Panteoni i harruar

    Kujtim Shabani / Fotografia: Halim Luta

    SHËNIME NGA TETOVA
    Kujtim Shabani

    Në kohën e fëmijërisë sime, në Tetovë, qytetit dilnim në këmbë. Nga do që të merrje, nuk kishte si të mos i bie nga Pallati i Kulturës. Një ngrehinë e re, ku para disa viteve kishte qëndruar një xhami e bukur dhe e vjetër, të cilën sistemi komunist jugosllav e shembi dhunshëm. Aty komuniteti mysliman i Tetovës, shumica dërrmuese shqiptarë, e ushtronte besimin e tij. Për më tepër, ajo ishte pjesë e identitetit kulturor të qytetit. Shembja e saj nuk ishte kaluar pa zemërim dhe pa bujë.

    Para Pallatit të Kulturës, qëndron ende një memorial i Luftës së Dytë Botërore nga viti 1961, “Gratë luftëtare” i artistes tetovare të kohës së Jugosllavisë, Borka Avramova. Një grua me grusht të shtënguar nuk mund mos të të bëjë përshtypje. “Kush është kjo, o babë?”, e pyesja kur kalonim andejpari duke treguar me gisht nga përmendorja. “Filanica!”, më përgjigjej ai shkurt pa u zgjatur, dhe vazhdonim ecjen duke më shtrënguar përdore.

    “Filanica” ishte një grua e lagjes, pasioni i së cilës ishte të grindej me gra e me burra. Sidomos burrat i shmangeshin sherrit me të, se s’donin të koriteshin me një grua. Kjo i krijonte asaj iluzionin e një trimëreshe dhe kapardisej disa herë në ditë nëpër lagje për t’u dukur. “Pse nuk ka një përmendore për Dadën Kadire?!”, mendoja si fëmijë, e cila i rregulloi njëherë samarin “Filanicës”. Halla e nënës, një burrneshë në moshë, nga një rrugicë më poshtë, i erdhi asaj me një shkop në dorë dhe i foli ca fjalë të ashpra, sa “Filanica”u step.

    Shkupi është njëri ndër qytetet me më shumë përmendore! Për dendësinë e tyre ai njihet në botë si “qyteti i statujave”. Me këtë u konkurron qyteteve të njohura të Evropës, Amerikës, Kinës dhe Indisë. Ky hov i përurimit të përmendoreve në Shkup zë fill me rindërtimin pas tërmetit të 1963-shit dhe i jep karar me projektin megaloman “Shkupi 2014”. Nami i bronxit, mitit e kiçit është derdhur në kompleksin qeveritar dhe qosheve të tij. Në këtë vorbull e gjen edhe një mnemoteknikë të Nënë Terezës, të tëhuajtur nga identiteti i saj kombëtar.

    Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut s’i durojnë; as si myslimanë, as si të krishterë!

    Shkupi është një model për t’u refuzuar. Por, një qytet me kaq banorë dhe histori sa Tetova, nuk mund t’i lërë hapësirat e tij vetëm për kazino, kiosqe, kazane plehrash dhe beton. Një qytet qytet kujdeset për identitetin, të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e tij. Ai i kujton ngjarjet e veta dhe njerëzit që i bartën ato. 

    Prej disa vitesh, para Pallatit të Kulturës qëndron një shtatore e Naim Frashërit. Busti i tij është vendosur dhe në oborrin e shkollës sime fillore, e cila atëbotë e mbante emrin e një malazezi. Mirë! Përfaqësuesi më i spikatur i Rilindjes me kulturë aq të gjerë, zemër aq të dëlirë dhe mushkëri të veremosur nga vuajtja për liri, i bën nder çdo sipërfaqe trualli të Zotit. Po, më ngushtë, për identitetin kulturor të Tetovës ç’po bëhet? Për çfarë duhet të jenë krenarë qytetarët e saj? Për se duhet të mendohen kur t’i bien në këmbë qytetit? Pse s’duhet ta braktisin atë…?

    Prej vitesh qëndron në vendin ku filluan ligjëratat e Universitetit – të mohuar – të Tetovës busti i dëshmorit të tij, Abdylselam Emini. Së fundmi u ngrit në oborrin e Universitetit – të njohur – të Tetovës një përmendore e rektorit të tij të parë, Fadil Sulejmani. Me vend! Profesor Sulejmani ishte më tepër se kaq. Ai e konceptoi, flioi dhe i shkoi në fund idesë për arsim të lartë shqip në Maqedoni. Një gur i rëndë kilometrik në udhëtimin e shqiptarëve në Maqedoni! Një ide kombëtare dhe qytetare!

    Rrugës së Kodrës së Diellit, në lakun e fshatit Gajre, shesh një kompleks memorial. Tri buste: Shaip Kamberi, Mahir Kamberi dhe Rafi Halili. Këto kapin tri momente: Luftën e Dytë, qëndresën e kohës së komunizmit jugosllav dhe kryengritjen e 2001-shit. Dy të parët janë figura më lokale, e treta shkon më larg. Rafi Halili është një kampion i rezistencës së shqiptare në ish Jugosllavi. Ai e ka hak një shesh më qendror. Ky projekt është konceptuar dhe financuar nga fshati Gajre.

    Në thellësi të fshatit Shipkovicë janë vënë tri buste: Rexhep Voka, Sadudin Gjura, Xhemil Abduramani. Sërish tri periudha dhe tri motive të ngjashme me Gajren. Dhe sërish nuk shihet dora dhe mendja e ndonjë instucioni, akademie… Të tri bustet janë vendosur thellë, shumë thellë.

    Ka dhe më keq. Mehmet Pashë Derallën, një personalitet me një jetëshkrim të shkëlqyer ushtarak e politik, ndër të tjera ministër i parë shqiptar i Mbrojtjes, e katandisën në një pllakë përkujtimore në kompleksin Harabati në Tetovë. Siç u katandis edhe kompleksi, ku kishte bujtur Leo Trocki, kur raportonte si gazetar mbi Luftërat Ballkanike. Siç u katandis edhe shtëpia e Mehmet Derallës, një vilë hijerëndë për çdo kohë. Ajo është përfshirë në kampusin e Spitalit të Tetovës dhe, nëse nuk lajthis, shërben si pavion psikiatrie! Edhe vendlindja e Mehmet Pashë Tetovës, siç thirrej ai, me ndarjet e fundit territoriale iu hoq Tetovës.

    Prap ka më keq. Edhe një tjetër figurë e shquar historike e ka pasur shtabin e tij në Teqenë Harabati, para këtyre: Dervish Cara. Ka ndonjë gjurmë të Dervish Carës në Tetovë? Ai ishte nga fshati Pallçisht. Cara udhëhoqi një kryengritje të madhe në Pollog dhe më gjerë kundër Perandorisë Osmane dhe reformave të Tanzimatit në vitin 1844. Karshillëku i tij e kishte trazuar Perandorinë dhe e kishte frymëzuar popullatën shqiptare për liri.

    Ndër ngjarjet më të zëshme të shqiptarëve në Maqedoni dhe Tetovë shënojnë demostratat e 68-tës. Ato janë të freskëta në mendjen e tetovarëve. Protagonistët e tyre janë gjallë. Një instalacion që të kujton këto ngjarje, nuk ka. Momente që e kanë hak të fiksohen në publik janë edhe Lufta e Dytë Botërore, përzënia e tetovarëve, emigracioni i tetovarëve, ndërrimi i sistemit, eksodi gjatë luftës së Kosovës… Tetova nuk i harron disa ngjarje dhe i kujton dhe nderim disa artistë, sportistë, mjekë…

    Regjistri i figurave, të cilat u kujtojnë qytetarëve të Tetovës identitetin e tyre historik, kulturor, politik është i pasur. Përveç shumicës së atyre, për të cilët ra fjala, aty mund të futen, për shembull: Mehmet Gega, Murat Isaku, Cen Berisha, Arbën Xhaferi… Po sjell ndërmend disa, të cilët nuk rrojnë më! Po transformimi i tyre në mnemoteknikë do më parë një kuvendim të mirë. Patjetër nuk do lëshuar pe kurrë ustallarëve të kiçit dhe kamponëve të hiçit.

    Lajmi Paraprak

    BDI duhet të ndryshojë kursin. Rama është e kaluar, Albini është e ardhmja…

    Lajmi i rradhës

    ShBA-ja pezullon shqyrtimin e vizave të migrimit nga 75 vende, përfshirë nga Kosova

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë