Mbi industrinë e kulturës – Horkheimer dhe Adorno

    Bleona Kurteshi

    I shkruar gjatë luftës së dytë botërore “Dialektika e Iluminizmit” konsiderohet të jetë një nga kryeveprat e shkollës së Frankfurtit. Shkollë kjo e themeluar në vitin 1930 nga një grup neomarksistësh të cilët në një mënyrë ishin të pakënqur me gjendjen aktuale të teorisë tradicionale marksiste. I njohur ndryshe edhe si Instituti për Kërkime Sociale, dha një produkt të cilin ne sot e njohim si teoria kritike. Qëllimi i teorisë kritike është të zhvillojë mjete intelektuale me të cilat njerëzit mund të kuptojnë botën dhe të përpiqen ta ndryshojnë atë për më mirë, kështu duke riinterpretuar edhe disa nga nocionet dhe tezat kryesore të teorisë tradicionale. Dallimi kryesor midis teorisë tradicionale dhe asaj kritike qëndron tek mënyra se si konceptohej realiteti. Teoria tradicionale ishte më e interesuar për ndryshimet që do të bëheshin në shoqëri në të ardhmen kryesisht duke u bazuar në raportet ekonomike. Përderisa teoria kritike tentonte të bënte ndryshimin në shoqërinë ekzistuese duke u fokusuar tek më shumë faktorë shoqërorë dhe si për bazë kishte emancipimin dhe shlirimin e individit nga të gjitha format e robërisë. Si argument thelbësor kishte kritikën ndaj konstruktit shoqërorë të pothuajse çdo gjëje, përfshirë këtu edhe shkencën. Sipas teoricientëve të kësaj shkolle, të gjitha njohuritë madje edhe ato me karakterin më shkencorë kishin ngjyrim politik e shoqëror. Pra, as shkenca nuk konsiderohet të jetë aq objektive sa pritet të jetë. 

    Duke pasur gjithmonë parasysh kontekstin shoqëror dhe historik të kohës kur është shkruar vepra, e kemi më të lehtë të kuptojmë tezën themelore mbi të cilën u mbështetën autorët, Max Horkheimer, Theodor W. Adorno. Libri niset me një pyetje e cila akoma gjend vend në realititetin shoqëror dhe kishte të bënte me arritjet e mëdha në shkencë, tekonologji e çdo fushë tjetër. Pikërisht këto arritje i bënë autorët ta risjellin si temë iluminizmin dhe t’a trajtojnë si çështje epokën e arsyes dy shekuj pas “ardhjes së saj”. Autorët i preukuponte ajo se si ndodhi që dy shekuj pas riorientimit rrënjësor që Evropa e përjetoi me ardhjen e iluminizmit kemi një regres kaq të madh. Si ndodhi që koncepti i arsyes e cila ishte bosht i lëvizjes iluministe, e humbi vetën deri në atë pikë sa bota të përfshihej në luftë dhe bëri që njerëzit rreshtoheshin si përkrahës të një ideologjie të caktuar shkatërruese, këtu i referohen saktësisht luftës së dytë botërore. Duke u bazuar në këto fakte, autorët e shohin periudhën e iluminizmit si raport dialektik me realitetin. Theks të veçantë në iluminizëm ka edhe koncepti i lirisë, e cila konsiderohet si e pandashme  dhe autonome e kësaj periudhe. Iluminizmi si lëvizje ka synuar gjithnjë çlirimin e qenieve njerëzore nga frika dhe çdo formë tjetër e robërisë duke i vendosur ata si akterët kryesorë të jetës së tyre.

    Në këtë libër, Horkheimer dhe Adorno na prezentojnë me konceptin e tyre, ndoshta më të rëndësishmin, atë të industrisë së kulturës. Industria e kulturës dhe iluminizmi si mashtrim i masave paraqesin një shtjellim mbi atë se sa të lirë janë njerëzit në të vërtetë dhe se cilat janë ato forca që ndikojnë tek individi duke mos e lënë atë të përdorë arsyen dhe mendjen në raport me hapësirën që e rrethon. Kultura dhe shoqëria janë dy tërësi të cilat nuk mund të funksionojnë ndaras. Duke pasur paraysh zhvillimet në shoqëri, pra, përfshirë këtu arritjet në shkencë, teknologji e fusha të tjera, domosdoshmërisht këto do të përcjelleshin edhe nga një përndritije kulturore. Liria si koncepti kyç i iluminizmit, ndërvepron drejtëpërsëdrejti me arritjen dhe përndritjen kulturore. Sa më shumë liri individuale brenda kolektives dhe mundësi të përdorimit të mendjes nga vet subjektet, do reflektohet edhe në kulturën dhe përndritjen e saj. Kur brenda një shoqërie individi nuk është në gjendje të bëjë një vlerësim reflektues mbi hapësirën dhe mbi ngjarjet apo proceset përreth, atëherë liria tek ajo shoqëri mbetet vetëm një koncept abstrakt.

    Njëra nga mënyrat me anë të së cilës shoqëria mund ta humbasë sensin e kritikës dhe sfidimit të strukturave të çfarëdoshme të cilat i pengojnë në gjykimin e saj objektiv, është sundimi nëpërmjet ideologjisë në sferën e kulturës. Duke bashkuar kapitalizmin dhe kulturën, arrihet një mundësi e mashtrimit të masave dhe duke i lënë vend shumë më shumë logjikës instrumentale e cila në fund të fundit qëllimin kryesor e ka përfitimin ekonomik. Industria kulturore dhe kultura e masave janë dy nocione të cilat autorët i përdorin për të shtjelluar edhe më tutje rolin që bart kultura e kombinuar me kapitalizëm, në ideologjizim të masave. Kur e përkufizojmë industrinë kulturore, shumë me lehtë mund ta definojmë si një fushë ekonomike, sesa si një fushë kulturore. Të gjitha shërbimet kulturore tash kthehen në mallëra të cilat plasohen në treg me ndihmën e mediave masive, që si synim ka dëfrimin e masave, në një kohë kur kultura vlerësohet më shumë në terma industrial e tregtarë. Muzika, filmat, programet televizive, etj., të gjitha këto janë produkte që janë përfshirë në logjikën instrumentale, dhe riprodhohen vazhdimisht mbi arsyetimin e kërkesës së madhe nga masa. Gjithë këtë mund ta shohim pak a shumë si një cikël të këtij lloji: shoqëria vazhdimisht kërkon të konsumojë mallëra kulturor përderisa industria e kulturës vazhdimisht i përgjigjet kësaj kërkese me prodhime gjithnjë e më masive, e në anën tjetër krahas kërkesës dhe prodhimit rritet edhe fitimi. Pas kalimit të një kohe, ky cikël merret si i mirëqenë dhe është po thuajse e pamundur të vijmë në përfundim se cila i paraprinë tjetrës. Produktet e kulturës masive fshihen nën petkun e artit, dhe paraqiten si të tilla kur në të vërtetë ato i shërbejnë kapitalizmit dhe shumëfishimit të fitimeve të tij. Po në këtë mënyrë kultura masive shërben si instrument që e privon individin nga përdorimi i arsyes dhe krijon një shoqëri të varur e cila e ka të vështirë të bëjë dallimin midis filmit, videoklipit muzikor apo shfaqjeve televizive dhe jetës reale. Adorno dhe Horkheimer e artikulojnë këtë fenomen kështu “aktiviteti mendor i spektatorit është tërësisht i ndaluar, nëse ky spektator nuk dëshiron të humbas ngjarjet që rrjedhin rrufeshëm” (Dialektika e Iluminizmit, 205) Filmi e ka humbur plotësisht përmbajtjen e tij (ndonëse mund të lihet hapsirë për diskutim se cila me të vertetë ka qenë përmbajtja e filmit dikur) dhe në rast se shikuesi dëshiron të gjykoj apo të vlerësoj në mënyrë kritike ngjarjet në film, do e ketë po thuajse të pamundur sepse atë do ta zë rrjedha e filmit. Muzika e cila determinon emocionin që duhet të ndjesh, aktorë të pashëm, e elemente të tjera e pamundësojnë përdorimin e mbrehtësisë së mendjes tek shikuesi. Si shembull, mund t’i marrim filmat të cilët prodhohen në ditët e sotme – ku brenda dy minutave shfaqen dy apo tri skena me përmbajtje të ndryshme. Kjo është një mundësi e kontrollit dhe ruajtes së dembelisë së mendjes tek shikuesit, sepse në fund të fundit askush s’do preferonte një skenë ku ka vetëm dialog midis personazheve për disa minuta rresht. Industria e kulturës e cila ka çdo gjë të llogaritur deri në detaje është shumë e kujdesshme edhe për mënyrën se si do e paraqes produktin përpara konsumatorëve, kështu duke iu lejuar atyre mundësinë që të ushqehen me iluzione, formësuar e kushtëzuar plotësisht përvojën e tyre të jetësore. Kjo është një analogji me sistemin ekonomik, i cili është përherë në funksion që të na bëjë të ndihemi nën presion, të pasigurtë dhe kështu duke na e larguar plotësisht arsyen si mjet me të cilin ne mund të operojmë të pa ndikuar. Këtu vjen në pah edhe rëndësia e reklamës si një kontrollues i sistemit. Reklama i bënë shërbim industrisë kulturore duke i mbajtur ngushtë të lidhura mardhëniet mes industrisë dhe konsumatorëve. Konsumatorët shndërrohen në numra dhe rëndësia e tyre vjen në pah vetëm kur flitet për harta statistikore të industrisë. Ndonëse janë të kategorizuar nga të ardhurat e tyre, ata njëtrajtësohen përpara produktit kulturor dhe pranojnë pa asnjë rezistencë çdo gjë që iu ofrohet. Ata e kalojnë gjithë ditën në punë dhe në rastin e parë që iu ofrohet diqka për argëtim ata e përqafojnë, por sipas Adornos dhe Horkheimer-it “Argëtimi është bërë një zgjatim i punës në kapitalizmin e vonshëm” që do të thotë se ndonëse kultura masive duket sikur po ofron kënaqësi e çlodhje, në të vërtetë ajo vetëm se e vazhdon edhe më tej logjikën e konsumit dhe shfrytëzimit.

    Përderisa gjatë gjithë ditës në punë kapitalizmi shfrytëzon potencialin fizik, në mbrëmje ai e shfrytëzon potencialin mendor. E përbashkëta e artit dhe njeriut në kapitalizëm është pikërisht reduktimi i vlerës së tyre në diqka që shitet dhe shfrytëzohet. Artit i degradohet vlera e tij përmbajtësore, kurse njeriut i merret vlera më e rëndësishme që e ka, e që është ajo e përdorimit të arsyes dhe gjykimit objektiv për të vendosur e zgjedhur vet mbi gjërat dhe fatin e tij. E sa i përketë lirisë së zgjedhjes- Adorno dhe Horkheimer e përfundojnë kapitullin me një fjali të cilën unë do e përdori si citat për të përfunduar esenë. “Që të gjithë janë të lirë të kërcejnë dhe të dëfrejnë, ashtu siç janë të lirë që prej asnjësimit historik që ka pësuar besimi fetar, që të bëhen pjesë e njërit prej sekteve të panumërta. Por liria në zgjedhjen e ideologjisë, e cila gjithmonë reflekton detyrimin ekonomik, rezulton që të jetë në të gjitha drejtimet një liri për të zgjedhur përjetësisht të njejtën gjë”. (Dialektika e Iluminizmit 2009, 263). /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Nga 5 shkurti në Kosovë me 2 doza, e jo me 3!?

    Lajmi i rradhës

    Shoqëri, prindër me vizione (aftësi) të kufizuara

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë