistori: ju këndoni kryesisht live. A është kjo matësi më i drejtë i një artisti?
Kushtrim Ahmeti: këndimi live është matësi më i sinqertë i një artisti. Live nuk ka filtra. Aty shihet përgatitja, zëri, emocioni dhe lidhja me publikun. Unë e dua live-in sepse aty ndihem më i vërtetë.
Nistori: keni studiuar në Universitetin e Tetovës dhe mentor i diplomimit ishte Kastriot Tusha. Çfarë ju ka mësuar ai përtej notave?
Kushtrim Ahmeti: Kastriot Tusha më ka mësuar shumë më tepër sesa nota muzikore. Më ka mësuar disiplinën, respektin ndaj artit, përgjegjësinë ndaj publikut dhe rëndësinë e identitetit artistik.
Nistori: çfarë kërkon sot publiku shqiptar?
Kushtrim Ahmeti: publiku shqiptar kërkon emocione dhe sinqeritet. Kërkon këngë që të prekin shpirtin dhe të dëgjohen edhe pas shumë vitesh, jo vetëm këngë momentale.
Nistori: çfarë do të thotë për ju muzika popullore-qytetare?
Kushtrim Ahmeti: muzika popullore-qytetare për mua është identitet. Është histori, kulturë dhe kujtesë. Është muzika që flet për jetën, dashurinë, gëzimin dhe dhimbjen tonë si popull.
Nistori: jeni i martuar dhe jetoni në Tetovë. Si është të jesh shqiptar i Kosovës në Tetovë?
Kushtrim Ahmeti: Tetova për mua nuk është thjesht vendbanim, por është bërë shtëpi, familje dhe ndjenjë. Si shqiptar i Kosovës, këtu kam gjetur mikpritje, dashuri dhe respekt për muzikën. Jeta këtu më ka dhënë qetësi dhe frymëzim artistik. Sigurisht që ka shumë dasma dhe shumë muzikë, por mbi të gjitha është dashuria ajo që më lidhi me Tetovën. E po, në fund të fundit, nusja e ka fajin më të bukur (ha ha).
Nistori: çfarë do të doje që njerëzit të thonë për Kushtrim Ahmetin pas 10 vitesh?
Kushtrim Ahmeti: pas 10 vitesh do të doja që njerëzit të thonë se Kushtrim Ahmeti ishte një artist i sinqertë, që nuk e tradhtoi kurrë muzikën dhe publikun e tij.
Nistori: çfarë prisni nga viti 2026?
Kushtrim Ahmeti: nga viti 2026 pres punë, projekte të reja dhe rritje artistike. Ndërsa unë do t’i jap vitit 2026 përkushtim maksimal, muzikë të mirë, projekte cilësore dhe respekt për publikun që më mbështet çdo ditë.
/Nistori/






