Fyelli

    Naim Frashëri

    Pa dëgjo fyellin ç’thotë
    Tregon mërgimet e shkreta,
    Qahet nga e zeza botë
    Me fjalë të vërteta.

    Që kur se më kanë ndarë
    Nga shok’ e nga miqësija,
    Gra e burra kanë qarë
    Nga ngashërimet e mija!

    Krahërore e kam çpuar
    E kam bëre vrima vrima,
    Dhe kam qar’ e kam rënkuar
    Me mijëra psherëtima!

    Dhe me botën e gëzuar
    Bëhem shok edhe marr pjesë,
    Dhe me njerës të helmuar
    Bënem mik me besa-besë.

    Puna si do që të bjerë
    Unë qanj me mallëngjime,
    Më çdo vënt e kur-do-herë
    Psherëtin zëmëra ime!

    Gjithë bota më dëgjojnë
    Po së jashtëmi më shohin,
    Dëshirën s’m’a kupëtojnë
    Zjar’ e brendëshmë s’m’a njohim.

    Njerëzit me mua rrinë,
    Unë qanj’ e mallëngjehem,
    Po dufn’ e pshehtë s’m’a dinë
    Andaj kurrë s’përdëllehem.

    Gjith’ ata që janë ndarë
    Fyellit shokë ju bënë,
    Shkallët’ e tij disa farë,
    Na shkalluan mëndjen tënë.

    Rrëmet i njerëzisë!
    Zër’ i fyellit s’ësht’ erë,
    Ky ësht’ zjarr’ i dashurisë
    Që i ra kallamit mjerë!

    I ra qiellit e ndriti,
    I ra zëmrësë e nxehu,
    I ra verës e buçiti,
    I ra shpirtit, dhe e dehu.

    I dha erë trëndafilit
    I dha dritë bukurisë,
    I dha këngëtë bilbilit,
    I dha shije gjithësisë.

    Ay zjar i ra në qiej,
    Edhe duke përvëluar,
    U bënë kaq yj e diej,
    Që i mba Zoti ndër duar,

    Nga ky zjar Zot’ i vërtetë,
    Që ka ngehur gjithësinë,
    Hoth një shkëndijë në jetë,
    Dhe bëri soje njerinë.

    More zjar i bekuar!
    Unë me ty jam përzjerë,
    Pa jam tretur e kulluar,
    Po të kam shpirt, mos më lerë. 

    Lajmi Paraprak

    Lidhja midis ajrit të ndotur dhe sëmundjes së demencës!

    Lajmi i rradhës

    Ja përse duhet të lani veçmas çarçafët dhe peshqirët

    Lajme tjera

    Nënat

    Azem Shkreli Ato lahen në gazinTonë në lotët e tyre. Bëhen rojë muraneTe krojet e shterra të gjirit.…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë