Influencerët ia shitën botës një fantazi për Dubain – dhe tani ajo është zhdukur në një re tymi raketash

    Qyteti u paraqit si një vend i dëshirueshëm për të jetuar, por ata që u shpërngulën atje tani po e kuptojnë pasigurinë që vjen me të qenët migrant ekonomik.

    Burimi: The Guardian
    Përkthimi: Telegrafi

    Për t’u mashtruar nga një vegim, nuk është e nevojshme të jesh i humbur në shkretëtirë. Ndonjëherë, iluzioni është më i fortë pikërisht atëherë kur mendon se je i sigurt në shtëpi, duke postuar nga pishina për festën e llastimit të vajzës sate adoleshente dhe për jetën tënde vezulluese në një qytet ku “mundësitë janë të pafundme”, siç priren të jenë për vajzat e miliarderëve që jetojnë në parajsa fiskale. Dhe, pikërisht atëherë fantazia shpërthen në një re tymi raketash të kapura nga mbrojtja ajrore, duke lënë pas vetëm një grua tjetër me pizhame që i thotë Instagrami-t (siç bëri Petra Ecclestone në fundjavë) se ajo u shpërngul në Dubai “për t’u ndier e sigurt” dhe se lufta nuk përmendej askund në kushtet e kontratës.

    Kush mund ta kishte menduar se të jetosh disa qindra milje larg Teheranit – në vijë ajrore për dronët – mund të kishte rreziqe? Me siguri jo ai menaxher spekulativ fondesh që u ankua në Financial Times se “marrëveshja nuk ishte që të ekspozoheshe ndaj gjeopolitikës”.

    Por, nëse është e vështirë të kesh simpati për super të pasurit, teksa zbulojnë se ka disa gjëra që paratë nuk mund t’i blejnë, ata nuk janë të vetmit britanikë të bllokuar në Gjirin Persik. Marrëveshja që Dubai u ofroi migrantëve ekonomikë – dhe kjo është ajo çfarë janë britanikët të cilët kërkojnë një jetë më të mirë në Gjirin Persik, sado që disa mund ta urrejnë këtë etiketë – ishte një lloj i [filmit] Shou i Trumanit në jetën reale: një strehë e ndritshme, me diell, e sterilizuar dhe me kriminalitet të ulët për këdo që dëshironte të pasurohej ose të mbetej i pasur, e mbajtur në këmbë nga ndëshkimet e rrepta për këdo që do të guxonte t’i prishte publikisht iluzionet e saj.

    Krahas menaxherëve të pasurisë, agjentëve të pasurive të paluajtshme dhe bashkëshorteve të reja të bukura me lëkurë të lëmuar që zakonisht shoqërojnë super të pasurit, Dubai tërhoqi edhe pjesën e vet të përdoruesve të X-it me shenjën e kaltër që mbështesin [partinë] Reform-ën, duke folur nga klubet e tyre të plazhit për mënyrën se si Londra gjoja po shkatërrohej; influencerë që kërkonin sfond luksi për videot e tyre të hapjes së pakove; djem të kriptomonedhave, teknologë dhe mashtrues të ndryshëm. Por, shumë hapa më poshtë në shkallën financiare, pas tyre erdhi një ushtri punëtorësh të rinj të përkohshëm për të pastruar pishinat e tyre, për t’u kujdesur për fëmijët e tyre dhe për t’u dhënë atyre mësime pilatesi, shumë prej të cilëve tani kanë familje në vendet e tyre që janë të shqetësuara deri në ankth. Mburruni, po deshët, kur tani po zbulojnë pse njerëzit e tjerë qëndrojnë në shtëpi kur bie shi, por kjo lloj kënaqësie nga fatkeqësia e të tjerëve duket e shëmtuar kur qeniet e tjera njerëzore flenë në bodrumet e veta ndërsa regjimi tiranik iranian përpiqet t’i vrasë.

    Rreth 300 mijë britanikë vlerësohet se janë bllokuar në të gjithë rajonin e Gjirit për shkak të luftës: secili, nga çiftet në muaj mjalti që thjesht po ndërronin aeroplanët, te udhëtarët e biznesit, punonjës ndihme që po merrnin disa ditë pushim nga zonat e luftës dhe familje që po vizitonin të afërmit. Shumica prej tyre nuk e prisnin luftën, jo më shumë sesa ne që jemi në Britani ku ajo së shpejti do të mbërrijë në një formë më pak vdekjeprurëse përmes rritjes së çmimeve të gazit dhe karburantit, zinxhirëve të ndërprerë të furnizimit, komuniteteve të diasporës që presin me ankth lajme për të afërmit e tyre dhe gjithë zemërimin helmues që inflacioni në rritje mund të shkaktojë kundër një qeverie laburiste pikërisht në momentin kur rimëkëmbja ekonomike dukej se ishte në horizont.

    Lajmi Paraprak

    OKB: asnjë vend në botë nuk ka arritur barazi të plotë ligjore midis grave dhe burrave

    Lajmi i rradhës

    Segmenti Trebenishtë–Qafë Thanë i Korridorit 8 mbetet jashtë loje

    Lajme tjera

    Ç’është dashuria 

    Orhan Pamuk Dashuria është dorëzimi. Dashuria është shkaku i dashurisë. Dashuria është të kuptosh. Dashuria është një muzikë.…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë