Shfaqja “Nyjat” e Kushtrim Bekteshit përballë dilemës hamletiane – të zgjedh të mirën apo të keqen (Video)

    Gazetar | Emir Hamzi

    Ditë më parë në Teatrin shqiptar në Shkup u bë premiera e shfaqes “Nyjat” me regji të Kushtrim Bekteshit. Refet Abazi – autori dramës “Nyjat” – përpiqet të projektojë një fotografi të ndërlikuar të kohës që po jetojmë, duke trajtuar ‘nyjat’ në fatet e shumë personazheve, të cilët në vorbullën e kohës kanë humbur harmoninë shpirtërore dhe kontaktin me vetveten dhe të vërtetën. Si lajtmotiv ndjehet lufta e pakompromis në mes të mirës dhe të keqes, shkruan Nistori.

    Në shfaqe trajtohet martesa dhe divorci, tradicionalja dhe modernia, realiteti dhe iluzioni, profesionalizmi dhe ambicja e sëmurë, shpirtërorja dhe materialja, vlerat dhe antivlerat, ‘blerja’ dhe ‘shpëtimi’ i shpirtërave.

    Premiera e shfaqes u bë dy netë radhazi, kjo për shkak të numrit të kufizuar të biletave dhe interesit të madh.

    Regjisori Kushtrim Bekteshi për Nistori shprehet i kënaqur me realizimin e shfaqes, duke realizuar shfaqen me të gjitha elementet që i kërkon drama.

    “Kur inskenon një vepër për herë të parë, sepse asnjëherë nuk është jetësu në skenë, atëherë përveç sfidës është edhe një përgjegjësi e madhe, por edhe një kënaqësi e veçantë. Është hera e parë që i jepet jetë asaj vepre në skenë. Është hera e dytë që punoj tekst të Refet Abazit. Po në këtë teatër kam punuar “Akuariumin” – shfaqja ime e parë profesionale. Unë ia njoh botëkuptimet, ia njoh mënyrën e të shkruarit. E konsideroj këtë vepër, ndoshta më e mira e Refetit”, shprehet Bekteshi për Nistori.

    Bekteshi thotë se shfaqja arrin t’i trajtojë nyjet në të cilat është ngatërruar shoqëria jonë. Kjo dramë trajton nyjet e fatit të çdo individi, të kaluarës, të tashmes dhe të ardhmes.

    Aktori nga Kosova, Bislim Muçaj – i cili ishte pjesëmarrës në shfaqen “Nyjet” shprehet i kënaqur me ftesën e regjisorit Kushtrim Bekteshi dhe bashkëpunimin artistik. Ai aktualisht është në pension, por sipas tij artistët asnjëher nuk dalin në pension dhe është i hapur për çdo bashkëpunim.

    “Për mua ka qenë befasi. Nuk e kam pritur, por kur e kam marrë telefonatën e parë nga Kushtrimi, më pastaj nga Adem Karraga (drejtor i teatrit në Shkup), jam ndjerë shumë i gëzuar. Ka kaluar një kohë e gjatë që nuk kam qenë i angazhuar në teatër. Përndryshe jam në pension. Kjo shfaqe ishte një vazhdimësi dhe kam kaluar shumë mirë”, deklaron Muçaj.

    Autori i dramës “Nyjat” – Refet Abazi shprehet i kënaqur me realizimin regjisorial të shfaqes. Ai ka besuar shumë te Kushtrim Bekteshi, sepse jo çdokush mund të ketë guximin për ta vënë në skenë këtë tekst. Lajm i mirë se teksti nuk ka humbur aktualitetin, sepse është shkruar në vitin 2015, por lajm i keq për shoqërinë, sepse ende nuk ka ndryshuar asgjë.

    Sipas drejtorit të teatrit shqiptar në Shkup, Adem Karaga ideja e regjisorit të Kushtrim Bekteshit për ta vënë në skenë këtë shfaqe ka qenë e mirëpritur. Ai shprehet i kënaqur me punën e regjisorit, aktorëve dhe stafin teknik.

    “Ideja edhe e Kushtrimit për ta vënë këtë tekst të Refet Abazit këtu në Teatrin shqiptar – absolutisht që ishte një gjë që ne e mirëpritëm. Në fakt, nuk është teksti i parë inskenohet për herë të parë nga tekstet e Refetit në teatrin tonë. Është punuar “Akuariumi” dhe ja tani erdhëm deri te finalja e nyjeve. Ka qenë një proces i jashtëzakonshëm”, thekson Karaga – aktorë pjesëmarrës në shfaqe.

    Karaga në shfaqe lozte rolin e disidentit, rezistuesit, luftëtarit ndaj veseve, por sa e vështirë është në jetën reale që njerëzit të jenë disidentë. Ai thotë se vendi jonë ka zëra të disidencës, por zëri i tyre nuk dëgjohet mjaftueshëm. Fundja, sipas tij, misioni i teatrit është ky, lufta ndaj të keqës.

    Aktorja Sabina Memishi për Nistori thotë se e ka pritur shumë mirë rolin. Karakteri i saj në shfaqe paraqet personin e përvuajtur. Personazhi vihet në sprovë për të zgjedhur të keqen apo të mirën.

    “Kur e ka shkruar profesori veprën në vitin 2015, unë kam qenë në vitin e parë të studimeve. Ai ma tregoi tekstin dhe unë i thash që shpresoj të vijë dita dhe unë të kem një rol apo vetëm të jem në skenë. Ishte një kënaqësi e dyfishtë”, shton Memishi. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    ASh: Jemi për lista të hapura dhe 8 njësi zgjedhore

    Lajmi i rradhës

    Sa e rrezikshme mund të jetë të mos e pastrosh kurrë furrën?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë