Kritika teologjike marksiste

    Sead Zimeri

    Kritika që Marksi i bën kapitalit (por edhe religjionit) sipas Roland Boer-it, dhe unë nuk kam ndonjë arsye për ta kundërshtuar atë në këtë pikë, është kritikë e informuar teologjikisht por edhe e zhvilluar përmes kritikës së tij që i bën teologjisë. Në njëfarë mënyre, Marksi bëhet teolog përkundër protestave, ironizimeve, talljeve dhe kritikës solide që i bëri religjionit dhe teologjisë.

    Ky ndikim teologjik, kjo formë teologjike e kritikës, është më së shumti e dukshme, në një nga konceptet themelore të filozofisë së tij: fetishizëm. Jo vetëm që Marksi e huazoi këtë koncept nga feja, krishterimi në këtë rast, por ai do ta zhvillojë në koncept kryesor të filozofisë së tij për t’i zhveshur, kritikuar dhe, në fund, theyer natyrën iluzore të raporteve të fetishizuara mes punëtorit dhe kapitalit. Me një fjalë, kur Marksi thotë që kritika e religjionit është parakusht i çdo kritike tjetër, kjo duhet të kuptohet fjalë për fjalë pa i ndryshuar asgjë, por edhe të bëhet i njëjti universalizim që Marksi i bën pikërisht përmes konceptit fetishizëm.

    Kritika e religjionit është parakusht ngase forma përmes të cilës operon kapitalizmi është formë ‘religjioze’. Raporti mund të jetë iluzor, por realiteti material i iluzionit të fetishit nuk mund të tejkalohet pa e zhveshur karakterin religjioz të marrëdhënieve të prodhimit në kapitalizëm. Marksi, me një fjalë, pozicionohet në linjën e njejtë të ekspozimit të zotërave të rremë të traditave profetike. Si i këtillë, ai e çon traditën profetike më larg sesa profetët e mëparshëm, sidomos kur ai përdor të njëjtën logjikë të fetishizmit për të ekspozuar vetë natyrën fetishiste të religjioneve; por kjo nuk është, në vetvete, ndonjë telashe e madhe për religjionin sepse forma që kritika profetike merr në filozofinë e Marksit është forma, sado primitive, e vetë kritikës religjioze dhe teologjike.

    Marksi gjeneralizon, universalizon, një kritikë rrënjët e së cilës ai i gjen në religjion, një kritikë që edhe vete profetët do ta kuptonin që i ka rrenjët tek mësimet e tyre, se është prodhim i përpjekjeve të tyre për ta emancipuar njeriun dhe shoqërinë nga fetishet dhe idolet e natyralizuara në raporte iluzore. Sikur që profetët janë thyes të idoleve, po ashtu edhe Marksi thyen idolet bashkëkohore dhe përmes kritikës së fetishizmit, kritikës ideologjike pra, ai përpiqet ta emancipojë njeriun nga iluzionet që e mbajnë atë peng të tyre.

    Lajmi Paraprak

    Bota e aparencave në teatër

    Lajmi i rradhës

    Romeo dhe Zhulieta, origjina e dashurisë tragjike

    Lajme tjera

    MIRËKUPTIMI

    Bertolt Brecht Po ju, që jeni në mirëkuptim me rrjedhën e punëve, Mos u fundosni prapë në asgjënë.…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë