Argjend R. Gjigja është një solo këngëtar i ri nga Tetova që nuk njeh kompromis midis emocioneve të thella personale dhe estetikës vizuale që përcjell në muzikë. Në një intervistë për portalin Nistori, ai thotë se projekti i fundit, “Rabija”, është një përjetësim i kujtimit të nënës së tij, duke kthyer një histori personale në një këngë që sfidon trendet e shpejta dhe sipërfaqësore të industrisë moderne. I njohur për krijimet e mëparshme si “Liberté”, “Tolerom” dhe “Indigo”, Argjendi i ruan rrënjët ballkanike, duke i përzier ato me një qasje konceptuale që ai e quan “Balkan Emotion”. Përtej muzikës, ai gërsheton eksperiencën në modë dhe televizion, ndërkohë që angazhohet në projekte kulturore për të rinjtë dhe sport. Me një vizion të qartë për të ardhmen, ai vazhdon të eksplorojë çdo dimension të identitetit të tij artistik, duke e bërë secilën këngë një reflektim autentik të vetes dhe të kohës së tij.
Nistori: çka “Rabija” për të gjithë ata që duan të dinë më shumë?
Argjend R. Gjigja: një nënë shqiptare, heroina ime, nëna ime.
Nistori: çfarë ju shtyu ta ktheni këtë histori personale në një këngë publike?
Argjend R. Gjigja: muzika ka humbur vlerat totalisht dhe gjithçka është kthyer në 6 sekonda në TikTok. Dua të besoj që tregimet personale nuk dalin prej mode asnjëherë.
Nistori: ju flisni për një premtim ndaj nënës që do të krijonit vetëm projekte “të lumtura”. A është “Rabija” një moment kur arti e sfidon këtë premtim, apo një mënyrë tjetër për ta mbajtur gjallë?
Argjend R. Gjigja: një ndër të mirat e shumta që ka arti është pikërisht ky – pavdekshmëria. Doja ta rrumbullaksoja ngushëllimin popullor “qoft i përjetshëm kujtimi për të” – dhe atë bëra. E përjetësova Rabijen.
Nistori: në krahasim me projektet tuaja të mëparshme si “Liberté”, “Tolerom” apo “Indigo”, ku e vendosni “Rabija” në rrugëtimin tuaj artistik?
Argjend R. Gjigja: çdo këngë ka kohën, vendin dhe momentin e saj. Por Rabija definitivisht është stili im muzikor.
Nistori: nëse do ta dëgjonte sot këtë këngë, çfarë mendoni se do të ishte reagimi i nënës suaj?
Argjend R. Gjigja: do të ishte një kombinim i modestisë dhe krenarisë. Jo për emrin e saj, por për guximin e djalit të saj.
Nistori: në një industri ku imazhi shpesh bëhet më i rëndësishëm se përmbajtja, si e ruani ekuilibrin mes estetikës vizuale dhe mesazhit emocional të muzikës?
Argjend R. Gjigja: këngët e mia janë konceptuale dhe si të tilla kurohen deri në detajin e fundit. Një këngë e kuruar kërkon edhe një artist të kuruar, ky i fundit kërkon gjithmonë edhe spote të tilla.
Nistori: në profilin tuaj artistik përdorni termin “Balkan Emotion”. Si përkthehet kjo estetikë në praktikë dhe çfarë e dallon nga muzika urbane që dëgjohet sot në rajon?
Argjend R. Gjigja: Ballkani ka pasur shumë muzikë të mirë. Nuk mund të them që sot po jemi dëshmitarë të të njëjtës. Nuk më pëlqen tjetërsimi… se edhe atje diku do na vlerësojnë më shumë po e dhamë një copë tonën autentike. Natyrisht, duhet të ecim me kohën, por duhet ta ruajmë atë që është e jonja. Ndonjëherë kjo është e vështirë… por kjo është puna e artit dhe artistit, ndonjëherë të “paketojmë të paketuarën”.
Nistori: ju keni lëvizur mes muzikës, modës dhe televizionit. Sa ndikon përvoja në modë – përfshirë punën me Calvin Klein – në mënyrën si ndërtoni identitetin tuaj artistik?
Argjend R. Gjigja: të gjitha këto janë gërshetim dhe ndërlidhje e njëra-tjetrës. Arti dhe skena janë profesione të hapura dhe jo strikte si shumë profesione të tjera.
Nistori: me çfarë merret Argjendi aktualisht, përveç muzikës?
Argjend R. Gjigja: jam i angazhuar në një projekt kulturor për të rinjtë dhe merrem me sport.
Nistori: çfarë ke në mendje për të ardhmen? Planet, projektet…
Argjend R. Gjigja: do të vazhdoj të eksperimentoj në muzikë derisa t’ju njoh me të gjitha dimensionet e mia artistike.
Nistori: ju faleminderit për kohën! Suksese!
Argjend R. Gjigja: ju faleminderit, gjithashtu!






