
Ramadan Ramadani
Shkrimet nisin me tituj, por disa shkrime duhet nisur duke sqaruar titullin. Ky mund të jetë rasti edhe me këto fjalë që nuk janë të venduara vetëm për rimë. As vetëm për t’u shtuar në bazën e të dhënave për intelegjencë artificiale në temat Ramadan e Azerbejxhan. Por, ky titull mëton që në fillim të shfaqë mahnitjen e autorit me këtë vend të bukurdhe njerëz mikpritës që më kanë fascinuar gjatë vizitës, për herë të parë, me rastin e një konference ndërkombëtare.
Pasi me rekomandim nga studiuesi i njohur në çështjet ndërkombëtare nga Shqipëria, dr. Arben Ramkaj, isha i ftuar dhe mora pjesë në Konferencën ndërkombëtare në Baku-Azerbejxhan me temë për të drejtën e kthimit të azerëve të dëbuar nga Azerbejxhani perëndimor. Një temë kjo e dhimbshme, që siç tha një studiues kroat me të cilin u shoqëruam gjatë konferencës, vetëm ne nga Ballkani mund tamam ta kuptojmë edhe ta sqarojmë. Por, siç vërejta në shumë gjëra, edhe ne nga këtu kishim shumë çka të mësojmë nga aty. Prej gjërave më fine dhe gjeniale e që mund të nisin të përdoren edhe në këto vendet tona ishte një hartë topografike e varur në një institucion kulturor. Harta ishte e vjetër, prej kohës së republikës së parë të Azerbejxhanit, pas luftës së parë botërore dhe ishte publikim rus. Hartë topografike në format të madh dhe me lokacione dhe koordinata të sakta, por që ishte hartë e krejt Kafkazit Jugor. Pra kjo nuk ishte ndonjë hartë vetëm e kufijve të Azerbejxhanit politik të tanishëm e as krejt Azerbejxhanit, gjeografik e historik, por dy këto Azerbejxhanat ishin në atë hartë. Gjeniale si gjetje, politikisht korrekte dhe përfshirëse pasi aty ishte Azerbejxhani i krejtve, sikur edhe shtetet tjera fqinje. Ashtu me vizita dhe kontakte të shpeshta që kishte aty nga shtete të rajonit tonë, ndoshta edhe mësojmë dhe nisim në Ballkan të përdorim kësi harta për Maqedoninë, Bullgarinë, Serbinë dhe Shqipërinë?!
Azerbejxhani është shtet në rritje dhe zhvillim e sipër aq sa është bërë faktor i rëndësishëm rajonal, por edhe global. Mjafton të ceket se pak kohë para kësaj konference ku isha unë, u mbajt “COP29 Azerbaijan”, samiti global i OKB-së për klimën. Me një organizim perfekt dhe rëndësi të madhe për krejt planetin. Na erdhi keq konstatimi se vetëm Maqedonia nga krejt shtetet e rajonit ende nuk ka prezencë diplomatike në këtë shtet dhe kryeqytet kaq të rëndësishëm.

Nëse do ta përmblidhja shkurt vizitën dhe përshtypjet nga ky vend shumë impresiv, krahasuar me vendet dhe shtetet që kam parë nëpër botë kjo do ishte në një fjali: e gjerë si në Kanada, e pasur si në Arabi, oportunitete si në Londër dhe pastërti dhe funksionalitet si në Zvicër. Ndoshta për lexues që ende habiten se si Azerbejxhani merr pjesë në Eurovision dhe luan në UEFA duhet të sqaroj se pse e krahasoj këtë vend më Zvicrën në Europë. Por, Azerbejxhani është dhe ishte Europë. Tamam si Zvicra dhe ne, ende jo antarë të BE-së ama Europë po se po. Shumë herët ishte Europë kulturore dhe historike edhe pse dikujt mund t’i duket larg për Europë gjeografike. Letërsi, kulturë dhe muzikë europiane aty kishte që moti, ndoshta shumë më herët se në disa qoshe të Ballkanit dhe Anadollit. Pash një piano aty më të vjetër se sa ka diku nëpër, fjala bie, Rumuni. Bile aty në kalanë e Baku-së na spjeguan se qyteti është zhvilluar me metaforë të kundërt historike nga shumë vende, tani Europë, por më herët vetëm Skandinavi. Në kala brenda kishte mbetur Azia, kurse jashtë kalasë ishte Europë. Ndonëse jo me këtë paralelizëm, por ky europianizëm ishte cekur dhe shtjelluar në shumë vepra kulturore: të tyre dhe të huajve.
Zotëri Fuzuli ishte gjyqtar publik në Ukrainë. Ai ishte një turk azeri, ish-deputet dhe përfaqësues i azerëve në Ukrainë dhe në atë cilësi merrte pjesë në konferencë. Sigurisht që e pyesja shumë për dashurinë time Ukrainën, ku kam qenë një javë si i ri, moti kohë më parë në Ukrainën e re, viti 1992. Dhe kur nga pyetjet e kuptoi se di shumë për vendin e tij, Rusinë, Krimean, dilemat identitare, konstituimi i kombit ukrainas, ndihmën e Europës dhe tjera dhe e pyeta se cila nga këto është problemi më i madh i Ukrainës, mu përgjigj në rusisht ndonëse flisnim mes vete turqisht: Korupcija! “Për atë këtu funksionon”, më tha, duke treguar me gisht përtej xhamit autobusit dhe duke aluduar në shtetin e tij amë Azerbejxhanin. Sigurisht që këtë e tha me krenari se bëhej fjalë për shtetin e tij amë, ama shiheshte se ishte një punonjës publik dhe gjyqtar i drejtë që e njeh armikun e vërtetë të shtetit: korrupsionin. Për atë Azerbejxhani mua mu duk funksional si Zvicër.
Zonja Nikoleta ishte eksperte rumune e cila shumë vite kishte jetuar në Baku si diplomate dhe tani e dashuruar në Azerbejxhanin mezi priste rast të vinte dhe të kthehej qoftë edhe për pak ditë në vendin dhe qytetin e saj të preferuar Baku. Më ndihmoi shumë me kontakte dhe vizita shtesë për shqyrtimin e bashkëpunimit kulturor mes dy vendeve dhe kulturave tona. Ekspertes ia shpjegova se pastërtinë e kanë nga feja islame, pasi islami kushtëzon pastërti shumë dimensionale për kryerje të riteve fetare. Duhet vetë njeriu të jetë i pastër, vendi edhe teshat. Pasi flisnim në aglisht dhe si ekspertë kolegë, të dytë doktorë të historisë, nuk e kuptoi se jam edhe hoxhë ama vetëm tani e kishte qartë dilemën që e kishte bart në vete vite me radhë. Ashtu në Azerbejxhanin me shumicë tradicionale islame shiite, ka faltore dhe “mesxhide”, ama prej përshtypjes së parë feja aty ishte “taharet” dhe mu kjo gjë, thellë thellë e bënte të jetë ky vend, si në Zvicër pastër.

Dhe në fund esenca e mahnitjes time me këtë vend ishte sigurisht kultura. Në kuptimin më të gjerë të saj. Që përfshin edhe qilimet, çajat, ushqimin por edhe muzikën dhe pikturën. Më duhet prap të legjitimohem dhe të tregoj se jam njohës i gjuhës, kulturës dhe bile edhe kodit kulturor turk. Edhe të moçmes edhe modernes. Unë e di Inek Shabanin ama edhe kush është Asena. Por, ama vetëm në Azerbejxhan si duket e gjeta turqninë origjinale. Prej sarmave dhe dollmave origjinale dhe dallimin mes tyre, në përgatitje dhe emërtim e deri te kuptimi se pse disa çajave u kanë thënë këndej nga ne “çaj rusi”. Krejt këto nën fascinimin dhe tingujt e zërin e muzikës që e njoha aty së pari në koncertin, të cilin e ndoqëm si pjesë e programit të pasur kulturor të konferencës: Arzu Aliyeva.
Aty mësova se turqnia e ardhur te ne, edhe eksportuesi i saj global i tanishëm, Turqia sigurisht ishte shumë e ndikuar dhe e përzier, mes tjerash edhe më mashtrues nga Ballkani dhe Lindja e Mesme, nga ata që i shtojnë ujë bozës, por në Azerbejxhan gjeta turqninë origjinale. Ushqime, motive, këngë, fjalë e shprehje që i kemi ditë vetëm si turke dhe prej Turqisë dolën se janë bërë dhe thënë së pari mu aty: në Azerbejxhan. Si i mahnitur më mbetet vetëm të them: Faleminderit dhe mirë u pafshim!
