Gazetar | Emir Hamzai
Në ekranin e madh të CinePlex në Shkup është shfaqur premiera e filmit artistik i metrazhit të gjatë “I treturi” nga regjisori Arben Thaçi. Premiera ishte e mbyllur dhe filmi u shfaq me një numër të kufizuar të pjesëmarrësve, për shkak të masave parandaluese të Covid-19, shkruan Nistori.
Kasti i aktorëve përfshin emra të njohur nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria si: Sotiraq Bratko, Eva Alikaj, Refet Abazi, Kejdi Ademi, Afrim Muçaj, Sheqerije Buçaj, Adem Karaga, Blerim Ismani, Arsim Fazlia, Neritan Liçaj e shumë aktorë të tjerë.
Filmi është një dramë psikologjike me elemente të luftës që përfshin periudhën e fundit të luftës së dytë botërore, film me motive nga romani i Abdylazis Islamit.
Protagonisti i filmit i luajtur nga aktori Sotiraq Bratko, thotë se roli përshkruan kujtimet e tij, që përpiqet të na zbulojë diçka nga e kaluara e tij e mjegullt, diçka që e fsheh nga njerëzit, gruaja (Eva Alikaj) madje edhe nga vetvetja.
“I treturi” është prodhim kinematografik i produksionit Arbfilm, i financuar nga Agjencioni i Filmit i Maqedonisë së Veriut, ndërkaq si bashkëprodhues minoritar është përfshirë Qendra Kinematografike e Kosovës përmes Ikone Studio me producentët: Valon Bajgora, Yll Uka dhe Agon Uka, si dhe Qendra Kinematografike Kombëtare e Shqipërisë përmes produksionit B&G Film Pro me producent Besnik Bisha.
Drejtor fotografie është Vlatko Samoilovski, Bilgaip Koçishta në funksion të skenografit, kostumet janë dizajnuar dhe përgatitur nga Albulena Borovci dhe muzika është komponuar nga Trimor Dhomi.
Përndryshe, filmi sapo ka filluar rrugëtimin në festivalet vendore dhe ato ndërkombëtare, ku do të garojë në festivalet e kategorisë A dhe pritshmëritë për çmime janë të mëdha. /Nistori/