Aspak ose shumë pak shanse për fillim të negociatave në qershor të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian. Kjo është përshtypja e ekspertëve të vendit lidhur me rrugën eurointegurse të RMV-së. Dozat e larta të pesimizmit mbisundojnë për disa arsye, shkruan Portalb.mk.
Sipas Malinka Ristevska Jordanovës, nga Instituti për Politika Europiane, mundësitë për nisje të bisedimeve janë të vogla, pasi problemi me Bullgarinë do të zgjasë edhe për një periudhë të caktuar. Kjo për shkak se siç shprehet ajo, vendi fqinj tashmë do të ketë Qeveri teknike deri në korrik, kur edhe duhet të mbahen sërish zgjedhje parlamentare.
“Është e vogël mundësia që Bullgaria të hequr veton në qershor, pasi do të ketë qeveri teknike dhe një palë zgjedhje parlamentare në korrik. Është e vogël mundësia edhe për ndarjen e Shqipërisë në këtë moment, duke qenë se do të jetë e vështirë të arrihet konsensus midis shteteve anëtare. Sidoqoftë, ka gjithmonë mundësi për të pamundurën”, deklaron Ristevska për Portalb.mk.
Ndryshe, mbajtja e zgjedhjeve në vendin fqinj, përkon edhe me fundin e presidencës portugeze, ku ashtu edhe siç pritej nuk shihet ndonjë interesim dhe angazhim i madh për zgjerim të BE-së.
Nga ana tjetër, edhe njohësi i çështjeve eurointegruese Selim Ibraimi për Portalb.mk, shprehet se ashtu siç janë pozicionet dhe qëndrimet e shpallura nga pala bullgare dhe reagimet e fundit të qeverisë së MV-së në qershor vështirë se mund të pritet ndonjë ndryshim rreth heqjes së vetos bullgare dhe nisjes së negociatave me Shkupin. Sipas tij, të dyja qeveritë që nga janari shumë pak kanë punuar në zgjidhjen e problemeve ose thënë ndryshe grupe të ndryshme të interesit kanë punuar në largimin e palëve nga tryeza e bisedimeve.
“Nga deklaratat e fundit të BE-së vërehët se fillimi i negociatave nuk është në agjendë në qershor. Ajo që Sofja dhe Shkupi zyrtarë duhet të bëjnë është ndërtimi i besimit të mirë dhe largimi i aktorëve që e dëmtojnë procesin e negociatave në mes dy vendeve dhe ndryshimet e mundshme në Komisionet ndërshtetërore. Megjithatë, vazhdimi i mbetjes në histori do të shtyjë të gjitha veprimet që lidhen me inegrimet euro-atlantike dhe proceset e reformave në MV. Një element shqetësues që ka marrë formë në dy javët e fundit është afrimi i së Majtës Maqedonase (Levica) me qeverinë dhe tërthorazi kënalet e mira të së Majtës Maqedonase me Ambasadën Ruse e cila është aktive në MV dhe në rajon. Shpresa e politikës maqedonase se nëpërmes ndikimit rus në Bullgari në ndërtimin e koaliconeve bullgare pro maqedonase dhe ruse është e gabuar, pasi ndërlikimet dhe pasojat për MV do të ishin të mëdha në zgjidhjen e çështjes me Sofjen dhe stacionimin e heshtur rus në MV dhe në rajon”, deklaron Ibraimi.
Sipas tij, shpresa e vetme mbetet një diplomaci më aktive nga administrata e Bajdenit në përafrimin e pozicioneve për një zgjidhje të qëndrueshme.
Ndërkohë, Bullgaria, me qëndrimet e saj më të fundit karshi Maqedonisë, tregon se nuk e ka fare ndërmend të ndryshojë qasje.
Qeveria e përkohshme e Bullgarisë, përjashtoi të mërkurën çdo ndryshim në veton e këtij vendi ndaj nisjes së negociatave të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Qëndrimi bullgar preku edhe Shqipërinë e cila ka përparuar në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian së bashku me Shkupin.
“Qëndrimi i Bullgarisë u pranua me konsensus midis të gjitha partive politike në parlamentin bullgar. Si qeveri e përkohshme, ne nuk kemi asnjë autorizim për ta ndryshuar atë,” u tha të mërkurën gazetarëve ministri i ri i jashtëm bullgar, Svetlan Stoev.
Edhe përfaqësuesi i përhershëm i Bullgarisë në BE, ambasadori Dimitar Cançev, në takimin e 11 majit të Këshillit për punë të përgjithshme të BE-së, u shpreh se Bullgaria po përpiqet që problemin me një vend kandidat t’ia heqë parashtesën “dypalësh” dhe ta paraqesë atë si problem për parimet themelore dhe bazat e Bashkimit Europian. Në deklaratat e tij, që e ka transmetuar BGNES, emri i vendit kandidat i përmendur nga ambasadori nuk përmendet asnjë herë, e të cilat janë dhënë në kontekstin e diskutimit mbi të ardhmen europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ky ngërç midis dy vendeve, ka stagnuar edhe rrugën eurointegruese të Shqipërisë, e cila ashtu si Maqedonia e Veriut ka marrë sinjalin pozitiv për nisje të negociatave me BE-në, megjithatë as Komisioni Europian dhe shumë vende anëtare të BE-së nuk janë pro ndarjes së këtyre dy vendeve në këtë rrugëtim.
Përndryshe Maqedonia e Veriut, ashtu edhe siç u cek më sipër, i ka përmbushur kushtet dhe ka marrë dritë jeshile për fillimin e negociatave me BE-në. Megjithatë, ky proces ka mbetur në vend numëro pasi Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.
Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.
Krerët e Maqedonisë së Veriut, megjithëse tentuan të zbusin tensionet, sërish u shprehën se nuk do të negociojnë për identitetin e tyre, pasi kjo bie ndesh me parimet themelore të vetë-përcaktimit dhe standardeve të BE-së.
Përfundimisht nga agjenda e Këshillit Europian u hoqën edhe konkluzat për Ballkanin Perendimor më 18 dhjetor, pasi nuk kishte unanimitet te antarët e Bashkimit Europian.