Fatmir Baci
Të gënjeva për flokët,
Kur thashë,
I ke ar.
Të gënjeva…
Se ishte natë,
E drita në mëngjes u derdh.
* * *
Të gënjeva për sytë,
Kur thashë,
I ke det.
Të gënjeva…
Se ditë stuhie qe,
E qielli diçka më vonë u çel.
* * *
Të gënjeva për supet,
Për gushën,
Për gjinjtë,
Edhe për belin e hollë.
Se symbyllur fola.
Të gënjeva…
Dhembja fjalët zgjedh,
Tani që jemi aq sa duhet vonë,
Dhe larg,
Kaq sa jemi larg,
Si malet pa jehonë.
* * *
Të gënjeva për nxitimin tim,
Për ikjen dimrake,
Shtërngatës turbulluar,
Të gënjeva po!
Por të desha aq,
Sa gënjeshtra të kam thënë,
Dhe besuar…
* * *
Ka kohë tashmë
Që më nuk të gënjej,
Mjegulla vetminë ka rrethuar,
Stinët ngadalë,
Zbardhen nëpër llohë.
Ta dish se pendohem,
Por pa u penduar
Dhe se mërdhij tani,
Mërdhij..
Nga të vërtetat kam ftohtë.