Fytyra e Nanës

    Sabri Hamiti

    Si ta kem Fytyrën e Nanës
    Kur ajo vjen mbasi bie terri
    E ma vjedh gjumin prej syve?

    Kërkon t’i veshi pantollat e fëmijnisë
    T’ia them këngës për dhëmbin e syrit
    Ta qes plisin në një sy.
    Në gojë përshëndetja: udha e mbarë!

    Si ta gjej Fytyrën e Nanës
    Kur unë ndezi dritën
    Ajo largohet e nuk flet?

    Ja lypi përqafimin
    Ja lexoj librin e shurdhët
    Ja rigoj fjalët me lot
    Shikimin në gropat e syve.

    Si ta bëj Fytyrën e Nanës
    Ta qes para vetes në mur
    Kështu bëhet Natyrë e vdekur.

    Përmend babën, vëllazërit, motrat
    Thotë jam bërë i sertë nga goja
    Se rrudhat po ma prishin ballin
    Qe tri vjet me radhë pa ndalë.

    Si ta kem Fytyrën e Nanës
    Kur ajo vjen mbasi bie terri
    E ma vjedh gjumin prej syve?

    Herrma barin e njomë mbi varr
    Zbulo mishin e gjallë të Dheut
    Lutjen lidhe në buzë si lulen
    Mos e harro zejen e shkrimit.

    Si ta harroj Fytyrën e Nanës?
    Ngris duart lakuriq kah qielli,
    Qielli është i zbrazët.

    Hiqmë prej syve, mbajmë në zemër! 

    Lajmi Paraprak

    Kosova të shtyjë afatin për riregjistrimin e targave të makinave serbe

    Lajmi i rradhës

    Kina po tenton “të dëmtojë” sistemin gjyqësor amerikan

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë