Bertolt Brecht
Drejtësia është buka e popullit.
Herë është e bollshme, herë është e mangët.
Herë ka shije të mirë, herë ka shije të keqe.
Kur buka është e mangët, mbizotëron uria.
Kur buka është e prishur, mbizotëron pakënaqësia.
Larg nga drejtësia e keqe!
E pjekur pa dashuri, e brumosur me dyshim!
Drejtësia pa erëza, me koren e saj gri!
Drejtësia bajate, që vjen shumë vonë!
Kur buka është e mirë dhe e bollshme
pjesa tjetër e vaktit mund të falet.
Nuk mund të jenë të gjitha njëherësh me bollëk.
Të ushqyerit me bukën e drejtësisë
mundëson punën
nga ku buron bollëku.
Ashtu siç nevojitet buka e përditshme,
nevojitet edhe drejtësia e përditshme.
Po ajo nevojitet disa herë në ditë.
Nga mëngjesi në darkë, gjatë punës dhe gjatë zbavitjes.
Gjatë asaj pune që është zbavitje.
Në kohë të vështira dhe në kohë të lumtura
populli ka nevojë për bukën e shëndetshme
të bollshme dhe të përditshme të drejtësisë.
Miq, meqë buka e drejtësisë ka rëndësi të veçantë
kush do ta pjekë atë?
Kush i pjek bukët e tjera?
Ashtu si bukët e tjera
edhe buka e drejtësisë
duhet të piqet nga populli.
Me bollëk, e shëndetshme, e përditshme.