Festivali i Teatrit të Tetovës këtë vit shënon edicionin e 10-të, një jubile që përkon me një dekadë përkushtim artistik dhe sfida të vazhdueshme. Në këtë intervistë të Nistorit me drejtorin e Teatrit të Tetovës, Hasim Memishi Sopi, flasim për rëndësinë e këtij përvjetori, përpjekjet për ngritjen e nivelit të festivalit, mbështetjen institucionale dhe vizionin për të ardhmen e një tradite që tashmë është bërë pjesë e pandashme e jetës kulturore në qytet e më gjerë.
Nistori: këtë vit shënohet edicioni i 10-të i Festivalit të Teatrit të Tetovës. Çfarë do të thotë ky jubile për ju personalisht dhe për teatrin që e udhëhiqni?
Hasim Memishi Sopi: për mua personalisht, vet fjala “jubile” nënkupton një përvjetor të veçantë dhe një kohë të posaçme festimi. Të shënosh 10 vjet Festival të Teatrit të Tetovës nuk është pak—aq më tepër kur Teatri i Tetovës është themeluar në vitin 2007. Brenda aktiviteteve të institucionit, ky Festival ka zënë një vend të posaçëm: ka sjellë trupa teatrore nga rajoni dhe më gjerë, duke i ofruar publikut tetovar—dhe jo vetëm—arritjet më të mira teatrore. Ky jubile, pra, është një konfirmim i rëndësisë së Festivalit për teatrin që udhëheqim dhe një vlerë e shtuar për kulturën tonë në përgjithësi; për mua, ai përfaqëson përgjegjësi për ta çuar këtë traditë edhe më tej.
Nistori: në këto dhjetë edicione, cila është sfida që po e ndjek vazhdimisht festivalin?
Hasim Memishi Sopi: sfida që na ka ndjekur vazhdimisht në këto dhjetë edicione mbetet e njëjta: mungesa e objektit vetanak të Teatrit. Po të kishim sallën dhe oraret tona, nuk do të vareshim nga rrethanat e paparashikuara që lidhen me aktivitetet e tjera në Qendrën për Kulturë, ku aktualisht realizojmë projektet. Një sfidë tjetër e vazhdueshme është buxheti i pamjaftueshëm i miratuar nga Ministria e Kulturës, megjithatë sivjet kemi edhe përkrahjen financiare të Komunës së Tetovës, e cila po na ndihmon të mbulojmë disa nga shpenzimet kyçe të Festivalit.
Nistori: edhe pse janë bërë disa muaj që jeni në krye të teatrit. Çfarë do të bëni për ta ngritur festivalin në nivelin që publiku tetovar e pret?
Hasim Memishi Sopi: edhe pse flitet për një kohë të shkurtër që jam në krye të Teatrit synimi im është që publiku ta ndjejë menjëherë ngritjen e nivelit. Këtë vit programi është ndërtuar mbi shfaqje të provuara dhe të pëlqyera nga audienca—sepse publiku është prioriteti ynë. Në planin organizativ kemi konsoliduar stafin, qartësuar protokollet dhe oraret; ceremoninë hapëse dhe aktivitetet pas shfaqjeve me takime e diskutime; të gjitha janë menduar si pjesë e vetë përvojës së festivalit. Jam i bindur se ky organizim edhe brenda një afati të shkurtër, do të dëshmohen në sallë: publiku tetovar do të jetë dëshmitari kryesor i nivelit që synojmë.
Nistori: si është gjendja me buxhetin e festivalit kesaj radhe? Cilat janë disa masa konkrete që keni marrë për ta bërë festivalin më të qëndrueshëm financiarisht — sponsorizime, partneritete, ndonjë institucion tjetër?
Hasim Memishi Sopi: buxheti si gjithnjë mbetet i kufizuar, por sivjet përveç fondeve të Ministrisë së Kulturës kemi edhe një shtyllë të rëndësishme—përkrahjen financiare të Komunës së Tetovës, e cila është shprehur me gatishmëri serioze të mbështesë jo vetëm Festivalin, por edhe dy shfaqje të tjera në kuadër të programës vjetore. Kjo ka shumë rëndësi, pasi autoritetet komunale më në fund kanë kuptuar nevojën për të qenë mbështetje e qëndrueshme e jetës kulturore në vendin ku funksionon ky Teatër. Në realizimin e sivjetshëm të Festivalit kemi partneritete me hotele, transport, restorante e teknikë skene për të ulur kostot e akomodimit, logjistikës, ushqimit etj., si dhe marrëveshje me media-partnere për promovim të zgjeruar. Qëllimi im është të mos varet Festivali nga një burim i vetëm, por të ndërtohet një ekosistem mbështetjeje—institucionale, komunale dhe private—që e mban Festivalin të qëndrueshëm dhe në nivelin që publiku tetovar e pret.
Nistori: e ardhmja e festivalit! Cilët teatro do të marrin pjesë dhe keni ndonjë fokus te gjinia teatrale? Mund të flisni pak për programin?
Hasim Memishi Sopi: e ardhmja e festivalit është shumë shpresëdhënëse: sa më e lartë cilësia e prodhimeve, aq më i begatë bëhet vetë Festivali. Këtë edicion ndjekim një vijë të qartë kuratoriale te drama dhe komedia—“vaj e të qeshura”—dy zhanre që publiku tetovar i do dhe i frekuenton. Më 01 Tetor 2025, Festivalin do ta hapë Teatri “Adriana” i Ferizajt me shfaqjen e tyre të suksesshme “Fluturimi mbi Teatrin e Kosovës” me autor Jeton Neziraj dhe regji nga Agon Myftari). Më 06 Tetor 2025 në mbyllje publiku do të ketë rastin të ndjekë premierën e shfaqjes më të re të Teatrit të Tetovës Në përballje me vdekjen” me autor: August Strindberg dhe regjisore Afërdita Nuhiji.
Programi i plotë (01–06 tetor 2025):
· 01.10.2025 – Teatri “Adriana” – Ferizaj, Kosovë — FLUTURIMI MBI TEATRIN E KOSOVËS (Autor: Jeton Neziraj; Regjisor: Agon Myftari)
· 02.10.2025: Teatri Kombëtar i Kosovës – Prishtinë, Kosovë — ART (Autor: Jasmina Reza; Regjisor: Bashkim Ramadani)
· 03.10.2025: Teatri i Qytetit “Abdulla Krashnica” – Preshevë, Serbi — NJË DORËZIM NË SPOKAN (Autor: Martin Mcdonagh; Regjisor: Afeida Boriçi Memeti)
· 04.10.2025: Teatri i Qytetit & ANAMOUR – Gjilan, Kosovë — DJALI (Autor: Florian Zeller; Regjisor: Erson Zymberi)
· 05.10.2025: Teatri i Gostivarit – Maqedonia e Veriut — NJERIU QË PA VDEKJEN ME SY (Autor: Viktor Eftimiu; Regjisor: Elmir Sejfullai)
· 06.10.2025 – Teatri i Tetovës — premierë NË PËRBALLJE ME VDEKJEN (Autor: August Strindberg; Regjisore: Afërdita Nuhiji)
Nistori: çfarë mësuam nga edicioni i 9-të që mund ta përmirësoni për të 10-tën herë?
Hasim Memishi Sopi: nga edicioni i 9-të por edhe nga të tjerat edicione mësuam se gjithmonë ka vend për përmirësim. Ajo që varet nga ne e adresojmë me përgjegjësi; për pjesët që s’varen plotësisht nga ne, shpesh është e vështirë të shpjegohen nga jashtë—duhet të jesh pjesë e procesit që t’i kuptosh. Për të 10-tën herë po provojmë një qasje të re ndaj publikut: pa e ngarkuar me kosto, kemi vendosur modelin me pagesë vullnetare—kush e sheh të arsyeshme, paguan biletën dhe kontribuon; kush jo, hyn falas. Ky është një hap për ndërgjegjësim ose njëlloj “test i ndërgjegjes” së publikut që e do dhe e vlerëson teatrin, në mënyrë që së bashku ta rrisim cilësinë dhe qëndrueshmërinë e Festivalit. /Nistori/






