Gjuha dhe muzika që sfidojnë shekujt: zhvillohet edicioni i 44-të i Festivalit të Këngës Arbëreshe

    Donika Bakiu

    SAN DEMETRIO CORONE (SHËN MITRI) – Kalabria u kthye sërish në kryeqendrën e kulturës dhe të melosit arbëresh. Në sheshin përballë Kolegjit historik të Shën Adrianit u ul sipari i edicionit të 44-të të Festivalit të Këngës Arbëreshe (Festival della Canzone Arbëreshe), një prej ngjarjeve më jetëgjata dhe më domethënëse për ruajtjen e identitetit gjuhësor dhe kulturor të arbëreshëve të Italisë, shkruan Nistori.

    I themeluar në vitin 1980 nga intelektuali Giuseppe D’Amico, ky festival ka shërbyer për më shumë se katër dekada jo thjesht si një aktivitet artistik, por edhe si një platformë e gjallë ku gjuha rijetësohet përmes tingujve modernë dhe tradicionalë. Festivali i ka shndërruar vargjet shekullore në këngë bashkëkohore, duke u dhënë zë brezave të rinj që refuzojnë ta lënë në harresë trashëgiminë e të parëve.

    Kjo ngjarje e rëndësishme sjell çdo vit këngëtarë dhe artistë nga trojet shqiptare dhe nga komunitetet ku flitet shqip, si konkurrentë ashtu edhe si mysafirë. Nata finale e edicionit të 44-të mblodhi kompozitorë, solistë dhe grupe muzikore nga ngulimet e ndryshme arbëreshe të Kalabrisë, Siçilisë dhe Basilicatës, si dhe mysafirë specialë nga rajoni. Përmes ritmeve që ndërthurën folklorin autokton me rrymat e sotme muzikore, skena përballë Kolegjit të Shën Adrianit përcolli një mesazh të fortë të qëndresës kulturore.

    Garës artistike të këtij edicioni i dhanë frymë prurje të spikatura muzikore.

    Fituesit dhe çmimet kryesore

    Vendin e parë e fituan artistët Giuseppe Baffa dhe Anna Maria Viteritti nga Santa Sofia d’Epiro (Shën Sofia), me këngën fituese „Katund i qetur“ (Paese silenzioso). Me tekst të Anna Ventre, muzikë dhe aranzhim nga Federico Baffa dhe Beatrice De Loria, si dhe orkestrim dhe dirigjim nga Stefano Amato, me mbështetjen e klarinetistes Selene Miracco, kënga solli vargjet prekëse „Thuam ku është ajo shpi, çë u bë si një ënder“, duke përcjellë mesazhin e shpresës dhe të zgjimit.

    Vendin e dytë e zuri grupi „Taranta Sounds“ nga Plataci (Pllatëni), i cili u prezantua me këngën dinamike „Një jetë e re“ (Una nuova vita), me tekst të Giuseppe Basile, muzikë dhe orkestrim nga maestro Antonio Andrea Marchese.

    Vendin e tretë e fitoi kantautori Aaron Puccio nga Piana degli Albanesi (Hora e Arbëreshëvet), në Siçili, me këngën „Verë o moj verë“ (Vino o mio vino), me tekst dhe muzikë të tij, si dhe orkestrim nga maestro Danilo Guido.

    Çmimet speciale të jurisë teknike

    Çmimi i Kritikës „Giuseppe D’Amico“ iu dha këngëtarit Alessandro Castriota Scanderbeg nga Rossano për këngën „Vetëm një kujtim“.

    Çmimi për Tekstin më të Mirë „Pino Cacozza“ iu dha gjithashtu këngës fituese „Katund i qetur“.

    Përtej çmimeve dhe garës artistike, Festivali i Këngës Arbëreshe mbetet një urë e fuqishme lidhëse mes së kaluarës dhe së ardhmes. Edicioni i sivjetshëm dëshmoi edhe një herë se, përballë sfidave të asimilimit gjuhësor, arti dhe muzika mbeten ndër mburojat më të fuqishme të kujtesës kolektive të arbëreshëve.

    Lajmi Paraprak

    Gratë shtatzëna paguajnë nga 20 mijë deri në 43 mijë denarë për skrining që nuk është i detyrueshëm, por ofrohet pa evidencë sistemike

    Lajmi i rradhës

    Çmimi u rrit me 30%, por kumanovarët ankohen se kontejnerët mbeten të papastruar

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë