E vërteta e gënjeshtërt dhe gënjeshtra e vërtetë

    Slavoj Žižek

    Strategjia të mirënjohurës dredhi përshtatëse të Brecht-it, gjë që ilustrohet nga sjellja e tij gjatë marrjes në pyetje përpara Komitetit të Kongresit për Veprimtaritë Antiamerikane (KKVA), bazohet në “gënjeshtrën përmes të vërtetës (së pjesshme)”: megjithëse përgjigjet e tij përpara Komitetit ishin të vërteta nga pikëpamja faktike, Brecht-i i ujdiste faktet në atë mënyrë që të krijonte një përshtypje të përgjithshme të rreme (shkurtimisht: ai nuk ishte propagandist komunist i devotshëm, por thjesht një demokrat antifashist). Parimi ku mbështetej strategjia e Brecht-it ilustrohet më së miri nga përgjigja cinike që i dha qortimit se po vepronte si burracak: “Me profesion jam shkrimtar, jo hero.” Natyrisht që në këtë rast problemi qëndron në faktin se të qenit hero, d.m.th. pasja u kurajës, nuk është tamam profesion, por një karakteristikë që mund të shpaloset në çdo situatë ku bëhet fjalë për atë që Badiou-ja e quan besnikëri ndaj Ngjarjes-e Vërtetë. Qëndrimi i Brecht-it duhet ballafaquar me atë të Dashiell Hammett-it, i cili u gjend asokohe në të njëjtën situatë të vështirë: i thirrur për të dëshmuar përpara KKVA-ut, ai u pyet nëse ishte vërtet administrator i një fondi të ngritur nga Partia Komuniste e SHBA-ve për mbrojtjen e anëtarëve dhe simpatizantëve të saj të persekutuar. E vërteta ishte se ai as që kishte dijeni për fondin në fjalë, mirëpo ishte aq krenar sa nuk mund të përgjigjej sinqerisht pasi diçka e tillë do të nënkuptonte njohjen e autoritetit të KKVA-ut dhe pranimin e nevojës për t’u vetëmbrojtur: prandaj refuzoi të përgjigjej (dhe për pasojë u fut në burg ku, vetëm pas dy javësh, rojet nisën ta thërrasin “Zotni” – çka dëshmon fuqinë dhe dinjitetin e jashtëzakonshëm të personalitetit të tij). Si Brecht-i, ashtu edhe Hammett-i gënjyen; mirëpo ndërsa Brecht-i gënjeu duke thënë (pjesërisht) të vërtetën, Hammett-i gënjeu për hir të shpëtimit të dinjitetit dhe vërtetësisë së tij.

    (Një rast tjetër i gënjeshtrës që hiqet si e vërtetë: një profesor filozofie i korruptuar i rinisë sime në Slloveni e pranonte hapur konformizmin e tij, ndërsa thoshte me një buzëqeshje çarmatosëse” “E di, jam plehrë! E ça pastaj?! Gënjeshtra e një pranimi të tillë qëndron në hendekun midis përmbajtjes së shqiptuar dhe pozicionit subjektiv të shqiptimit të saj: duke pranuar haptas korruptimin e tij, a nuk po merrte një pozicion të ndershëm që ia shlyente disi njollën e korrupsionit? Aspak: kësaj situate i duhet përgjigjur përmes parafrazimit të barsoletës së vjetër çifute të përmendur nga Freud-i: “Nëse je vërtet plehrë, atëherë pse na thua se je plehrë?!”  Ose në version më agresiv: “Po thua se je plehrë, mirëpo s’na mashtron dot me këtë – ti vërtet je plehrë!” – shkurtimisht: “Mos na gënje duke na thënë të vërtetën – ti je plehrë!”

    S’është për t’u çuditur atëherë që Georg Lukács-i, kundërshtari më i madh marksist i Brecht-it, shfaqi më shumë kurajë etike se ky i fundit kur, pas shtypjes së rebelimit hungarez në fund të 1956-s, u arrestua nga sovjetikët, të cilët i premtuan se do ta lironin vetëm me një kusht: ata zotëronin regjistrime të bisedave të tij telefonike me anëtarë të tjerë të qeverisë së Imre Nagy-t dhe e dinin se ai kishte shfaqur kundërshti ndaj disa masave antisocialiste të qeverisë – gjithë ç’kërkonin sovjetikët ishte që ai t’i rishfaqte këto kundërshti publikisht. Lukács-i refuzoi pasi e dinte fort mirë se thënia e të vërtetës faktike në kushte të atilla do të përbënte gënjeshtër.

    E përktheu 
    Arlind Qori

    Marrë nga libri i Slavoj Žižek-ut “Less than Nothing: Hegel and the Shadow of Dialectical Materialism”

    Imazhi: Bernard Dionysius Geoghegan

    Lajmi Paraprak

    Fëmijët dhe gratë, kategoritë më të rrezikuar nga trafikimi i qenieve njerëzore në Maqedoni

    Lajmi i rradhës

    Autobusi i shpejtë nëpër Çair, projekt i (pa) realizueshëm!

    Lajme tjera

    Ç’DOBI KA MIRËSIA

    Bertolt Brecht Ç’dobi ka mirësia,Kur të mirët menjëherë vriten,ose vritenAta, me të cilët janë të mirë? Ç’dobi ka…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë