Gjon’s Tears: Kur këndoj në gjuhën shqipe jam më i sinqertë

    Emri Gjon Muharremaj ka filluar që të bëhet i njohur në vendet frankofolëse. Shqiptari, prindërit e të cilit janë nga Kosova, përmes zërit të tij ka rrëmbyer zemrat edhe të këngëtarëve të njohur francezë si: Julien Clerc, Jenifer Bartoli, Mika dhe Soprano.

    Përmes interpretimit të këngës “Christine” të këngëtarit të njohur francez “Christine and The Queens”, Gjoni dëshmoi se tashmë interpretimi i tij ka kaluar në një fazë tjetër. Derisa luante në piano dhe këndonte atij i është dashur një minutë për të fituar votën e anëtarëve të jurisë në “The Voice” të Francës të cilët kishin mbetur të shtangur. Mika, fituesi i një çmimi Brit Awards dhe nominues për Grammy është ai i cili shfaqet si më i befasuari nga interpretimi i Gjonit të cilit i mbetet akoma shumë punë për të bërë në këtë garë.

    “Kur e pash që juria ishte e mahnitur nga interpretimi im isha shumë i gëzuar dhe i lumtur. Sigurisht isha më i lumtur që të gjithë u kthyen dhe unë kisha mundësi që të zgjedh vet se me cilën nga anëtarët e jurisë do të punoj. Tani pas audicionit të fshehur do të marrë pjesë në raundin tjetër që është ‘KO’ dhe nga 18 që jemi përzgjedhur juria do i zgjedh vetëm gjashtë dhe pas kësaj është hapi tjetër i njohur si “Battle”, tregoi Gjon Muharremaj.

    I rritur në një familje shqiptare e cila ka emigruar nga Kosova, këshilla që shpesh ka marrë nga prindërit e tij është që të mos e harrojë gjuhën shqipe. “Mos e harro gjuhën pasi që është shumë e rëndësishme për ty, kjo është gjuha e familjes tënde dhe ti duhet që ta dish”, tregon Gjoni për KultPlus derisa me kujdes zgjedh fjalët për të shprehur ato që dëshiron t’i thotë. Madje shpesh herë kërkon sinonime të fjalëve kur mendon se nuk ka zgjedhur fjalën e duhur.

    Ndërsa shqiptarët Gjonin mund ta kujtojnë nga pjesëmarrja e tij në Albanian’s Got Talent, një eksperiencë kjo e bukur për këngëtarin e cila ishte njëkohësisht edhe përballja e tij e parë me televizionin. Mirëpo krejtësisht ndryshe nga ajo që ka tani pasi që tashmë nuk është një fëmijë dhe synimet e tij janë akoma më të larta.

    “Pjesëmarrja në Albanin’s Got Talent ishte shumë e rëndësishme për mua që ta dinin njerëzit se kush isha dhe nga vija unë dhe familja ime. Të kuptoja se a do të ju pëlqeja apo jo në mënyrë që të vazhdoja. Mirëpo ata më kanë dhënë shumë dashuri dhe shumë fuqi madje edhe për tu bërë pjesë e “The Voice” sot.  “The Voice” është një eksperiencë fenomenale dhe që me jep shumë dhe mësoj shumë nga kjo. Për mua ishte një nevojë që të ju tregoja njerëzve që flasin frëngjisht, vendeve frankofone që dua të vazhdoj me muzikë”, ka theksuar ai.

    Komente pozitive Gjoni është duke pranuar edhe nga ndjekësit e tij të cilët janë kryesisht nga Zvicra, Franca si dhe Kosova e Shqipëria. Këto komente e bëjnë atë që të fitoj më shumë vetëbesim dhe të bëhet më i guximshëm për të vazhduar këtë aventurë të re të cilën e ka filluar.

    “Si një këngëtar që fillon karrierën ajo çka kërkoj nga “The Voice” është që të më shohin njerëzit dhe të gjejë një produksion si dhe ti prek njerëzit, të lë gjurmë tek ata që të më mbajnë në mend. Por fillimisht është shumë e rëndësishme që të vazhdoj me muzikën dhe të gjej njerëz të cilët besojnë në mua dhe që do të më përkrahin në këtë rrugëtimin tim”, tha ai për KultPlus.

    E rëndësishme për Gjonin është origjinaliteti, diçka që çdo herë i dallon artistët e vërtetë nga të tjerët. “Unë nuk përpiqem që të jem dikush tjetër. Për mua gjëja me e rëndësishme është që të jem i sinqertë me publikun dhe me vetveten”, theksoi ai edhe pse një gjë e tillë shpesh herë mund të jetë shumë e vështirë dhe sfiduese. Por Gjoni është një nga personat të cilët i kanë në qejf sfidat, një gjë të tillë e ka bërë edhe vite më parë kur realizoi këngën “Babi”, refrenin e të cilës e ka shkruar në gjuhën shqipe.

    “Edhe pse është një histori e krijuar dhe jo historia ime kisha nevojë që ta shkruaja shqip, sepse për mua gjuha shqipe ka një dimension që është më e sinqertë. Kur shkruaj frëngjisht është një si barrierë. Nuk mundem të jem i sinqertë dhe është e vështirë të ju jap fjalëve franceze seriozitet. Kur i shikoj tekstet e mia në frëngjisht mendoj se nuk janë shumë serioze dhe kam përshtypjen se dalin qesharake. Kështu që është e vështirë që të shkruaj frëngjisht, por edhe të shkruarit në shqip ishte një sfidë për mua pasi që unë nuk e flas mirë gjuhën shqipe. Mirëpo ishte e rëndësishme që ta shkruaja ashtu siç e dija edhe pse me gabime në mënyrë që të jem i sinqertë”, tha ai për KutlPlus duke treguar se edhe në të ardhmen ka mundësi që të kompozojë diçka në gjuhën shqipe, kuptohet në momentin që ai do ta ndjejë një gjë të tillë.

    Lajmi Paraprak

    Një nga thesaret më të çmuara në Spanjë

    Lajmi i rradhës

    Sa herë në javë duhet ta lani fëmijën tuaj

    Lajme tjera

    Teoria e kaosit

    Teoria e kaosit është ligj i shpallur nga James Yorke dhe na kujton një fakt thelbësor: bota nuk…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë