Periudhat e krijimtarisë së Picassos

    Fiorela Katroshi

    Pablo Picasso mbetet një nga artistët më të vlerësuar dhe që influencuan më së shumti artin e shekullit XX. Vazhdoi të prodhojë art deri në vdekjen e tij në vitin 1973, në moshën 91-vjeçare.

    Picasso lindi më 25 tetor të vitit 1881, në Malaga të Spanjës. Arriti majat e suksesit në pikturë, skulpturë, qeramikë, skenografi etj. Së bashku me artistin Georges Braque, hyri në historinë e artit si krijuesi i kubizmit.

    Pablo Picasso ishte djali i José Ruiz Blascos, profesor i vizatimit. dhe Maria Picasso Lópezit. Aftësia e tij e pazakontë për vizatim filloi të shfaqej herët dhe shumë shpejt tejkaloi aftësitë e babait të vet. Puna e Picassos, e cila përfshin më shumë se 50 mijë piktura, vizatime, gdhendje, skulptura dhe qeramika të prodhuara gjatë 80 viteve, përshkruhet në një seri periudhash të mbivendosura. Periudha e tij e parë e dukshme “periudha blu”, filloi menjëherë pas ekspozitës së tij të parë në Paris. Në vepra të tilla si Kitaristi i vjetër [El viejo guitarrista ciego, 1903], Picasso pikturoi me tone blu për të evokuar botën melankolike të të varfërve.

    “Periudha blu” u pasua nga “periudha e trëndafilave”, në të cilën ai shpesh përshkruante skena cirku, dhe më pas nga puna e hershme e Picassos në skulpturë. Në vitin 1907, Picasso pikturoi veprën novatore Bordeloja e Avinjonit [Les Demoiselles d’Avignon], e cila me paraqitjen e saj të fragmentuar dhe të shtrembëruar të formës njerëzore, e shkëputi nga arti i mëparshëm evropian. Kjo demonstroi ndikimin e artit afrikan të maskave dhe të Paul Cezanneit, te Picasso. Në kubizëm, i cili ndahet në dy faza, analitike dhe sintetike, Picasso dhe Braque vendosën parimin modern se vepra e artit nuk duhet të përfaqësojë realitetin për të pasur vlerë artistike.

    Veprat kryesore kubiste nga Picasso përfshinin kostumet dhe skenat e tij për trupën “Ballets Russes” të Sergey Diaghilevit – si Parada [Parade, 1917 Muzikantët [Cuadro Flamenco, 1921]. Eksperimentet kubiste të Picasso dhe Braqueit rezultuan gjithashtu në shpikjen e disa teknikave të reja artistike, duke përfshirë kolazhin. Pas kubizmit, Picasso eksploroi temat klasike dhe mesdhetare dhe imazhet e dhunës dhe ankthit që shfaqeshin gjithnjë e më shumë në punën e tij. Në vitin 1937, kjo prirje arriti kulmin me kryeveprën Gernika [Guernica], një vepër monumentale që ngjalli tmerrin dhe vuajtjet e duruara nga qyteti bask i Gernikës, kur u shkatërrua nga aeroplanët luftarakë gjermanë gjatë Luftës Civile Spanjolle.

    Picasso mbeti në Paris gjatë pushtimit nazist, por ishte kundër fashizmit dhe pas luftës iu bashkua Partisë Komuniste Franceze. Puna e Picassos, pas Luftës së Dytë Botërore, është më pak e studiuar se krijimet e tij të mëparshme, por ai vazhdoi të punonte me ethe dhe pati sukses komercial dhe kritik. Prodhoi vepra fantastike, eksperimentoi me qeramikë dhe pikturoi variacione në veprat e mjeshtërve të tjerë në historinë e artit. I njohur për shikimin e tij intensiv dhe personalitetin dominues, ai pati një sërë marrëdhëniesh dashurie intensive dhe të mbivendosura gjatë jetës së tij.

    Lajmi Paraprak

    Cila janë ushqimet që vrasin më shumë se duhani

    Lajmi i rradhës

    Barcelona përfaqësohet me më shumë lojtarë se Real Madridi

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë