Zufer Bajrami
Shkenca politike – Marrëdhënie ndërkombëtare
Shqiptarët e Maqedonisë, gjashtë-shtatë vitet e fundit janë shndërruar në një poligon manovrash ndërshqiptare (Shqipëri – Kosovë) që përveçse i kanë bërë dëm interesit të tyre politik, kanë fragmentarizuar dhe zbehur peshën e faktorit shqiptar në Ballkan dhe më gjerë.
Qeveria Kurti, gjatë gjithë mandatit të vet, përveç presionit ndërkombëtar, është përballur edhe me një presion të paprecedentë nga aktorë dhe faktorë të politikës shqiptare në rajon. Të panumërta kanë qenë kritikat dhe denoncimet e Edi Ramës ndaj strategjisë, hapave dhe veprimeve që qeveria Kurti aplikoi si qasje strategjike në raport me Serbinë dhe veriun. Po aq problematike kanë qenë edhe projektet fatmirësisht të dështuara por gjithsesi të rrezikshme dhe të dëmshme si “Ballkani i Hapur”, idetë për ndarjen e Kosovës apo izolimi i Kosovës, ku në shumicën e rasteve Rama ishte maja e shigjetës, ndërsa elitat politike shqiptare atëherë në pushtet në Maqedoni (BDI) ishin instrumentale në amplifikimin e këtij presioni.
Në kuadër të këtij presioni/sulmi të koordinuar, pa dyshim përfshihet edhe plani 9-pikësh i Bujar Osmanit, atëherë ministër i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, i cili, në cilësinë e vendit kryesues të OSBE-së në kulmin e zhvillimeve në veriun e Kosovës, kërkonte nga Prishtina të tërhiqte njësitë speciale nga veriu, të largonte kryetarët e zgjedhur ligjërisht dhe të pranonte koncesione të tjera që në thelb përkonin me kërkesat kryesore të Serbisë.
Është një situatë absurde të shohësh aktorë politikë shqiptarë që fillojnë ta targetojnë njëri tjetrin me masa dhe instrumente të politikës së jashtme sikur të ishin kundërshtarë strategjikë në një lojë të madhe realiste. Pikërisht këtë paradoks e artikulon edhe përgjigjja e zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës ndaj planit 9-pikësh të Bujar Osmanit ku planin e tij e sheh si “një rast tjetër kur shqiptarët e shohin Kosovën me sytë e ndërmjetësve ndërkombëtarë”.
Në këtë kontekst, reagimi i Kosovës dhe i Albin Kurtit ishte jo vetëm i parashikueshëm, por edhe politikisht i justifikueshëm. Refuzimi për t’u tërhequr përballë presioneve në mbrojtje të “interesit shtetëror”, si dhe përgjigjja adekuate ndaj aktorëve si Rama dhe Ahmeti, të cilët pretendojnë se kanë tagër moral për t’u vënë mbi vullnetin e shprehur në mënyrë demokratike nga qytetarët e Kosovës, është plotësisht i kuptueshëm.
Shansi më i mirë për ta një përgjigje ishte ndihma e VV-së për konsolidimin e koalicionit të
atëhershëm LEN të përbërë nga parti të vogla dhe një grup renegatësh nga parti tjera, të cilat duke
huazuar V-në e Vetëvendosjes si një vulë aprovimi dhe legjitimimi, u shndërruan në VLEN-in që
arriti ta lë BDI-në pa pushtet ekzekutiv, rrjedhimisht edhe pa kapacitete për të qenë pjesë e
operacionit të interferimit ne punët e brendshme të Kosovës.
Po të ishte një kontekst tjetër, analiza do të mund të përmbyllej kështu: Në pamundësi për të bllokuar ndërhyrjen konstante të Edi Ramës duke qenë se pushteti i tij në Shqipëri ende është i pakontestueshëm, Albin Kurti, falë edhe simpative lokale ndaj tij dhe Vetëvendosjes në Maqedoninë e Veriut, arriti ta neutralizojë BDI-në e rrjedhimisht t’i dobësojë njërin nga krahët më të fuqishëm politikë së Ramës në rajon.
Një proverbë e vjetër thotë: “Rruga drejt ferrit është e shtruar me qëllime të mira”. Pak a shumë, ky është lajtmotivi i përfundimeve të analizës në vijim.
Duke qenë se një numër i madh qytetarësh e pa ndërhyrjen e Kosovës jo thjesht si një rokadë kolltuqesh BDI–VLEN, por si një shpresë për një impuls të ri transformues ku LEN do të arrinte ta internalizonte dhe më pas ta manifestonte në praktikën qeverisëse “V”-në e huazuar nga Vetëvendosje, duket se asgjë nga kjo nuk ndodhi.
Shikuar nga kjo distancë kohore gjatë së cilës VLEN është në qeverisje, përveç faktit që nuk arriti të manifestojë asgjë nga fryma e VV-së (fryma për ndryshim, integriteti, llogaridhënia, lufta kundër korrupsionit, ekonomia). VLEN dështoi edhe në imponimin e agjendës integruese në BE që e kishte premtim kryesor parazgjedhor. Me këtë, duket se pjesëmarrja e VLEN në qeverisje (me disa përjashtime të vogla) është reduktuar në rolin e një vëzhguesi në qeverinë e Mickovski.
Duhet të theksohet se as VV nuk duket se po insiston për ndonjë avancim në drejtimin (fryma për ndryshim, integriteti, llogaridhënia, lufta kundër korrupsionit, ekonomia). Nga ajo që mund të shohim duket se Kosova ose nuk ka kapacitet për të ndikuar te VLEN-i ose mjaftohet me neutralizimin e presionit nga politika e jashtme e Maqedonisë si objektiv pastër shtetëror.
Duke vlerësuar se qasja e Ramës ndaj Kosovës dhe elitave politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut ka qenë kryekëput egoiste, dhe se politika e jashtme e Shqipërisë në këtë ambient ka shërbyer kryesisht për ngritjen e profilit të tij ndërkombëtar. Mantra e bezdisshme paralajmëruese e apokaliptike si dhe përpjekja e Ramës dhe Ahmetit për ta futur Albin Kurtin brenda “kornizave normale” (çfarëdo qofshin ato) ka dështuar. Përkundrazi, Kosova ka ecur përpara duke forcuar integritetin territorial, sundimin e ligjit dhe imazhin e saj si shtet serioz dhe demokratik. Mendoj se tashmë të gjithë aktorët e përmendur kanë përpara mjaftueshëm argumente për të kuptuar se një rivlerësim serioz i marrëdhënieve është më se i domosdoshëm.
Pozicioni i BDI-së si partia më e madhe politike e shqiptarëve në kombinim me realitetin aktual në terren e bën të pashmangshëm një rishikim të thellë si të objektivave të politikës së jashtme, ashtu edhe të politikave të brendshme të këtij subjekti. Një respekt më i madh ndaj institucioneve legjitime demokratike të Kosovës dhe vendimeve që burojnë prej tyre, dhe pse jo, një kalibrim i qasjes së BDI-së me standardet dhe metodat e qeverisjes së mirë të Vetëvendosjes, do të ishte jo vetëm i arsyeshëm por edhe në interes të të gjithëve.
Në të njëjtën kohë, Vetëvendosje duhet të jetë e vetëdijshme dhe e përgjegjshme për peshën dhe autoritetin që gëzon ndër shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Ata duhet ta kuptojë se është VLEN i që ka nevojë për Vetëvendosjen, e jo anasjelltas. Përtej neutralizimit të presioneve, insistimi i VV së duhet të fokusohet te respektimi i një minimumi standardesh të qeverisjes së mirë, që përveçse mbron imazhin e saj, reflekton edhe atë që realisht pritet nga Vetëvendosje në Maqedoninë e Veriut.
*Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.






