Margjina e dëshpërimit dhe fuqia e s’ka-rrugë-tjetrës

    Arlind Qori

    Më 1984 Jesse Jackson-i, asokohe kandidat në zgjedhjet primare të Partisë Demokrate, mbajti një fjalim të fuqishëm me titullin “Margjina e dëshpërimit”. I referohej numrit të të varfërve, zezakëve, hispanikëve dhe studentëve që nuk kishin votuar në zgjedhjet presidenciale amerikane të 1980, duke i siguruar kësisoj fitoren kandidatit republikan Ronald Reagan. Është e njëjta margjinë dëshpërimi që më 25 prillin shqiptar i siguroi fitoren Edi Ramës dhe Partisë Socialiste, të cilët përmes blerjes së vullnetit politik të më të dëshpëruarve arritën të fitojnë atë margjinë votash që u nevojitej për të marrë shumicën absolute të deputetëve në Kuvend.  

    Po fitorja e PS dhe Ramës nuk është përcaktuar vetëm nga margjina, por edhe nga bërthama e mbështetjes që kanë siguruar me hir e me pahir tanimë në shoqërinë shqiptare. Pra e rëndësishme nuk është vetëm mënyra se si PS bleu 6-7 mandatet që i duheshin për të kapur 74 deputetë, por se si në kushte “normale” arrin të sigurojë 67-68 të tjerat.

    Duhet thënë se një parti në pushtet ka gjithmonë përparësinë e përdorimit të burimeve shtetërore dhe presionit ndaj administratës, por edhe ky faktor ka kufizimet e veta. Siç e treguan zgjedhjet e fundit lokale, një pjesë e nëpunësve të administratës, të çuar me presion në kutitë e votimit, e prishën fletën e votimit duke ngritur krye në anonimat. Prandaj shkaqet duhen kërkuar më thellë pasi vetëm kështu do të mund të përgatisnim një përgjigje afatgjatë ndaj problemit të sundimit të një partie të lidhur kokë e këmbë me oligarkinë ekonomike.

    Pikësëpari, PS është një parti më e organizuar dhe e disiplinuar se rivalja e saj më e afërt, PD. E krijuar strukturalisht që më 1941, me përvojë të gjatë si parti-shtet, ajo ka një shtrirje kapilare në vend – ku për çdo pallat banimi ka një “patronazhist”, i cili e shlyen borxhin ndaj partisë që i ka gjetur punë duke mbledhur të dhëna për fqinjët dhe i ndikuar ata sa mundet. Kjo ndihmohet edhe prej faktit që PS ka një zinxhir komande të qartë, ku Rama është drejtues i gjithëpushtetshëm. Në batakun antidemokratik të partive të sotme, hierarkia e qartë dhe autoritarizmi në drejtim prodhojnë eficiencë të lartë.

    Si parti në pushtet për tetë vjet dhe kontribuuesja më e madhe e pasurimit të oligarkëve përmes lejeve të ndërtimit, koncesioneve, PPP, infrastrukturës së porositur etj., PS ka arritur të krijojë lidhje intime me oligarkët. Të mësuar tanimë me kanalet e trafikut të favoreve, shumica e oligarkëve duket se kanë përkrahur Ramën. Jo se kanë pasur ndonjë dyshim se me Bashën në qeveri do të prisheshin ujditë e vjetra, por thjesht nuk ka nevojë të ndërrosh në mes të rrugës kalin që po ecën për bukuri.

    Po pika më e fortë e PS është mbështetja emocionalo-nostalgjike e qindra mijëra votuesve të vet tradicionalë, të cilët përpara PD apo Sali Berishës nuk u dridhet dora të votojnë një kryeministër të krimbur në korrupsion dhe një parti të kalbur moralisht dhe ideo-politikisht. Përmes operacioneve ideologjike – nga identifikimi i gardës së vjetër të partisë me Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare te prekja e ndjeshmërive për përmbysjen e madhe statusore të viteve 1990 – PS ia ka arritur të çimentojë mbështetjen e atyre që kanë simpati për përvojën historike të regjimit të shkuar dhe e shohin veten të nëpërkëmbur në status shoqëror në kaosin e të ashtuquajturit tranzicion. Dhjetëra mijëra ish-oficerë, ish-mësues, ish-inxhinierë, ish-përgjegjës dhe ish-punëtorë të kualifikuar të disa ndërmarrjeve kyçe të kohës së socializmit burokratik – së bashku me fëmijët e tyre të mbrujtur në dekada me idenë e një rënie të pamerituar gjatë thyerjes së madhe të viteve 1990, shoqëruar me dozat e vetëvlerësimit të lartë kulturor dhe nganjëherë nënçmimin e parvenyve apo të ardhurve rishtas në qytetet e mëdha – janë baza besnike dhe në dukje e palëkundshme e PS. Bazë e cila, me sa duket, është më e gjerë se çfarëdo baze alternative që mund të ketë PD me ata që mund të konsiderohen humbësit e mëdhenj të regjimit të shkuar.

    Fitorja e Ramës i ka forcuar opinionet se tanimë jemi rrugës së vendosjes së një regjimi autoritarist, në mos diktatorial. Merren shembujt e Putinit dhe Erdoganit. Mirëpo që të kemi regjime që dikur quheshin bonapartiste (i referohem sundimit të Lui Bonapartit në Francën e 1848-1870), duhet që makineria shtetërore të fitojë një autonomi relative nga klasa ekonomikisht sunduese. Kjo e fundit duhet të jetë aq e frikësuar nga lëvizjet punëtore e popullore, saqë do të pranonte nënshtrimin e vet politik për të siguruar paprekshmërinë e pasurisë. Në kohët e sotme një raport i tillë – pavarësisht se mungon pjesërisht trysnia nga poshtë – është i mundur në shtete si Rusia dhe Turqia ku aparati ushtarako-burokratik është aq i fortë dhe me traditë, saqë oligarkët vendas janë partnerë ekonomikë të nënrenditur ndaj pushtetit politik të burokracisë shtetërore. Putini dhe Erdogani mund t’ia lejojnë vetes përplasjen e grushtit mbi tavolinën e oligarkëve të mbledhur për t’u filmuar nga televizionet shtetërore, apo edhe të fusin në burg ndonjërin prej tyre për spektakël popullor. Po edhe atje, as Putini dhe as Erdogani nuk kanë këllqe të prekin themelet e superfitimit ekonomik të oligarkëve. Thjesht duke vjedhur bashkë me sejmenët e tyre, e projektojnë veten si pjesë e oligarkisë ekonomike pasi të lënë pushtetin.

    Në Shqipëri kjo alternativë duket e pamundur hë për hë. Rama mund ta përplasë grushtin përpara Eduart Shalsit apo Elisa Spiropalit, por e bën në brekë në sy të Samir Manes dhe Shefqet Kastratit. Nga ana tjetër, PD vërtet ka humbur, por nuk është aq e dobët apo e shkërmoqur sa për t’u hequr oligarkëve alternativën politike në rast se Rama çmendet dhe për hir të popullaritetit apo presionit nga poshtë vendos të bëjë shembull ndonjërin prej tyre. Po ashtu, Shqipëria nuk ka as ushtri serioze, as aparat burokratik të fuqishëm për të tentuar nënshtrimin relativ të oligarkëve nga shteti. Për të mos përmendur këtu faktin se gjeopolitikisht ne jemi tejet të kushtëzuar nga superfuqitë perëndimore si SHBA dhe BE, të cilat mund t’i tolerojnë matrapazllëqet e Ramës, por jo shndërrimin e tij në një Erdogan prej kashte.

    ***

    Në politikë nuk ka fitore të një pale që nuk diktohet nga dobësia e rivalëve. Nëse heqim nga ekuacioni LSI – një parti klienteliste nuk mund të mbijetojë më shumë se katër vjet pa pushtet – një prej faktorëve përcaktues të fitores së PS ishte dobësia e PD. Në këtë fushatë PD nuk diti dhe nuk mundi (në fakt nuk do të mundet kurrë) të zgjidhte kontradiktën midis domosdoshmërisë për t’u dalluar moralisht nga PS dhe Edi Rama dhe nevojës për të pasur mbështetjen financiare dhe infrastrukturore të oligarkëve. Lulzim Basha fliste kundër oligarkëve, më parë përmendte edhe ndonjë emër nga ata që ishin aq fort të lidhur me Ramën saqë dukej se nuk kishin darovitur ndonjë gjë në arkën e PD. Po afrimin e ditës së zgjedhjeve pozicioni i PD dhe Bashës u bë sa i brishtë aq edhe qesharak. Në janar retushuan fytyrën e Samir Manes nga darka e Dubait, ndërsa në ditët e fundit përpara zgjedhjeve Basha deklaroi se në Shqipëri i vetmi oligark është Edi Rama. Domethënë, mbajti të njëjtin qëndrim si sivëllai i tij rival që pohon pa iu dridhur qerpiku se në Shqipëri nuk ka oligarkë ekonomikë.

    Kjo nuk ishte produkt thjesht i impotencës politike të Lulzim Bashës, por edhe i mënyrës se si është ndërtuar PD këto dekada si parti që përkrah dhe bashkëpunon me më të pasurit që rrugës u shndërruan në oligarkë. Edhe sikur Basha të çmendej dhe një ditë ta merrte seriozisht luftën ndaj oligarkëve, nuk do ta linin ujqit e tjerë në parti të cilët për inerci politike do të kërkonin t’u ofronin oligarkëve një marrëveshje më të leverdishme se ajo me Ramën. Po edhe sikur këta të gjithë të çmendeshin dhe të hiqnin dorë nga pasurimi vetjak, PD nuk mund ta bënte këtë gjë për një apo dy muaj, pa mbështetje mediatike, pa një lëvizje popullore nga pas dhe pa legjitimitetin që krijohet me vështirësi ndër vite. Në këtë kuptim, PD dhe Basha ishin në një situatë pa rrugëdalje: me ose pa oligarkët, ata do të humbnin. Zgjodhën të humbnin duke pasur mbështetjen e pjesshme të oligarkëve, prandaj edhe patën një farë rritjeje në rezultatin e tyre zgjedhor krahasuar me 2017.

    Së dyti, ndryshe nga PS, Partia Demokratike nuk ka një hierarki të qartë partiake dhe i mungon disiplina organizative e rivales së saj. PD nuk është e vetme në opozitë, por një lloj rose e madhe që duhet të tërheqë nga pas një varg rosash më të vogla, secila me tra-la-la-në dhe interesat e veta. Ajo do të duhej të koordinonte zërin jo vetëm me LSI, e cila në të shumtën e rasteve e sfidonte në garën se kush bërtet më shumë, por edhe me të tjera parti të vogla që e shfrytëzojnë më së miri dobësinë e PD për të kërkuar vende të sigurta në listën e deputetëve.

    Si të mos mjaftonte kjo, PD është një parti me dy kryetarë: kryetarin zyrtar që rrugës duket se e ka shtuar disi pushtetin e vet dhe kryetarin “legjendar” hija e të cilit ende frikëson këdo që do të ëndërronte thyerjen e madhe. Askush nga ne nuk e di se si do të përfundonte sot një luftë politike midis Lulzim Bashës dhe Sali Berishës, por është e sigurt që secili prej tyre i druhet kësaj alternative. Kjo e bën Berishën që ta mbështesë Bashën edhe në humbje, si dhe Bashën që t’i bindet Berishës edhe kur e kupton që tanimë ai është shndërruar në barrë të panevojshme për partinë që e pati themeluar.

    Historikisht, nga ana tjetër, PD është ngërthyer në një pozicion nostalgjik më të dobët se PS dhe që nuk do të arrijë të bëhet hegjemonik në shoqërinë shqiptare. Si partia ideologjike e atyre që janë goditur nga regjimi stalinist, PD ngulmon në antikomunizmin e saj arkaik duke e parë hera-herës regjimin e sotëm oligarkik si vazhdim të çuditshëm të stalinizmit. Nevoja për t’u dalluar me PS, por sidomos lufta ideologjike brenda llojit ku ndërtohen hierarki të brendshme se kush ka origjinë familjare më antikomuniste, ka sjellë që figura të rëndësishme të PD të marrin pozita gjithnjë e më reaksionare duke rehabilituar jo vetëm bashkëpunëtorët e nazi-fashizmit, por edhe mbeturina historike si Esat Pashë Toptani. Kjo e ka rrudhur apelin ideologjik të PD, duke e shndërruar në parti gjithnjë e më fanatike ideo-historikisht.

    Duhet thënë se, sado e trishtë të duket, numri i njerëzve që kanë përfituar nga mobiliteti social i stalinizmit shqiptar ka qenë më i madh se i atyre që janë goditur në mënyrë të fortë. Kështu që sot e mot, nëse lufta ideo-historike do të jetë midis “komunistëve” dhe “antikomunistëve”, PS do të arrijë të ketë gjithnjë një bazë më të gjerë elektorale. Paradoksalisht, pavarësisht se komandon një bazë më të gjerë nostalgjiko-historike, PS ia ka dalë të jetë më eklektike në mesazhet e veta publike, duke kombinuar simpatinë publike të Ramës për kolaboracionistët e nazi-fashizmit me qëndrimin tradicional pro-LANÇ-it të gardës së vjetër partiake. Ndërkohë që PD, që do të kishte më shumë nevojë të ishte gjithëpërfshirëse në këtë lëmë, është rrudhur gjithnjë e më shumë duke ekstremizuar qëndrimet e veta. 

    Nga ç’duket deri më tash, PD do t’i rezistojë ndarjes apo shpërbërjes. Fakti që asnjë nga deputetët e zgjedhur nuk është shprehur kundër vazhdimit të kryesimit të Bashës tregon që pakënaqësia brenda radhëve të PD nuk do të arrijë të përfaqësohet seriozisht. Me kalimin e muajve inati i të shumtëve brenda saj do të transformohet në iluzionin e mëhershëm se një ditë populli do të tejlodhet me Ramën dhe do të bjerë si mollë e pjekur në shportën e PD. Qëndrim që do ta kenë edhe opinionistët që deri dje e konsideronin Bashën “instrumentin e fundit për të rrëzuar Ramën”, sot janë zhgënjyer dhe hedhin shkelma, por pas ca kohësh, pa mendim dhe imagjinatë politike që i kapërcen kufijtë e kërleshjes mes PS dhe PD, do ta rimbështesin Bashën në emër të luftës ndaj diktaturës.

    ***

    Këto zgjedhje u karakterizuan edhe nga tentativa e forcave të reja politike për të përfituar nga kriza e legjitimitetit të partive të vjetra. Mirëpo ashpërsimi i konfliktit mes tyre, sidomos në javët e fundit, kontribuuan që një pjesë e atyre që zakonisht janë në dilemë se për kë të votojnë, të rreshtoheshin te partitë e vjetra.

    Sidoqoftë ky është një shpjegim i pamjaftueshëm i dështimit të alternativave të reja në rrafsh kombëtar dhe lokal. Pikësëpari, këto zgjedhje dëshmuan se partitë e krijuara rishtas nuk ia dolën të tërheqin pas vetes krejt votën e të ashtuquajturit elektorat gri, që zakonisht përbëhet nga shtresa e mesme profesionale e qyteteve të mëdha. Në një vend periferik si Shqipëria kjo shtresë nuk ka përmasa të mëdha. Prapëseprapë nëse krahasojmë rezultatin e partive të Fejsbukut dhe kandidatëve të pavarur në Tiranë dhe simotrave të tyre të 2017 (Libra dhe Sfida), do të vëmë re se numri i votave të tyre ka rënë ndjeshëm. Kjo tregon se për të bërë parti nuk mjafton Fejsbuku dhe fotot me ambasadorët, as kacavjerrja e përnatshme nëpër televizione dhe aq më pak vetëbesimi se meqenëse mban veshur bluzën e Ronaldos edhe në fushë do të shfaqësh aftësitë e Ronaldos. Partia dhe lëvizjet shoqërore janë struktura organike, që lindin dhe zhvillohen nga luftërat e përditshme dhe përpjekja për të organizuar klasat dhe grupet e ndryshme shoqërore. Ato as imitohen, as vijnë në jetë prej analogjive shterpe, por bazohen në vetëmohimin e aktivistëve dhe depërtimin në indin shoqëror. Përndryshe bihet në qëndrimin reaksionar të mallkimit të popullit ose atë qurravitës të vjedhjes së mijëra votave.

    ***

    Sigurisht që faktorët e mësipërm nuk janë të mjaftueshëm për ngadhënjim politik, çka shpjegon edhe 580 votat e kandidatit të pavarur Elton Debreshi, të mbështetur nga Organizata Politike dhe shumë vullnetarë e dashamirës anembanë Shqipërisë. Në një fushatë shembullore, ku dhjetëra aktivistë dhe vullnetarë shkuan cep më cep të Dibrës, u takuan mijëra banorë të fshatrave dhe qyteteve, morën mbështetje verbale – simpatia nuk arriti të përkthehej në votë. Njerëzit e pranonin që Elton Debreshi ishte kandidati më i mirë, që ishte i ndershëm dhe do të mbronte interesat e tyre në Kuvend, por ankoheshin se i vetëm nuk do të fitonte dot; se edhe sikur të fitonte, një deputet nuk do t’i vinte dot përpara 139 maskarenjtë e zakonshëm. Përgjegjësia jonë si aktivistë ishte se nuk arritëm t’u jepnim besimin e duhur simpatizantëve të panumërt të Elton Debreshit, t’u shpjegonim jo vetëm me fjalë por edhe me vepra se një deputet luftëtar në Kuvend jo vetëm do të ngrinte zërin dhe tërhiqte vëmendjen kombëtare për minatorët dhe banorët e zonës, por edhe do t’i printe rezistencës punëtore e qytetare në Dibër e Tiranë. Paskëtaj blerja e votave dhe shantazhi me vendin e punës bënë të vetën.

    Sidoqoftë kandidimi i Elton Debreshit nuk kishte për synim parësor fitimin e zgjedhjeve, por popullarizimin e kauzës së minatorëve, rritjen e profilit të sindikatës së re dhe ngritjen e një strukture të shëndoshë punëtore dhe qytetare që do ta thellojë organizimin në vazhdim. Në këto terma, kjo fushatë ishte një sukses i padiskutueshëm.

    Zgjedhjet, në instancë të fundit, nuk janë një garë pa stërkëmbësha ku fiton më i miri. Ato janë rezultantja e marrëdhënieve klasore në shoqëri. Në Shqipëri oligarkia ekonomike është e gjithëpushtetshme, ndërkohë që sapo ka filluar organizimi i klasës punëtore me filizat e parë të lëvizjes sindikaliste. Që punëtoria të triumfojë në kutinë e votimit duhet që më parë të ketë siguruar fitore të rëndësishme dhe të përhapura sektorialisht në terrenin ekonomik. Po përvoja politike e fushatës, nga ana tjetër, ndihmon pikërisht në këtë proces.

    Në këtë situatë të vështirë dëshpërimi veç sa do të na zhyste edhe më thellë në batak. Nevojitet të shkundemi dhe riorganizohemi, të intensifikojmë përpjekjet, të sakrifikojmë më shumë – deri në vetëmohim – për kauza popullore dhe emancipuese. Po mbi të gjitha duhet mendim i qartë dhe strategji e saktë politike. Në javët në vijim do të ngrihen dhe shumohen zërat e bashkimit të të gjithëve me të gjithë – kundër qeverisë, kundër partive, kundër establishmentit, kundër obskurantizmit, kundër “gjithkujt që nuk mendon si puna ime” etj. Po oligarkinë dhe partinë në pushtet nuk mund ta mposhtë një bashkëngjitje mekanike – copëza puzzle-i si ato që i duhen Ramës kur mendon për partinë e Tom Doshit – por një bashkim organik në luftë e sipër, në çdo vend pune e rrugë ku potencialja bëhet fuqi konkrete. Një bashkim i cili, siç u lodh duke na e mësuar historia, mund të ketë fuqi dhe sjellë emancipim vetëm nëse udhëhiqet nga ajo klasë që mban në kurrizin e saj gjithë shoqërinë: punëtorët e krahut dhe të mendjes.   /Teza11/

    Lajmi Paraprak

    Maqedonia e Veriut ‘në dhomën pritëse’ edhe pas qershorit, pak mundësi për fillim të negociatave me BE-në

    Lajmi i rradhës

    Ministria mori vendim që majonezi të mos shërbehet në çerdhet e Maqedonisë së Veriut!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë