Gëzim Azemi vjen me ekspozitën “Ambient”, thotë se lulet nuhaten tani (Video)

    Piktori Gëzim Azemi vjen me ekspozitën e tij të pestë “Ambient”. Azemi së fundmi para artdashësve në Gostivar prezantoi 26 pikturat e tij, kështu duke paraqitur në pëlhurë figurën dhe simbolikën e lules në linja dhe ngjyra të veçanta gërshetimi. Ai nëpërmjet “Ambient” aspiron për të ndarë një përfaqësim të idealizuar dhe simbolik të botës natyrore dhe shpirtit njerëzor. Qëllimi, sipas Azemit është të bëhemi aq të fortë sa që asgjë nga jashtë nuk mund të ndikojë në mirëqenien tonë të brendshme pa lejen tonë të vetëdijshme, shkruan Nistori.

    Në realizimin e ciklit të 26-të pikturave është ndjekur një ecuri e kontekstit historik, të shprehur nëpërmjet materialeve tradicionale të pikturimit, duke e bërë të dominojë figuracioni si mënyrë e artit prezantues.

    “Kjo ekspozitë është punuar në afat kohor, diçka 1 vit, diku 26 punime. Të gjitha punimet janë realizuar në akrill në pëlhurë, por ka diçka të kombinuar akrill dhe vaj. Kjo ekspozitë është titulluar “Ambient”, pasi çdo pikturë që shikoni këtu e ka titullin e vet. Ka pikturë “dhomë e gjumit”, “dhomë e ndejës”, “zyrë”, “sallon”, ka pikturë që quhet galleri. Jam munduar që çdo pikturë të realizuar t’ia gjej vendin se ku duhet të varet”, deklaron Azemi për Nistorin.

    Ekspozita e ardhshme do të jetë vazhdimësi e peisazheve, por me një frymë më moderne. Ndërsa pas kësaj do të shkëputet nga peisazhet për të menduar rreth motiveve dhe zhanreve tjerë. Pavarësisht krizës financiare, Azemi shprehet i kënaqur me interesimin e njerëzve për të blerë pikturat e tij.

    Profesori universitar dhe njëherit piktori Bashkim Mexhiti për Nistorin thotë se Gëzimi vjen prej brezit të ri më punëtor dhe këtë e ka dëshmuar edhe gjatë studimeve.

    “Gëzimi dëshmon se është njohës i mirë i kompozicionit, e sidomos të ngjyrës. Në çdo pikturë mund ta shikoni atë lojën që e bën kompozicioni me ndihmën e kontrastit komplementar, gjë që tregon se artisti duhet të ketë përvojë për ta arritur një kompozicion të tillë. Sonte, Gëzimi na ka befasuar këndshëm të gjithve”, deklaron Mexhiti.

    Sipas grafistit, piktorit Burhan Ahmeti, ekspozita “Ambient” e Azemit dëshmon punën intensive, por edhe trajtimin e veçantë të lules.

    “Gëzimi çdoherë din të na befasojë për të mirë. Sonte në këtë ekspozitë personale shohim një kolorit dhe kompozicione të jashtëzakonshme. Lulen e ka trajtuar në mënyra të ndryshme kompozicionale, me do tone jashtëzakonisht të kërkuara. Është një artist punëtor, kërkues i së bukurës”, thotë Ahmeti.

    Në ekspozitë prezantuan dhjetëra artdashës, profesorë dhe artistë të artit figurativ. Ekspozita do të jetë e hapur deri në fund të kësaj jave në pallatin e kulturës në Gostivar. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Tradhtia e Shqiprim Arifit: Moskokëçarja për fatin e shqiptarëve të Preshevës

    Lajmi i rradhës

    Metalet e rënda toksike – Tek cilat produkte që përdorim gjenden

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë