Tetova nuk harron!

    Kujtim Shabani / Fotografia: Halim Luta

    SHËNIME NGA TETOVA

    Kujtim Shabani

    Sihariqin ma dha taksisti rrugës nga aeroprti për në Tetovë: “Udhën e Teqes, nga Memat, shkolla Naim Frashëri dhe në vazhdim e kanë rregulluar shumë bukur!” Dhe shtoi: “Bilalli ka bërë shumë punë!“ Ne andej do të kalonim, sepse nga kjo rrugë i bie më shkurt për te shtëpia e vjetër. Natën vonë, e lagur nga shiu dhe e thatë nga lëvizjet, ajo dukej vërtet “xixë”.

    Patjetër që do të kaloja andej ditët në vijim të qëndrimit në Tetovë. Dhe ajo dukej e rregulluar vërtet mirë. E errët, që tregonte se ishte shtruar rishtazi; vijat e bardha të vëna nga një dorë e duruar apo maqineri e mirë, kontrastonin bukur me asfaltin e zi. Mu si asaj nate udhës nga Shkupi. Ishim rreth një muaj para zgjedhjeve lokale.

    Kur kalova të nesërmen andej, s’e kisha mendjen te bukuria e rrugës. Mu në buzë të saj e ka shtëpinë, dhe poshtë saj një lokal, një kushëri. Kushëri i parë i babës. Imeri. Rreth dy javë më parë, një ditë të bukur shtatori, atij për një moment iu shtjellua shkurt e gjithë jeta e vet parasysh. Një shtërngim, një shpërthim dhe shpirti i tij i mirë u ngjit në qiell. Vdiq pa i mbushur 60 vjet. Imeri u përshëndet me këtë botë vetëm ndonjë ditë pa u shtruar kjo rrugë.

    Imeri nuk e pa rrugën para shtëpisë dhe kafes së tij të rregulluar. Prej dekadash nuk është vënë dorë aty. Tani ajo është shndërruar në një ndër segmentet më të bukura të Tetovës. Më parë, veturat, duke u shmangur gropave dhe aksidenteve, shtyheshin pothuajse në kafen e tij.

    Nuk kam pasur ndonjë shkëmbim të dendur me Imerin. Ai ishte më i moshuar se unë. Kur kaloja andej, dhe kaloja shpesh, e takoja shkurt. Përdallim nga shumica e njerëzve të afërt, të cilët më thërrasin shkurt “Kujto”, Imeri më drejtohej me emrin e përkëdhelës të fëmijërisë. “O, Timi! Si je? Baba mirë është? Të tjerët ?“ Dhe siç e do zakoni: “Do pish një kafe?”

    Imeri ka pesë vajza dhe një djalë më të vogël nga të gjitha. Tri nga vajzat i ka në mërgim, djali i ka vetëm 13 vjet. Atij nuk ia kishin thënë të vërtetën e hidhur të babait të tij. Imeri vetë, pas një qëndrimi të shkurtër në mërgim, kishte vendosur që jetën ta kalonte në Tetovë. Ai kavërdisej me një kafe lagjeje, ku kalonte kohën komuniteti i lagjes; luanin shah, gurë, diskutonin, politizonin…

    E kujtoj Imerin duke na çuar njëherë në fillim të viteve 90-të për në aeroport, nga ku udhëtonim për në Zvicër. Ishte dimër, kishte reshur shumë borë. Dhe e kishim me ngut. Si gjithmonë, nisemi vonë, duke dashur të qëndrojmë ndonjë orë e minut më gjatë në shtëpinë e vjetër. Dhe ngecëm në borën e pashkelur më parë. Sepse niseshim pa gdhirë akoma. Fluturimet ishin të gjitha në mëngjes herët. Doja të ngecnim aty. Ta humbisnim fluturimin dhe të qëndronim aty deri në behar. Por, udha e mërgimit nuk pritet.

    Më vjen shumë keq që Imeri i shkretë s’e mbërriti rrugën e re të lagjes së tij. Do të rronte më gjatë sikur ta kishte rrugën e shtruar me kohë? Mbase edhe po. Ndoshta nuk do të rronte më gjatë, por me siguri do të rronte më mirë! Do të kishte më pak pluhur. Do të kishte më shumë hapësirë për të dhe për klientët e tij. Do të kishte më pak zhurmë për të gjithë. Do të ishte më mirë për syrin, për veshët, për mushkëritë dhe për zemrën.

    A ka mundur Komuna ta shtrojë këtë rrugë më parë? Po ka mundur. Me siguri. Por e ka ruajtur t’i shtrojë të gjitha rrugët e Tetovës në muajin e fundit, në javët e fundit dhe ditët e fundit para zgjedhjeve lokale. Nga meraku se njerëzit do t’ia harrojnë këtë shërbim në ditën e zgjedhjeve. Po sa njerëz, si Imeri, s’i panë këto rrugë të mirërregulluara? Komuna s’i ka parë kurrë qytetarët në radhë të parë si njerëz. I ka parë si votues. Ajo i njeh mirë rregullat e marrëdhënieve publike, po s’i njeh mirë qytetarët e vet.

    Tetova nuk e harron as të mirën, as të keqen! Sa herë do të kaloj kësaj rruge, dhe do të kaloj shpesh kur të vi në Tetovë, do të më kujtohet gjithmonë se ajo u shtrua dy ditë pas vdekjes së Imerit të Dadës Shahine.

    *Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    Pse viti 2026 mund të jetë viti kundër IA?

    Lajmi i rradhës

    BE-ja thotë se me Ballkanin Perëndimor ka “një raport të fortë strategjik”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë