Aristoteli, që me të drejtë quhet themeluesi i etikës së virtytit, besonte se njeriu nuk mund të jetojë një jetë të mirë jashtë një shoqërie të mirë. Virtyti, për të, nuk është një cilësi individuale e mbyllur në vetvete, por një arritje e përbashkët e qytetarisë. Një njeri i drejtë, thoshte ai, është i paimagjinueshëm në një polis të padrejtë, sepse drejtësia është një virtyt që kërkon vetë kushtet e drejtësisë për t’u ushtruar. Në një rend të kalbur, ku as politika, as gjykatat, as policia, asnjë institucion nuk luan me rregulla të ndershme, njeriu i drejtë bëhet i pambrojtur. Ndershmëria e tij shihet si naivitet, ndërsa parimet e tij si dobësi. Ai shndërrohet në pre e shoqërisë që nuk njeh më as turp, as kufij moralë.
Ky është paradoksi i shoqërive të korruptuara: ato ndëshkojnë virtytin dhe shpërblejnë vesin. Në to, morali shndërrohet në strategji, drejtësia në kompromis, dhe e vërteta në instrument për pushtet. Aristoteli do të kishte thënë se në një polis të tillë, shpirti qytetar sëmuret. Sepse njeriu mëson të mbijetojë, jo të jetë i mirë; mëson të shmangë të drejtën, jo ta ndjekë atë. Në fund, korruptohemi të gjithë, jo vetëm sepse na imponohet, por sepse mësohemi me idenë se kështu është jeta.
Në thelb, kjo është gjendja jonë sot. Ne kemi zhvilluar një tolerancë të jashtëzakonshme ndaj korrupsionit, sikur të ishte ndonjë ligj i natyrës që nuk mund të ndryshohet. Ne e kuptojmë se korrupsioni na varfëron, na poshtëron dhe na zhvesh nga çdo mundësi për të jetuar dinjitetshëm, por përsëri e pranojmë. Kjo është shenja më e qartë e degjenerimit moral të një populli: kur e di se po e shkatërron vetveten, dhe prapë nuk ndryshon.
Në një shoqëri të tillë, idealet humbasin terren. Sepse idealet nuk janë fjalë boshe, por kërkojnë njerëz të zotë për t’i mbajtur. Ato kërkojnë integritet intelektual, forcë morale dhe besim në mundësinë e së mirës. Por këto janë virtyte që nuk mbijnë vetë. Duan kujdes, duan arsim që mëson të mendohet ndershmërisht, duan institucione që shpërblejnë drejtësinë dhe ndëshkojnë mashtrimin. Kur këto mungojnë, lind cinizmi: bindja se çdo njeri ka një çmim, se çdo gjë është e blerë, se çdo ideal është hipokrizi. Cinikët janë bijtë e shoqërive pa virtyt.
Politikanët tanë janë produkt i kësaj toke. Nuk janë dërguar nga ndonjë planet tjetër. Janë rritur me ne, në të njëjtin moral publik të rrënuar, në të njëjtat rrethana që i mësojnë njeriun të shpëtojë, jo të përmirësojë. Prandaj, s’duhet të habitemi kur i shohim të korruptuar, të pashpirt apo të paturp. Ata janë pasqyra jonë. Ne i vuajmë sepse ne i kemi bërë të mundur. Në këtë kuptim, kriza jonë politike është pasojë e drejtpërdrejtë e krizës sonë morale.
Megjithatë, çdo rigjallërim moral duhet të fillojë diku. Por këtu lind një dilemë e vjetër sa vetë filozofia: si mund të jesh i drejtë në një shoqëri të padrejtë? Si mund të ruash virtytin kur çdo strukturë që të rrethon e shpërblen vesin? Në kushte të tilla, kërkesa “të fillojmë nga vetja” tingëllon e ndershme, por ajo përplaset me një pengesë reale: një rend i kalbur nuk lë vend për ndershmëri pa ndëshkim. Ai që përpiqet të jetojë me dinjitet bëhet ose viktimë, ose qesharak.
Por pikërisht këtu qëndron sfida morale. Nëse presim që shoqëria të bëhet e drejtë përpara se të bëhemi vetë të drejtë, ajo kurrë nuk do të ndryshojë; por nëse përpiqemi të jemi të drejtë në një shoqëri të padrejtë, rrezikojmë të mos mbijetojmë. Kjo është gjendja jonë: të detyruar të mbajmë ndezur një dritë që bota përpiqet ta shuajë.
Aristoteli do të kishte thënë se virtyti në kushte të tilla nuk është më harmoni, por qëndresë. Është aftësia për të ruajtur një masë integriteti edhe kur ajo nuk sjell as shpërblim, as lavdi. Është të refuzosh të bëhesh pjesë e padrejtësisë, edhe kur drejtësia është e pamundur. Ky nuk është virtyt në kuptimin e plotë politik, por është fara e tij morale. Dhe nëse ajo mbin, mund të rritet një ditë edhe rendi që e meriton.
Ne nuk mund të jemi plotësisht të drejtë në një shoqëri të padrejtë, por mund të jemi mjaftueshëm të drejtë për të mos u bërë si ajo. Kjo është mënyra e vetme për të thyer rrethin e mbyllur të korrupsionit dhe cinizmit: duke mbajtur të gjallë idenë e virtytit edhe kur praktika e tij është e përjashtuar. Vetëm kështu, ngadalë, mund të ngrihet një moralitet i ri publik, dhe me të, një politikë e re e dinjitetit.
Sepse, siç do të thoshte Aristoteli, qyteti nuk është asgjë tjetër përveç shpirtit të qytetarëve të tij. Dhe një shpirt i kalbur nuk mund të ndërtojë një polis të drejtë. Por një shpirt që e ruan virtytin, edhe kur bota përreth është e kalbur, mund të bëhet farë e rilindjes. Dhe ndoshta aty, në këtë qëndresë të heshtur, fillon kërkimi ynë për virtytin e humbur.
*Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.






