Në Shqipërinë tonë të vogël

    DITAR TETOVAR
    30 dhjetor 2024

    Kujtim Shabani

    “Po shkoj n’Shkup”, “Jam n’Shkup”, “Isha n’Shkup”, “Po vij nga Shkupi”, “Sapo erdha nga Shkupi”, “Po shkoj prapë n’Shkup”, i dëgjoj vazhdimisht kur jam në Tetovë.

    Sapo u futëm në autostradë, në dalje të Tetovës, më merr në telefon për t’u takuar një shok, me të cilin rrimë shpesh bashkë në Tetovë. Dhe m’u desh mua ta shqiptoj fjalinë e kaqdëgjuar “Po shkoj n’Shkup”! Dhe e lëmë ta thërras kur të kthehem në Tetovë. Unë e shoqërova kunatin dhe shokun tim për në kryeqytet, sepse duheshin dy shoferë për të marrë një veturë.

    Rrethi im e di se nuk shkoj me ndonjë dëshirë të madhe në Shkup. Ndonëse Shkupin e kam zbuluar shumë më parë se rrethi im. E kam njohur me katër vjeç. Dhe e kam njohur në një kontekst fatkeq. Pa fajin e Shkupit dhe të njerëzve të tij të mirë, këtë qytet e identifikoj me atë fatkeqësi dhe me një kalvar që e ka munduar fort familjen time. Më 1981, si anëtar i një grupi ilegal, u burgos xhaxhai im i dytë, Daim Shabani. Ai i dergji shtatë vite si i burgosur i ndërgjegjes në Idrizovë.

    Bashkëshortja, prindërit, motrat e vëllezërit, si dhe fëmijët kishim të drejtë ta vizitonim një herë në muaj. Përveç këtij rrethi, nuk mund ta vizitonte tjetër njeri. Rreth një vit, sa ishte në hetime, nuk mund ta vizitonte asnjeri. Herë-herë autoritet gjenin ndonjë sebep për t’i mohuar vizitat edhe më pastaj. Për shembull kur ai ndodhej në ndonjë grevë urie. Kishte disa stacione sa të mbërrinim te ai. Bënte vaki na kthenin mbrapsht në momentin e fundit.

    Ditat e vizitave ishin gëzim dhe gazep. Në vizitë te xhaxhai na shpiente ndonjë mik shtëpie që kishte veturë. Të shumtën e herave udhëtonim me autobus, atë të linjës Tetovë-Shkup, pastaj me urban.

    Atë ditë që shkonim për vizitë te xhaxhai, zgjoheshim me natë, nga ora katër e mëngjesit. Mbase që nga ajo kohë s’e dua as mëngjesin! Ne fëmijëve na porosisnin të mos përmendim gjëra që fliteshin në shtëpi. Dhe në shtëpi flitej shumë për Shqipërinë. Më pas e shikonim ilegalisht Televizionin Shqiptar. Xhaxhai na kishte mësuar të përshëndesnim me “Rroftë Shipnia!”…

    Ishte një udhëtim i rëndë. Në Shkup më dukej se flitej vetëm maqedonisht. Dhe vetëm në urdhërore! Në buzëturinore! Në Idrizovë na grumbullonin në një hapësirë të ngushtë dhe na vononin për orë të tëra deri sa na thërrisnin për në sallën e takimit. Rreth e përqark policë të vrenjtur – buzëvarur e turishtrembër. Vetëm xhaxhai dilte buzëqeshur! I gëzoheshim takimit me njëri-tjetrin. Por buzëqeshja e tij, ishte më tepër një karshillëk për policët, autoritetet, sistemin, që e kishin për detyrë ta thyenin.

    Rreth një orë qëndronim bashkë në një sallë të madhe. Një pikturë e madhe binte aq shumë në sy në një faqe muri. Kujtoj, ishte ajo piktura e ushtarit të plagosur në Betejën e Kosovës, që ia shuan etjen një vajzë me bucelë. Pastaj ktheheshim në Tetovë, në shtëpi, në Shqipërinë tonë të vogël! Ktheheshim të shituar, por edhe krenarë. Krenarë!

    Më 1988 xhaxhai doli nga hapsanja, pasi i vuajti ditë më ditë shtatë vjet burg. Më 1991, familja e ngushtë u vendosëm në Zvicër. Filluan shkuarje-ardhjet me avion. Përsëri nga Shkupi! Përsëri me natë!

    Momentet e ndarjes ishin të zymta. Si morti! Dilnin t’na përcillnin me fis e me farë e me komshi. Për në aeroportin e Shkupit! Gjithmonë pa gdhirë dita! Plaste kuja. Plak e i ri, i madh e i vogël, burrë e grua, motër e vëlla… qanin. Skena të denja për trashëgiminë kulturore të UNESCO-s.

    Atëbotë çdo familje e kishte një në mërgim, sot nga çdo familje vetëm një ka ngelur në shtëpi. Tani teknologjia i ka shkurtuar largësitë dhe njerëzit janë mësuar me mërgimin. Edhe xhaxhai im mërgoi më pas. Para burgut kishte punuar në Zvicër dhe në Austri. Ai ndërroi jetë në Itali. Kur po e përcillnim për në mërgimin e fundit, në oborr m’u qas një i panjohur që rrinte si më larg. Ai e kishte takuar xhaxhain në Itali dhe nuk ikte pa e shprehur pikëllimin: “Eh, la Daim ishte burrë!” Distancën me të shkuarit në amshim e shkurton vetëm kujtimi i tyre. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!

    Si mbaruam punë me kunatin në Shkup, unë ndalova në lagjen më të madhe me shqiptarë për ta takuar një shokun tim nga koha e gjimnazit. Me të flasim “për Shkup e Shkodër”. Ai që na shërben në lokal na dallon dhe na flet si ne. “Jam nga Tetova!”, thotë në fund, “por jam martuar këtu dhe jam vendosur këtu”.

    Në Shkup tetovarët shkojnë për një punë buke, për një punë me prestigj, për një mjekim më të mirë, për një petk të bukur, për një drekë ekskluzive… Qoftë për të ikur pak nga Tetova. Unë s’e kam asnjërën nga këto arsye për Shkupin, kryeqytetin e moçëm të Vilajetit të Kosovës, një ndër qendrat më të mëdha me shqiptarë në Ballkan, ku ata duket se qëndrojnë më mirë se para ndonjë dekade. Unë iki nga të gjitha për Tetovën!

    Dhe ngutem për në Tetovë pa u shtruar mirë terri. Nata dua t’më zërë në një vend të ngrohtë për shpirtin tim! Sa mbërrij në Tetovë, e thërras shokun tim, siç e lamë kur më mori rrugës për në Shkup. “Tani jam nisur unë, kah shkoje ti më herët”, më thotë: ”Po shkoj n’Shkup!”

    *Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    UJI I PIJSHËM NUK ËSHTË LUKS

    Lajmi i rradhës

    MMPT: mbetet e paqartë nëse gjuha shqipe është gjuhë zyrtare apo e përkthyer

    Lajme tjera

    Opsesioni i Kafkës

    METAMORFOZA NË TERRENIN E PËRHIMËT Libri “Tregime dhe fragmente në prozë” i Kafkës na mëson për prozën jo…
    Më tepër

    Zemërimi jonë

     Lasgush Poradeci Si të t’a them të shkretën vojtje që ndjej në zemër ças-përças,Atë durim të padurura të…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë