Kushti i “traditës” penalizon festivalet shqiptare, reagon Skena e Muzikës Serioze Shqiptare

    Organizatorët e festivalit “Skena e muzikës serioze shqiptare” kanë dalë me një reagim publik ndaj kushteve të vendosura në konkursin e Ministrisë së Kulturës për mbështetjen financiare të manifestimeve kulturore, përcjell Nistori.

    Në reagimin e tyre, ata theksojnë se kriteri i ashtuquajtur i “traditës” është i padrejtë dhe përjashton qartazi festivalet shqiptare.

    “Vitin e kaluar për herë të parë u vendos një kusht absurd: festivalet për të marrë buxhet maksimal duhet të kishin mbi 40 vite traditë. Ky kriter përjashton në mënyrë të qartë manifestimet shqiptare, të cilat për arsye historike e politike kanë filluar shumë më vonë, për shkak të politikave antishqiptare të ish-shtetit jugosllav. Është paradoksale që vetë Republika e Maqedonisë së Veriut është më e re se 40 vite, ndërsa nga festivalet kërkohet një traditë që kthehet në kohën e Jugosllavisë.”

    Sipas organizatorëve, edhe pse këtë vit kushti u ul nga 40 në 35 vite, diskriminimi mbetet i njëjtë.

    Standard i dyfishtë në zbatimin e rregullave

    Në reagim theksohet se kriteret nuk janë zbatuar njësoj për të gjithë, pasi festivalet maqedonase janë përjashtuar nga këto kufizime.

    “Edhe pse vjet kushti u shpall si i detyrueshëm, ai nuk u aplikua për festivalet maqedonase. Madje, një festival maqedonas me më pak se 5 vite traditë mori buxhet dyfish më të madh se shumë festivale shqiptare me reputacion. Ky standard i dyfishtë tregon mungesë të barazisë dhe objektivitetit në shpërndarjen e mjeteve publike.”

    Heshtje institucionale ndaj ankesave

    Organizatorët e festivalit bëjnë të ditur se ankesat e tyre pranë Komisionit të Shkallës së Dytë nuk kanë marrë përgjigje deri më sot.

    “Përfaqësues të ndryshëm të komisioneve na kanë siguruar se kushti i ‘traditës’ do të hiqej këtë vit – por premtimet e tyre kanë rezultuar të pavlefshme.”

    Kërkesat e festivalit

    Organizatorët kërkojnë publikisht:

    • Heqjen e menjëhershme të kushtit mbi “vjetersinë” e festivaleve dhe bazimin e mbështetjes vetëm në cilësinë artistike e programore.
    • Transparencë dhe barazi reale në ndarjen e buxheteve për të gjitha festivalet.
    • Shqyrtimin e kërkesës së përsëritur për shpalljen e festivalit si manifestim shtetëror.

    Në fund të reagimit, theksohet se arti nuk duhet të matet me vite kalendarike, por me vizion dhe ndikim shoqëror:

    “Arti nuk matet me vite kalendarike, por me vizion, ide dhe ndikim shoqëror. Çdo përpjekje për të penguar festivalet shqiptare në Maqedoni është një përsëritje e padrejtësive historike, të cilat nuk duhet të kenë vend në një shtet që pretendon barazi qytetare.” /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Qytetarët në RMV s’e ndjejnë shtrenjtimin e cigareve

    Lajmi i rradhës

    Më shumë nisma qytetare, më shumë demokraci reale!

    Lajme tjera

    Ç’është dashuria 

    Orhan Pamuk Dashuria është dorëzimi. Dashuria është shkaku i dashurisë. Dashuria është të kuptosh. Dashuria është një muzikë.…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë