Zufer Bajrami
Partitë tona pa tekst e pa zë, por njëkohësisht qartë e shumë zëshëm, në përsëritje e kanë shpalljen që thotë: “Na duhen njerëz për të sunduar mbi të tjerët, për të manipuluar, dhe për t’u pasuruar në mënyrë të pandershme”.
Para pak ditësh, nisma “Më Mirë Për Tetovën” shpalli listën e saj për zgjedhjet lokale në Tetovë, ndërsa para tyre, Visar Ademi shpalli kandidaturën e pavarur në Gostivar. Në këtë rast ndoshta do të mund të përmendja edhe nisma tjera (kuptohet demokratike) edhe në komuna tjera, por fatkeqësisht, nuk jam mjafueshëm i informuar për ndonjë të tillë. Sidoqoftë, edhe ata nuk janë të përjashtuara nga ajo për të cilën dua të shkruaj në këtë tekst.
Nuk është se kam diçka të veçantë apo propagandistike për të thënë për këto nisma në kuptimin e përpjekjes për t’i bindur njerëzit t’i votojnë ato. Asgjë të posaçme për individët në listën e “Më Mirë Për Tetovën” dhe kandidaturën e Visar Ademit në Gostivar (e pranoj, renditja është krejtësisht lokaliste). Por, mund të them se jam shumë i motivuar ta shoh pozitivisht fenomenin e paraqitjes së aktorëve të rinj jashtë kornizave tradicionale partiake në garën për komunat.
Një nga librat më interesant që kam lexuar kohëve të fundit, i cili trajton edhe dinamikën e aktorëve të rinj në qeverisje dhe vendimmarrje, titullohet “Corruptible: Who Gets Power and How It Changes Us” (në shqip: “Të korruptueshëm: Kush fiton pushtet dhe si na ndryshon pushteti”). Autori, Brian Klaas, përpiqet të testojë pohimin e famshëm të Lord Acton: “Pushteti korrupton; pushteti absolut korrupton absolutisht”, duke e kundërshtuar me hipotezën e tij se pushteti nuk korrupton domosdoshmërisht, por problemi qëndron te njerëzit e korruptueshëm, të cilët në proporcion më të madh sesa të tjerët synojnë dhe shpesh arrijnë ta marrin pushtetin.
Ai në këtë libër sjell një sërë shembujsh dhe eksperimentesh nga fusha të ndryshme, nga shkencat politike te gjenetika e psikologjia. Duke qenë se ky tekst nuk është recension libri, do të përdor vetëm njërin prej shembujve, i cili është shumë shpjegues për dinamikën që autori eksploron, por edhe për mbështetjen që i jep motivimit tim për të parë pozitivisht aktorët e rinj jo partiakë në politikë.
Besoj se shumë nga ju keni lexuar apo parë ndonjë dokumentar apo film të frymëzuar nga eksperimenti i famshëm i burgut të Stanfordit. Për rikujtim, profesori i psikologjisë Philip Zimbardo ftoi studentë si pjesëmarrës në një eksperiment psikologjik. Në një bodrum të universitetit, studentë të ndarë në role të rojeve dhe të burgosurve duhej të rikrijonin dhe të përjetonin jetën e burgut. Brenda pak ditësh, eksperimenti u shndërrua në një skenë të tmerrshme, ku sipas raportimeve studentët që kishin rolin e rojeve ushtruan dhunë të paparë fizike dhe psikologjike ndaj studentëve “të burgosur”. Pasi u zbulua, eksperimenti fatmirësisht u ndërpre para kohe. Përfundimi i raportuar ishte se, në të vërtetë, njerëzit janë vetëm një uniformë apo një post larg së qenit monstra. Rrjedhimisht, teza e Lord Acton se “pushteti korrupton, pushteti absolut korrupton absolutisht” është e saktë.
Por ky nuk është tregimi i plotë. Jehona mediatike e eksperimentit nënvizoi vetëm dhunën e rojeve, pa raportuar se jo të gjithë studentët “roje” kishin abuzuar me të burgosurit,çka e vendos në provë pohimin e Lord Acton se pa marrë paraysh motivet, natyra njerëzore domosdoshmërisht korruptohet nga puhsteti.
Një universitet tjetër, shumë vite më vonë, u fokusua te gjuha dhe formulimi i shpalljes së eksperimentit të Stanfordit, i cili ftonte studentët në një “studim psikologjik mbi jetën në burg”. Hulumtimi i ri rikrijoi shpalljen në dy versione. Njëri që ftonte studentët në një “studim psikologjik” dhe tjetri që i ftonte të rikrijonin “jetën në burg”. Kur analizuan personalitetet e atyre që u paraqitën në shpalljet respektive, rezultatet ishin shumë interesante. Kandidatët që aplikuan për “studimin e burgut” kishin nivele dukshëm më të larta agresiviteti, autoritarizmi, narcisizmi dhe prirjeje për dominim, si dhe më pak empati dhe altruizëm. Në këtë pikë, hipoteza e autorit merr mbështetje. Pushteti jo domosdoshmërisht korrupton, por problemi qëndron te personat e korruptueshëm, të cilët tërhiqen nga pushteti e shpesh edhe e fitojnë atë.
Nëse shpallja e eksperimentit të burgut shihet si metaforë, partitë tona pa tekst e pa zë, por njëkohësisht qartë dhe shumë zëshëm, në përsëritje e kanë shpalljen që thotë: “Na duhen njerëz për të sunduar mbi të tjerët, për të manipuluar, dhe për t’u pasuruar në mënyrë të pandershme”.
Ne të gjithë jemi dëshmitarë se kush i përgjigjet kësaj shpalljeje? Jo më të mirët, jo më të ndershmit, jo më të diturit, por më të “korruptueshmit” nga ne.
(Nuk them se nuk ka njerëz të ndershëm nëpër parti politike, me siguri janë shumë, por vlerësuar nga ajo që partitë politike manifestojnë, kam përshtypje se këta njerz janë skajshmërisht të mbivotuar).
Nëse unë e shoh nismën “Më Mirë Për Tetovën”, apo kandidaturën e pavarur të Visar Ademit pozitivisht, është pikërisht sepse ato (jo si emra, por më shumë si fenomen) mund të përfaqësojnë një tentim për të prishur status quo-në e padrejtë të partive politike tradicionale. Këto parti, të cilat te ne prej dekadash funksionojnë si çerdhe të klientelizmit, korrupsionit dhe nepotizmit, nuk kanë asnjë interes të prodhojnë politikë të ndershme dhe të përgjegjshme. Përkundrazi, janë të dizajnuara të shpërndajnë dhe përforcojnë energji që është atraktive vetëm për individë të gatshëm t’i bashkohen logjikës së abuzimit dhe përfitimit.
Në këtë pikë, shfaqja e aktorëve të rinj politikë, qofshin nisma qytetare, kandidatura të pavarura apo forma të tjera të organizimit demokratik, përfaqëson një hap drejt një demokracie që për momentin ende nuk është.
Kuptohet, nuk ka garanci se këta të rinj jashtë partive nuk do të bien në të njëjtat gracka, por nëse ky trend vazhdon të rritet, jam i bindur se do t’i bëjë mirë jo vetëm qytetarëve, por edhe vetë partive politike dhe vendit në përgjithësi.
P.S. Autori i liberit të cilit i referohem ndoshta nuk arriti ta zgjidhë dilemën e tij, por në proces identifikoi 10 leksione shumë të vyera, që mund të ndihmojnë për të mbajtur nën kontroll tendencat negative të pushtetit. Ata që dëshirojnë ta lexojnë librin dhe nuk e gjejnë, mund të më kontaktojnë për një version PDF në anglisht.
*Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.






