Autobusi i shpejtë nëpër Çair, projekt i (pa) realizueshëm!

    Gazetar
    Omer Xhaferi

    Linja e re autobusit të shpejtë Butel – Pinti, që parashihet të kalojë nëpërmjet rrugës “Cvetan Dimov” dhe atë të Bit Pazarit, ka ngjallë skepticizëm te banorët e kësaj ane të Shkupit, se realisht në praktikë mund të realizohet. Objektet e shumta dhe gjendja faktike në terren, sidomos përgjatë rrugës “Cveta Dimov”, janë ndër shkaqet kryesore që e ngjallin dilemën se ky itinerar i autobusit të shpejtë mund të jetë funksional.

    Aktivisti qytetar Fari Hiseni, për Nistori, shprehet se ideja për sistemin e ri të transportit publik të shpejtë, mbi gjitha është një ide e nevojshme për një qytet si Shkupi. Ai shprehet se ky lloj i transportit publik ekziston pothuajse në të gjitha vendet e ngarkuara me popullatë.


    “Dilema ime kryesore mbi transportin publik të shpejtë dhe ekologjik qëndron në formën se si e njëjta do të instalohet në këtë qytet! Kemi parasysh rrugën “Cvetan Dimov” që në këtë rast e lidh linjën Butel – Pinti, dendësia e komunikacionit në këtë pjesë, hapësira rrugore aktuale e cila nuk mundëson zgjerim dhe numri i lartë i popullatës që jeton në këtë pjesë, ngrit dyshimet dhe skepticizmin për realizimin e një ideje të këtillë”, thotë Hiseni.

    Mes tjerash ai thekson se që të mundemi të krijojmë qëndrim të pastër mbi këtë ide të transportit publik është e nevojshme që në mënyrë të detajuar të sqarohen përfitimet dhe pasojat me të cilat do të ballafaqohemi, qoftë pasojë ajo edhe ndaj një individi!  

    Këshilltari nga radhët e Alternativës në Qytetin e Shkupit, Ibush Jusufi, rreth këtij projekti të iniciuar nga vetë kryetari Petre Shilegov, thotë se sipas asaj që parashihet ky autobus i shpejt do të duhet të qarkulloj përmes Bit Pazarit e Çairçanjës, sepse për momentin s’ka rrugë tjera alternative.
    “Jam i informuar se në qershor të këtij viti Qyteti i Shkupit do të prezantoj para qytetarëve të Shkupit këtë projekt në mënyrë më konkrete dhe më të saktë se si e parasheh që ta realizoj këtë projekt. Mendoj që deri atëherë do të kemi një fotografi më të qartë që të kemi edhe vlerësim apo qëndrim rreth këtij projekti, thotë Jusufi.

    Duke folur për mbingarkesën në rrugën “Cvetan Dimov”, e cila është arteria kryesore që e lidhi veriu me jugun e kryeqytetit, Jusufi, vlerëson që rrugëdalja nga kjo situatë është hapja e një rruge njëkahëshe e cila do të shtrihet prej rrugës Bosna Hercegovina në drejtim të rrugës së plastikave.
    Prezantim detaj të këtij projekti kapital siç paralajmërojnën nga Qyteti i Shkupit, do të bëhet së shpejti. Nga atje nënvizojnë se në kuadër të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), ky projekt është i regjistruar si projekt i gjelbërt dhe financohet në kuadër të rrjetit të qyteteve të gjelbërta që paraqet vërtetim të politikave ekologjike që i krijon Qyteti, gjegjësisht pas 40 viteve do të filloj të zbatohet ky projekt strategjik për qytetin.

    Njëherit përpos rrugës problematike “Cvetan Dimov”, sfidë reale për realizimin e këtij projekti do të jetë edhe mbikalimi te tregu i Bit Pazarit, si dhe gjelbërimi i cili gjendet në mes shumë bulevardeve kah duhet të kaloj autobusi i shpejtë.

    Vlera e plotë e këtij projekti arrin shumën e 70 milionë eurove dhe e përfshin linjën tjetër Novo Lisiçe – Gjorçe Petrov. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    E vërteta e gënjeshtërt dhe gënjeshtra e vërtetë

    Lajmi i rradhës

    Në tre qytete të Maqedonisë nuk ka asnjë të infektuar me COVID-19

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë