Shpirti s’do biftek

    Sherif Luzha

    E kanë thënë njerëz të mençur (shumë më herët dhe shumë më mirë se ç’mund ta them unë tani) se “njeriu është qenie shoqërore” dhe se jeta e tij ka kuptim vetëm në relacion me njerëz të tjerë. Pikërisht për këtë edhe merr kuptim jeta e një vetmitari, i cili, i lënduar ose i zhgënjyer nga ta (pra njerëzit), preferon të qëndrojë larg tyre. Kujtojmë thëniet “i dua njerëzit, por nga larg”, “sa më shumë po i njoh njerëzit, aq më shumë po i dua kafshët” etj., etj., thënie të cilat na tregojnë se zhgënjimi nga njerëzit është (poashtu) njerëzor, po aq sa nevoja (domosdoshmëria, nëse doni) për të qëndruar me ta. Mendoj se në mes të kësaj kontradikte më së miri zë vend letërsia, e rrjedhimisht leximi. Po flas për shkrimin/leximin si një nevojë shpirtërore e jo si detyrë për të arritur një post (gradë) pas të cilit mund të jetosh më lehtë.

    Ka njerëz që me libra në dorë mbyllen në qoshe të dhomave gjatë ditëve të dimrit, apo që dalin terasave, plazheve në ditë të nxehta, apo që lexojnë derisa udhëtojnë me aeroplan, autobus, tren apo kur janë ulur në karrigen e pasagjerit, e që janë në një kërkim të pavetëdijshëm të domethënieve, siç ka edhe të tillë që lexojnë në burgje dhe i përmbushin ato minuta të jetës së tyre duke i krahasuar fatet me ndonjë subjekt lirik, personazh, apo ndonjë karakter nga një roman ose poezi, sepse, siç ka thënë dikush “kur lexojmë, ne i japim rrugë kaosit që gjendet brenda nesh”.

    Këto mendime më erdhën tani, sapo përfundova së lexuari librin e vogël (por, pa asnjë dyshim, me vlera të mëdha) me poezi të Ag Apollonit me titullin “Retorika e heshtjes”. Një libërth i përbërë nga vetëm 16 poezi dhe që lexohet vetëm me një frymë, por që të inspiron të mendosh dhe të ndjesh. “Retorika e heshtjes”, bashkë me parathënien, të shtyn të mendosh se sa më i ethshëm, pasionant dhe i plotë të jetë ndërveprimi me njerëzit, aq më i nevojshëm bëhet shelteri ku mund të heshtësh dhe të qëndrosh i vetmuar qoftë edhe për pak kohë. Kjo është ajo koha kur njeriu purifikohet, do ta takojë Nirvanën, indiferent ndaj gjërave materiale, sepse, siç tha një dite miku im Hashim Baftiari, “Shpirti s’do biftek”. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    145 mijë dollarë paguhet një ton peshk në Tokio

    Lajmi i rradhës

    Gjendje e jashtëzakonshme në Kazakistan pas protestave për çmimet e energjisë

    Lajme tjera

    Mbramja asht larg

    Martin Camaj Mbramja ashtë large ti je atje mbi kodër të bleruemeku gurzit që bashin zhurmëi përpiu dheu.…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë