Dibra dhe 33 monumentet e saj natyrore

    E vendosur në pjesën Veri-Lindore të Shqipërisë nën hijen madhështore të majës më të lartë të saj, Malit të Korabit, Dibra zotëron në hartën e saj gjeofizike rreth 33 monumente natyrore të cilat duan sytë, mendjet, dashurinë dhe setin shumëplanësh të investimeve për t’ja trashëguar brezave atë çka Zoti bujarisht fali.

    Që nga drunjtë (Lisi i Madh) e rrallë e të mëdhenj, tek shpellat, bjeshkët, burimet, liqenet dhe ujrat termale Dibra duket se përbën një pasuri atraktive për rajonin përreth dhe jo vetëm.

    Është një hartë e larmishme monumentesh natyrore nga qyteti në periferi që nuk e di se sa vëmendje ka nga hartuesit e politikave lokale të cilët jo vetëm kanë detyrë ti zbulojnë por edhe ti ruajnë, të investojnë e ti kthejnë në qendra studimi, turizmi, eksplorimi për banoret aty dhe madje edhe më gjerë. Shumë pranë qytetit ndodhet Shpella e Qytezës një shpellë karstike shumë pranë fshatit Bellovë në lartësinë 1.400 metra mbi nivelin e detit. Sipas të dhënave aty ka gjurmë të njeriut parahistorik ndaj vlerat shkencore, didaktike, ekologjike dhe kulturore i mbivendosen këtij monumenti që duhet të mbrohet nga shteti.

    Le të mbetemi edhe për pak rrotull qytetit aty ku ndodhet një tjetër monument natyre i quajtur “Boroviku i Begjunecit” i cili konsiderohet si një pyll në një lartësi 1,300 metra mbi nivelin e detit i veshur me pisha, lajthi e plot drurë të rrallë dhe ku jetojnë mjaft kafshë që për zonën janë të rralla si drerët (roe deer).

    Ujrat janë një tjetër pasuri e veçantë që ia shtojnë monumentet natyrore Dibrës, e përshkruar nga Drini i Zi, e rrethuar nga male të lartë, burimet ujore duket se nuk kanë të sosur, kujtojmë këtu “Ujrat Termale” (Llixhat) atë mrekulli jo shteruese e kurative ujore që vërteton se Zoti ishte bujar me njerëzimin duke i falur gjithçka i duhej, vijojmë me Liqenet e Kacnisë, Burimi dhe Shpella e Sopanikës, Liqeni i Zi, Sryka e Setës, Uji i Ftohtë në Vleshë, Liqenet e Famshme të Lurës, Burimet e Bellovës, etj. Por le të bëjmë një ndalesë tek Ujvara e Pocestit e cila përshkon Malin e Deshatit shumë pranë Maqellarës dhe me një lartësi 1.500 metra mbi nivelin e detit. Ujrat burojnë prej guvash të thella masivesh shkëmbore gati 14 metra thellësi dhe zbresin bri faqes së malit duke dhuruar pamje mahnitëse, vlera turistike për zonën e ku zhurma e ujrave që rrjedhin pandalshëm dëgjohet edhe teksa i largohesh ujvarës.

    Nuk dihet se cili është dhe do të jetë fati i kësaj harte monumentesh, pasi edhe pse Lura konsiderohet park kombëtar, vëmendja për të lë për të dëshiruar, edhe pse njihet nga të gjithë magjia e liqeneve të saj.

    Vendosja e këtyre monumenteve në Hartën e Monumenteve që mbrohen nga Shteti dhe nuk rrezikohen nga projekte dritëshkurtra interesash ekonomike të momentit, partive apo aleancave fatkeqe mes tyre është detyrim patriotik dhe intelektual që vendin amë ta trashëgojmë ne dhe brezat duke ia ruajtur e zbukuruar bukuritë që ngjiten e zbresin në Rrafshin e Korabit, Grykën e Madhe të Lurës, Cirku i Kurorës së Lurës, Kodra e Parave (Blliçe), Gryka e Setës, Bjeshka e Zonjave (Zimur), Pasqyrat e Gramës, Shpella e Gurit të Kuq, Gropa e Panairit, etj.

    Janë një varg monumentesh dibrane që presin për tu vizituar, mbrojtur dhe studiuar.

    Infrastruktura në zhvillim duhet të na afrojë me ta e jo ti varrosë përgjithnjë.

    Lënia në harresë e këtyre pasurive për rreth një shekull është e pafalshme, uroj të ketë qenë e paqëllimshme , apo thjesht varfëri mendore pushtetarësh, edhe pse dyshoj për këtë të fundit.

    Peshkopia është ndër të paktat apo të vetmet qytete në Shqipëri që nuk e ka një park të gjelbër (dobësi vendimarrësish lokalë) por asaj nuk i mungon magjia e madhështisë së natyrës e cila gdhendi monumentet e saj pa lindur jeta dhe ne, e natyra duhet lexuar “germë për germë”./ diaspora shqiptare.

    Lajmi Paraprak

    Shenjat e çrregullimeve hormonale që nuk duhen injoruar

    Lajmi i rradhës

    Takimi SHBA-Rusi për kërkesat e sigurisë mund të mbahet në janar

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë