KRESHTA TË VOGLA FILLIMBOTE

    Bardhyl Zaimi

    Nga ajo hapësirë e gjerë në të cilën gumëzhinte jeta kishin mbetur vetëm do mure të rrënuara në stacionin e trenit. Ferrishtet i kishin përla udhët e dikurshme dhe si një gojë e epshme po i kthenin ato në xhungël të vogël të pashpresë. Tashmë nuk kishte as udhë dhe as hapa rreth e rrotull. Thjesht dukej se lëvizja kishte dhënë shpirt pas një lodhje dhe lëngimi të gjatë. Përmbi një llofkë fluturonin miza nervoze, që dukeshin si e vetmja lëvizje imcake në atë botë që tashmë ishte njëjtësuar me gërhamat vrastare të natyrës.

    I ulur në cepin e murit, aty ku bashkoheshin dikur dy faqet e sallës së pritjes, ai po përpiqej të ribënte botën e dikurshme. Ja aty afër po shihte një nënë me fëmijën për dore që e priste me padurim trenin, në stolin përballë një mesoburrë të strukur në pritjen e vetë dhe plot njerëz të tjerë, secili i dalldisur në momente pritjeje. Teksa po hidhte një copë guri përtej i erdhi fuqishëm në vesh fishkëllima e trenit, dhe gjithë avulli i udhëtimeve ia zuri hundët. Njëherë u shtang, ndërsa pas pak sekondash mori frymë thellë sikur të dëshironte ta fusë brenda barkut thatim gjithë atë botë të dikurshme. Ishte fillikat në atë peizazh të vizatuar ashtu kuturu nga koha. I dukej se me çdo lëvizje të tij mund ta prishte atë moslëvizje brutale që koha e kishte rezervuar si natyrë të qetë.

    Ishte në një stacion të harruar dhe të rrënuar tërësisht, ku kujtmet vegjetonin me aq kryeneçësi përgjatë mureve që dukeshin si kreshta të vogla fillimbote. Nuk kishte përpara asnjë fushëpamje dhe gjithçka dukej se vdirej në një zvenitje marramendëse.

    Gjersa mizat tufa-tufa po bënin një betejë nervoze, ai po e ndjente thellë heshtjen e pritjes dhe të rrënimit. Pastaj edhe njëherë hodhi vështrimin aty ku dikur vinin udhët dhe u tendosë përmbrenda, dhe ndjeu një gërryerje të ëmbël sikur të priste një dashuri, ardhjen e së cilës tashmë udhët e kishin tradhëtuar!

    Lajmi Paraprak

    Cili është vendi që paguan më shumë taksa në BE?

    Lajmi i rradhës

    Këto janë dy skuadrat e para që sigurojnë fazën tjetër të Ligës së Kampionëve

    Lajme tjera

    Ekspertët

    Faik Konica Në një shtet të ri, të çarë nga partitë dhe nga interesat vetjake, siç ka qenë…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë