Profesionalizmi dhe puna e sinqertë gjithmonë është frymëzim dhe reflekton në rezultate të mira – profesoresha Teuta Halimi që kontribuon në krjijimin e vlerave të artit

    Teuta Halimi Selmani e lindur në Tetovë. Ajo ka kryer studimet në Fakultetin e Arteve – programi studimor Art muzikor në UT. Studimet post-diplomike i kreu në Universitetin “Kirili dhe Metodij” – Shkup-Fakulteti i artit muzikor. Punon si mësimdhënëse në Fakultetin e Arteve – Art muzikor dhe Fakultetin Pedagogjik të Universitetit të Tetovës.

    Intervistoi | Donika Bakiu

    Nistori: Kur dhe si e kuptove që doje të bëheshe profesoreshë e pedagogjisë muzikore dhe artit muzikor, ku e gjete frymëzimin?

    Halimi: Nuk besoj në rastësi dhe fat, por vetëm në përkushtim dhe punë. Nuk jam rastësisht mësimdhënëse e disciplinave muzikore. Është një rrugë e gjatë e ndërtimit dhe investimit tim në profesionin tim duke filluar nga mosha fëmijërore, shtatë vjeçare, puna me mësuesit më të mirë të solfezhit dhe pianos e deri në studime të magjistraturës që i përket kryesisht metodikës, edukimit dhe psikologjisë muzikore. Vetë muzika është frymëzim, të interpretuarit në instrument, të kënduarit në kor, të kompozuarit këngë, ose thënë në përgjithësi, të muzikuarit dhe përcjellja e tërë këtij rrugëtimi, bagazhi, në gjeneratat e reja, është frymëzimi kryesor, gjithnjë i bazuar në punë dhe përkushtim.

    Nistori: Çfarë ju pëlqen në lidhje me pedagogjinë muzikore dhe sa kohë e bëni atë?

    Halimi: Pedagogjia muzikore është disciplinë e të mësuarit të lëndëve muzikore si teorike ashtu edhe praktike, që të jep një ndjesi të veçantë pasi ti mësojsh, t’ua bartish informacionet muzikore (të akumuluara gjatë përvojës personale), gjeneratave të reja, studentëve si dhe nxënësve, është një detyrë me shumë përgjegjësi dhe në të njëjtën kohë art në vete që kërkon përgatitje profesionale paraprake, përvojë të bujshme, kontinuitet dhe aftësi kreative. Këtë përvojë e ushtroj për një kohë të gjatë, mbi njëzet vite, duke e sendërtuar profilin profesional në mënyrë graduale dhe të sigurtë dhe duke e ushtruar me grupmosha të ndryshme.

    Nistori: Çfarë ju frymëzon më shumë në fushën e pedagogjisë muzikore?

    Halimi: Mësimdhënia apo pedagogjia muzikore është baza e edukimit muzikor e cila shtjellohet me metoda, forma, mjete, parime të ndryshme të punës, bazuar në programet mësimore dhe syllabuset e lëndëve. Kjo fushë përmban një kompleksitet të disciplinave teorike dhe praktike bazuar në rregulla teorike shkencore, interpretuese dhe krijuese. Frymëzimi i kësaj pune është të vënit e një bazamenti të shëndoshë të njohurive muzikore te gjeneratat e reja dhe trajnimi i tyre për të qenë mësimdhënës të ardhshëm, të mirëfilltë, të artit muzikor. Është përparësi edhe ajo që pedagogjia muzikore ndërlidhet me psikologjinë muzikore e cila i përfshin proceset përmes të cilave muzika perceptohet, krijohet, mësohet dhe reflektohet.

    Nistori: Kemi dëgjuar vetëm fjalë të mira për ju nga studentë dhe nxënës, si ndiheni kur ju i frymëzoni këta nga e njëjta gjë, pra nga arti dhe pedagogjia muzikore?

    Halimi: Është kënaqësi kur ke rezultate me studentët dhe nxënësit e tu, kur reflektohet me sukses e tërë puna që mbjell tek ata, është diçka që i plotëson të dy palët në të njëjtën kohë. Çdo njeri e ka pozitën e vetë në shoqërinë ku jeton. Këtë pozitë ia jep puna dhe kontributi që e jep përmes profesionit të vet. Kjo edhe duhet të jetë detyra e çdo profesionisti. Puna ta jep identifikimin profesional. Andaj puna e mirë, e sinqertë, kualitative, reflektohet dhe gjithmonë është frymëzim dhe me rezultate të mira.

    Nistori: A mund të përshkruani disa nga momentet e tuaja të preferuara me nxënësit ose studentët tuaj (në gara gjithmonë radhiten në vendet e para)?

    Halimi: Me studentët dhe nxënësit me të cilët punoj, gjithnjë kemi momente të këndshme të punës sonë. Para ca kohësh, nga një bashkëpunim me kolegët e artit muzikor bashkë me studentët, konkuruam në një garë ndërkombëtare (online), në kategorinë e univesiteteve, që organizoheshte në Amerikë. Puna jonë u shpërblye me 100 pikë që d.m.th. me punën e studentëve u shpërblyem me çmimin e parë absolut. Kjo flet shumë për seriozitetin e punës pasi konkurenca ishte shumë e ngjeshur dhe juria shumë antarëshe. Nga ana tjetër do t’i përmend edhe mbi 100 çmime, diploma, me talentë të rinj, në gara ndërkombëtare (online), kategoria piano, në vendet si Amerikë, Itali, Slloveni, Serbi, Poloni, Bosnje dhe Hercegovinë, Emiratet e Bashkuara Arabe, etj., ku pjesa dërmuese e çmimeve janë çmime të para. Të gjitha këta janë momente në vete, momente të papërshkrueshme, konfirmimi i rezultateve është një ndjenjë e veçantë, është plotësim, kënaqësi, satisfaksion, art…
    Nëpërmjet këtyre garave, nëpërmjet punës time, unë dua ta dëshmoj se edhe ne jemi pjesë integrale e këtij vendi që vazhdimisht mundohet të na mohojë dhe apstrahoj padrejtësisht, mohim në çdo cep, në çdo sferë…

    Nistori: A mund të përshkruani rëndësinë e artit, çfarë do të thotë të vazhdosh ta studiosh atë dhe pse është i rëndësishëm për shoqërinë?

    Halimi: Arti është reflektimi më i mirë i shoqërive njerëzore, është realiteti, e mira dhe e liga e përditshmërisë njerëzore, pasqyrimi i politikave, mentaliteteve, filozofi në vete, pa marrë parasysh kohën dhe vendin që është zhvilluar.
    Arti është privilegj pasi kërkon predispozita për tu marrë me të që jo çdo kush i posedon, kërkon aftësi të veçanta artistike dhe punë të palodhshme. Këtu edhe qëndron madhështia dhe rëndësia e artit.

    Nistori: Profesoreshë, ju keni një përvojë të bujshme në lëminë e pedagogjisë muzikore ku së fundmi e keni nxjerr në dritë librin tuaj me anë të së cilit e bëni mësimin e muzikës më efikas dhe argëtues falë ilustrimeve dhe vizatimeve. A mund të na tregoni diçka rreth librit tuaj “Tregime muzikore”?

    Halimi: Përvoja ime profesionale edhe pse kryesisht i përket mësimdhënies, aty nuk mungon edhe pjesa kreative, krijuese muzikore, si p.sh. krijimet që i përkasin muzikës së shfaqeve teatrale, realizimi i albumit (CD) që i përket zhanrit të muzikës mistike ku edhe interpretoj partin e pianos, si dhe vetë libri im i fundit që është një krijim kreativ dhe origjinal mbi baza të metodologjisë muzikore.

    “Tregime muzikore” është libër muzikor që i dedikohet moshës prej 5-7 vjeç. Duke u bazuar dhe njohur metodat e ndryshme të autorëve të ndryshëm si Dalcroze, Orf Schulwerk, Kodaly, Gordon, Suzuki, të cilët mësimin e muzikës e bazojnë në: improvizimet muzikore, vallëzimeve trupore me muzikë, mësimi i muzikës paralelisht me gjuhën amtare etj., unë jap një koncept tjetër të mësimit muzikor duke e vizuelizuar dhe duke i dhënë kuptim me anë të tregimeve. Përse i përdor këto dy forma artistike si mjete ndihmëse për ta mësuar muzikën (solfezhin dhe pianon)? Muzika është arti i kombinimit të tingujve që shtrihet në kohë dhe perceptohet me shqisën e të dëgjuarit. D.m.th. muzika nuk duket dhe kjo natyrë e saj e bën edhe më të vështirë mësimin dhe kuptimin për të, kryesisht për grupmoshat më të hershme të fëmijëve. Andaj edhe kjo është arsyeja përse unë përdori ngjyrimet, vizatimet dhe tregimet pra atë që është e padukshme (muzika), ta bëj të dukshme (vizatimi dhe tregimi). Risi tjetër e librit është se në një njësi mësimore mësohet edhe solfezhi edhe pianoja si dhe shtatë tingujt muzikor karakterizohen me shtatë ngjyra të ndryshme.

    E tërë idea lindi si rezultat i mangësive të edukimit muzikor fillestar, të jopërputhshmërisë së këtyre dy lëndëve si dhe mungesës së literaturës muzikore në gjuhën shqipe, bazuar në përvojën paraprake pedagogjike të edukimit muzikor të talentëve të rinj, duke e aplikuar këtë metodë si metodologji ekperimentuese dhe më pas rezultatprurëse e cila rezultoi me këtë libër.

    Temat përmbajtësore bazohen në elementet shprehëse muzikore si: forma, dinamika, tempo, artikulimi, harmonia, regjistri. Libri ka karakter programatik me përjashtim të disa ushtrimeve të pa titulluara të cilat i kam vendos me qëllim të nxitjes së kreativitetit artistik të fëmijëve. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Medina Ahmedi: Jam dhunuar shumë herë nga bashkëshorti, këtë herë e rrahu edhe djalin e vogël (Video)

    Lajmi i rradhës

    Mungesa e ujit në Tetovë, Bilall Kasami akuzon pushtetin e kaluar lokal: Investimi në ujësjellës nuk i respekton standardet e nevojshme

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë